Mbi studentin dhe të ardhmen

Mundësia më e mirë për ta shpjeguar teorinë shkak-pasojë, është shembulli student-buzëqeshje! Këtë e them nga përvoja ime, megjithatë  edhe nga përvoja e të tjerëve; sa herë që njerëzit dëgjojnë fjalën student, rishtazi fytyra e tyre hijeshohet nga buzëqeshjet nostalgjike duke u pasuar nga rrëfimet e bukura që ata i kujtojnë gjatë periudhës kur kanë qenë studentë.

Gjëja më e bukur e të qenit student është mundësia për të qenë i lirë në zgjedhjen e këndit nga ku dëshiron t’i shohësh gjërat. Nëse marrim një ndërtesë p.sh., një studentit të inxhinierisë i intereson ajo se çfarë e mban atë, ndërkaq studenti i arkitekturës shikon strukturën e ndërtimit të ndërtesës, kurse një studentit të arteve të bukura i intereson vetëm bukuria e saj nëpërmjet së cilës ai frymëzohet.

Çfarë kërkon bota nga studenti?

Globalizmi si fenomen sociologjik, është ndryshuesi më i madh i standardit jetësor që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Përmes përdorimit të naftës dhe revolucionit teknologjik, zhvillimi ekonomik në botë ka pësuar një shpërthim gjigand në këto dekada të fundit duke sjellë një rend të ri shoqëror, atë të rendit global. Duke qenë se tregu ka ndryshuar, automatikisht ndryshojnë edhe kërkesat e tregut për resurset njerëzore. Ata kërkojnë më shumë aftësi, më shumë energji, shumë kreativitet, në mënyrë që të përballojnë konkurrencën dhe të mbijetojnë në treg. Intensiteti i madh i rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në punë, apriori tek studenti ngjallë frikën e së ardhmes. A do të mund ai, që në të ardhmen të jetë i përgatitur aq sa kërkon tregu?

Problemi thelbësor qëndron te fakti se zgjidhja nuk është fakulteti. Ky paradoks mund të shihet nëse vështrojmë se disa nga njerëzit më të suksesshëm në botë, nuk kanë një diplomë! Si shpjegohet që disa nga njerëzit më të pasur në botë si Bill Gejtsi, Stiv Xhobsi apo Mark Zukerbergu nuk kanë mbaruar universitetin?! Ajo se çfarë kam dëgjuar nga të gjithë këta që i përmenda më sipër, është se sekreti i suksesit qëndron tek veprimi. Ajo se çfarë i ka bërë të aftë këta që të jenë liderë në shoqëri, është praktika. Ata kanë guxuar të veprojnë duke mos pasur frikë nga dështimi dhe nga kjo e fundit, të mësojnë dhe të provojnë përsëri!

Disa studime të bëra në fushën e psikologjisë, kanë arritur në përfundim se ne harrojmë mesatarisht 70% të informacionit njëzetekatër orë pasi e mësojmë! Kjo duket shumë zhgënjyese për të gjithë, sidomos për ata që lexojnë. Megjithatë, ka një mundësi që puna të mos shkojë kot dhe kjo është që informacionin që e marrim, para se ta harrojmë, menjëherë ta fusim në praktikë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të përfitojmë nga ajo që mësojmë.

Për të shmangur keqkuptimet, ajo që dua të vë në diskutim, ka të bëjë me hapësirën për veprim që e kanë studentët dhe jo ideja se ne duhet ta braktisim fakultetin. Studentët nuk duhet të besojnë se të marrësh një diplomë do të thotë se je i përgatitur për atë që të pret aty jashtë, por ta shfrytëzojnë të gjithë energjinë e periudhës studentore për ta hedhur menjëherë në praktikë atë që e mësojnë.

“Një gram praktikë vlen sa njëmijë fjalë.” – Mahatma Gandhi 

Cili është roli i universiteteve të RMV-së në këtë pikë?

Nga ajo se çfarë kam parë tek universitetet botërore lidhur me këtë sfidë, është mjaft e kënaqshme. Puna praktike zë një vend të madh në programin e studentit duke parasysh se ka shumë hapësirë për të bërë zgjedhje për punë praktike. Kjo për fat të keq në universitetet tona lë shumë për të dëshiruar. Nuk ka nxitje për ta futur në punë atë që e mësojnë studentët. Këtë mangësi e shohim sidomos në shkencat humane si gazetaria, sociologjia, letërsia, filozofia, psikologjia etj. Mungojnë aktivitete të organizatave joqeveritare, mbrëmjet poetike, debatet, evenimentet e ndryshme kulturore etj. Edhe ata pak që janë, janë të politizuara. Është vërtetë ironike që me këtë realitet, të pritet që gjeneratat e reja të bëhen më të mira se ato të vjetrat. Ne po shkojmë vetëm duke u dobësuar më shumë e më shumë.

Mendoj që ka ardhur koha që të zgjohemi nga gjumi dimëror, përndryshe do të mbetemi në gjumë përherë duke u shuar vazhdimisht, deri sa të mbetemi në errësirë të plotë.

 Nga Suhejb Mustafa

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button