OSBE-Shkup e filloi projektin për të zvogëluar keqpërdorimin e armëve të vogla dhe të lehta në RMV

Misioni i OSBE-së në Shkup nisi sot një projekt të ri që synon të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në uljen e rrezikut të trafikimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe armëve të lehta (ALV), të cilat paraqesin rreziqe të sigurisë për vendin dhe rajonin e gjerë.

“Siguria e rezervave kombëtare të AVL-ve është e një rëndësie të madhe për të rritur sigurinë, për të kontribuar në luftimin e krimit të organizuar dhe për të parandaluar trafikimin, duke kontribuar përfundimisht në sigurinë e qytetarëve në rajon dhe më gjerë”, tha Clemens Koja, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup me rastin e fillimit të projektit.

Projekti, bazuar në të dhëna nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, bazohet në rezultatet e projektit të mëparshëm të titulluar ‘Reduktimi i Rrezikut për Përhapjen e Armëve dhe Municionit’, të cilin Misioni e realizoi gjatë katër viteve të fundit.

Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme, tha se problemi i përhapjes së pakontrolluar të armëve të lehta dhe të vogla ka fituar rëndësi në vitet e fundit në agjendat ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare. Kjo situatë globale, sipas tij, ndikon në migrimin masiv, i cili ndryshon modelet ekzistuese terroriste dhe për këtë arsye shumëfishon pasojat potencialisht të rrezikshme të armëve të vogla dhe të lehta.

“Ne shpesh shohim që ky lloj i veprimtarisë së paligjshme dhe kriminale është një nga katalizatorët që më tej transformon incidentet lokale në ngjarje shumë më të gjera rajonale dhe globale. Nga ky aspekt, është shumë e rëndësishme që në një nivel global të ndërtojmë standarde për zhvillimin e sistemeve efikase për shkëmbimin e informacionit dhe transparencës, ndarjen e praktikave më të mira dhe ngritjen e vetëdijes së publikut përmes zbatimit të projekteve të përshtatshme” tha Spasovski.

Otto Graf, zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Gjermane në Shkup tha se qëllimi i këtij projekti është të mbështesë sektorin e zbatimit të ligjit të Maqedonisë së Veriut për të zhvilluar shërbimin e tij profesional. “Kjo do të ndihmojë vendin të adresojë më mirë kërcënimet ndërkombëtarë përmes armëve të vogla dhe armëve të lehta si dhe të luftojë krimin e organizuar.”

Bashkimi Evropian dhe Zyra e Jashtme Gjermane ofruan mbështetje financiare për të dy projektet. Brenda projektit fillestar, Misioni ndihmoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të azhurnojë infrastrukturën e sigurisë në 15 pika kufitare në mbarë vendin, të vendosë rregulla standarde të procedurës për menaxhimin e depove të AVL-ve, si dhe të forcojë rolin e Komisionit Kombëtar për AVL.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button