Lotët e nënës për zonjën Igballe

Kam lindur me operacion cezarian. Nënë e bir kemi shpëtuar falë Zotit dhe përkushtimit të dr. Igballe Rusi – Feratit (1931 – 1975).

Shqiptarja e parë gjinekologe në Maqedoni, e lindur në Dibër, iku në amshim në moshë të re.

Emrin e mjekes së nderuar e kam fiksuar në kujtesë që në moshë fëmijërore. Nëna derdhte lot sa herë përmendej emri i Zonjës Igballe, siç e quante ajo. Dhe emri i saj përmendej shpesh në familjen time.

Nëna ëndërronte që një fëmijë i saj të bëhej mjek ose mjeke si engjëlli i saj mbrojtës. Asaj nuk iu plotësua dëshira.

Unë nuk kisha kurrfarë pasioni për mjekësinë edhe pse kam respekt të veçantë për profesionin e mjekut. Pasioni im ishte letërsia. Ishte shkrimi. Me kësi pasioni dhe me ndjenjën e obligimit moral shkruaj për mjeken e nderuar, e cila ishte shfaqur si yll i vetëm në natë dhe ishte shuar shpejt. Por fjala “shuarje” nuk shkon pranë emrit të Zonjës Igballe, për sa kohë rron kujtimi për të. Emri i saj është fiksuar përgjithmonë në kujtesën e atyre që e kanë njohur dhe atyre që kanë dëgjuar për shpirtin e saj human e të dëlirë.

Gjinekologia e parë në këto vise ishte shkolluar në Tiranë dhe Tetovë, kurse Fakultetin e Mjekësisë e kishte kryer në Shkup. Ajo punoi në spitalin e Tetovës dhe ishte njëra prej themelueseve të Repartit të Gjinekologjisë, i cili sot e mban emrin e mjekes shpirtdëlirë.

Themelimi i këtij reparti ishte jetik. Statistikat e kohës flasin për shkallë të lartë vdekshmërie të lehonave dhe foshnjave të sapolindura. Ndërmjet viteve 1961 dhe 1968 vdisnin brenda vitit mesatarisht 159 lehona dhe një mijë foshnja, që janë shifra të frikshme.

Zonja Igballe, e vetëdijshme për gjendjen e rëndë shëndetësore, punoi me përkushtim, u dallua si mjeke e aftë dhe miqësore me pacientet.

Ajo dha kontribut të madh për ngritjen e kulturës shëndetësore të gruas shqiptare në Pollog dhe ndihmoi në konsolidimin e Kryqit të Kuq në Tetovë e më gjerë.

Mjekja e nderuar u dallua edhe si pedagoge e shquar. Ajo punoi në shkollën e mesme mjekësore në Tetovë, në drejtimin e mamive, që sapo ishte hapur. Kështu krijonte pasardhëset e saj profesionale…

Personaliteteve si ajo duhet t’u jemi mirënjohës dhe t’i ruajmë si modele jetësore.

Mua më vjen keq që këtë shkrim nuk do ta lexojë Nëna ime e ndjerë. Ajo, me siguri, do të qante dhe do të më falënderonte shumë herë për këtë shkrim modest dedikuar mjekes së madhe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button