Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të bllokojnë punën e Kuvendit, si përgjigje ndaj bllokimit të ligjit për nënshtetësi

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i është përgjigjur me reciprocitet bllokimit të ligjit për nënshtetësi të propozuar nga ky subjekt politik. Në këtë mënyrë ata sot kanë dorëzuar mbi 2000 amendamente për ligjin për kundërvajtje. Koordinatori i grupit parlamentar të ASH-AAA, Skender Rexhepi tha se do të vazhdojnë të bllokojnë çdo ligj në Kuvend, deri sa të arrihet marrëveshje rreth ligjit për nënshtetësi, shkruan Portalb.mk.

“Fatkeqësisht një propozim ligj i tillë shumë njerëzor u bllokua nga dy subjektet më të mëdha politike maqedonase, të cilat jo vetëm që nuk dhanë amendamente konkrete, por vendosën që ta refuzojnë apo ta bllokojnë të tërën. Për atë arsye demokratike e jona demokratike si koalicion, është që të bëjmë reciprocitet në këtë drejtim dhe çdo ligj në të cilin kemi qasje pa dallim ne do të bëjmë bllokadë, deri sa të vijë një marrëveshje e përbashkët që të tërhiqen amendamentet për ligjin për nënshtetësi dhe të ulemi dhe t’i diskutojmë çdo amendament veç e veç”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se ata kanë dorëzuar të gjitha amendamentet në gjuhën shqipe, gjë që ndodhë për herë të parë në Kuvend.

“Këtë reciprocitet nuk do ta ndalim, pavarësisht sa mund të jetë një propozim ligj me interes të veçantë, për cilin do qoftë ne do të vazhdojmë për të gjithë propozim ligjet njëjtë t’i bëjmë bllokadë, ashtu siç kishim sot propozim ligjin për kundërvajtje ku dhamë mbi 2000 amendamente. Risi e mirë është se, hera e parë ndodhë në Kuvend e Maqedonisë së Veriut që amendamentet dorëzohen vetëm në gjuhën shqipe dhe të gjitha janë pranuar dhe ata e kanë për detyrë që t’i përkthejnë në gjuhën maqedonase që të shkojnë në komisionin amë”, tha ai.

VMRO – DPMNE dhe “E majta”, kanë dorëzuar mijëra amandamente për ligjin për nënshtetësi.

Ndërkohë, Kuvendi sot sërish nuk kishte kuorum që të votojë rendin e ditës, për shkak se tre deputetë janë infektuar me Covid – 19.

“Të enjten e javës së kaluar vërtetuam se dita e sotme do të jetë ditë e votimit të pikave të cilat kanë kaluar në diskutim. Për fat të keq, duhet të konstatojë se nga shumica janë prezent 59 deputetë. Tre deputetë nuk kanë mundur të marrin pjesë në këtë seancë për shkak se janë infektuar me korona virus. Dy prej tyre kanë marrë vendim për izolim, pasi janë pozitiv me Covid-19, ndërsa deputeti i tretë i cili ka simptome, pret rezultate”, tha Xhaferi.

Ai tha se, deputetët do të informohen në mënyrë shtesë se kur do të mbahet votimi.

Propozim ligji i ri për nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut parasheh lehtësim të procedurës së marrjes së këtij dokumenti, në krahasim me rregullat dhe procedurat e deritanishme. Qytetarëve që kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut në kohën e Jugosllavisë ose janë lindur në Maqedoni, pavarësisht vendit të prejardhjes dhe kanë jetuar këtu deri më 8 shtator 1991, t’u mundësohet të marrin nënshtetësi, njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare sipas Kushtetutës, janë disa prej lehtësimeve që parasheh propozim ligji për nënshtetësi i propozuar nga grupi parlamentare ASH – AAA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button