“Çfarë dua dhe çfarë nuk dua në Tetovë”, 9 të rinj dhanë sugjerimet e tyre (VIDEO)

 “Çfarë dua dhe çfarë nuk dua në Tetovë” ishte kjo temë e hapur nga Portalb përmes së cilës disa të rinj dhanë sugjerimet e tyre për qytetin e Tetovës. Për shumicën prej tyre dukuri negative në këtë qytet ishin kazinot, papastërtia publike, ndotja e ajrit dhe qentë endacak. Ndërsa, sipas sugjerimeve të tyre  në Tetovë duhet të sigurohet transporti publik si dhe të ndërtohen qendra që do të stimulojnë pozitivitetin mental apo fizik te të rinjtë, qofshin këto sportive, kulturore apo të tjera.

Adem Jashari

“Ajo që dua unë në qytetin e Tetovës janë konkretisht tri vende kampusi i Universitetit të Evropës Juglindore, parku i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Banja e Tetovës. I dua sepse kur jam aty unë ndjehem sikur nuk jam në qytetin e Tetovës. Dhe ajo çfarë nuk dua dhe që dua sa më parë të bëhet në qytetin e Tetovës është mospasja e transportit publik, dua sa më parë ta kemi sepse realisht na duhet”- theksoi Ademi në videon e tij.

Vildane Muslija

“Në momentin kur unë u transferova nga qyteti i Kumanovës në Tetovë si studente u hasa me shumë vështirësi si në rrethin shoqëror ashtu dhe me ambientin. Ajo e cila më pëlqen më së shumti në këtë rreth të ri është se në krahasim me qytetin e Kumanovës këtu ka vende për rekreacion, por numri i tyre është shumë i ulët. Ajo që nuk më pëlqen në këtë vend është se të rinjtë kohën e lirë e kalojnë nëpër kafeteri se sa nëpër parqe”- theksoi Vildane Muslija në videon e saj.

 

Aleina Arsllani

“Ajo çfarë unë dua është që të kemi një qytet të pastër, të mos ketë deponi të egra, zhvillimi i infrastrukturës dhe sigurimi i transportit publik. Ajo çfarë nuk dua në Tetovë është hapja e vazhdueshme e kazinove dhe bastoreve të cilat janë një dukuri mjaft negative”- theksoi Aleina në videon e saj.

 

“Ajo çfarë unë do të doja të ishte në Tetovë është një vend i posaçëm për të rinjtë e talentuar ku ato do të mund të shfaqin talentin e tyre dhe t’ju vlerësohet ai gjithashtu ndërsa do doja të kishte dhe më tepër parqe ku do të shfrytëzojnë njerëzit kohën e lirë të tyre aty, do të doja të kishte dhe më tepër kosha të mbeturinave nëpër qytet të shpërndara ku njerëzit do të mund ti hedhin mbeturinat dhe jo në rrugë dhe kështu të ndotet ambienti. Ajo që mua nuk më pëlqen në Tetovë është që investohet në shumë vende ku të rinjtë mund të devijojnë shumë lehtë dhe të rinjtë janë e ardhmja e një populli kështu që më tepër të investohet në vendet kulturore, arsimore dhe edukative”- theksoi Anisa Bexheti në videon e saj.

Visam Demiri

“Ajo çfarë mendoj se i mungon dhe i duhet Tetovës është qendra për trajtimin e qenve endacak të cilët përmbajnë një rrezik të madh për qytetarët e Tetovës ndërsa ajo çfarë mendoj se është e tepërt në Tetovë janë bastoret dhe kazinot afër qendrave rinore apo afër universiteteve dhe shkollave”- theksoi Visami në videon e tij.

Elisa Neziri

“Ajo se çfarë i duhet Tetovës është marrja e masave maksimale kundrejt papastërtisë së ajrit dhe ajo që nuk i duhet Tetovës janë kazinot dhe bastoret”, theksoi Elisa në videon e saj.

 

 

Fatime Velija
Fatime Velija

“Ajo çfarë Tetova duhet ta ketë është pastërtia publike ndërsa ajo çfarë Tetova nuk duhet ta ketë është djegia e mbeturinave” – potencoi studentja Fatime Velija në videon e saj.

 

 

Besjana Izairi

“Ajo se çfarë dua unë në qytetin e Tetovës është që të ketë sa më shumë vende të lira të punës që të rinjtë mos migrojnë jashtë vendlindjes së tyre, ndërsa ajo se çfarë nuk dua në qytetin e Tetovës është padyshim hapja e kazinove që po ndodhin kudo nëpër qytet”- theksoi Besjana në videon e saj.

 

Enes Sejdini

“Ajo çfarë Tetova duhet ta ketë janë aktivitetet për të rinjtë që stimulojnë në pozitivitetin mental apo fizik, pa marrë parasysh a do të jenë në sport apo organizata aktive në të folurit të cilën konkretisht aspak nuk e kanë prekur Ballkani.  Ajo çfarë Tetova nuk duhet ta ketë është ndotja konkrete dhe abstrakte, areale në harmoni me marrjen serioze të masave për krijimin e një zone idilike” – theksoi Enesi në videon e tij.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button