Kovid-19 në Tetovë, Nuredini: Aktualisht ka 23 të hospitalizuar, të gjithë janë në gjendje të rëndë

Aktualisht në Tetovë ka 23 pacientë të hospitalizuar për shkak të Kovid-19, mjeku dhe udhëheqësi i Kovid Qendrës në Spitalin Klinik të Tetovës, Gzim Nuredini, theksoi se të gjithë janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas tij, ende nuk ka informacione a bëhet fjalë për ndonjë mutacion të ri ndërsa shtoi se ora policore është dashur të vendoset edhe dy javë më herët, shkruan Portalb.mk.

Mjeku Gzim Nuredini potencoi se indikatori i parë se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve me Kovid-19 ka qenë shtimi i numrit të qytetarëve të cilët shkonin për kontrolle ambulantore, edhe atë nga 70 në një ditë.

“Është rritur numri i personave që vijnë për kontrolle ambulantore, kjo ishte tregues se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve, dy javët e fundit filloi në mënyrë progresive të rritet numri i pacientëve, aktualisht kemi 23 pacientë të hospitalizuar, të gjithë janë në gjendje të rëndë” tha Gzim Nuredini, mjek në repartin infektiv.

Ai tha se aktualisht nuk ekziston një informatë e saktë se a bëhet fjalë për mutacionet e virusit korona apo jo, megjithatë, të gjithë pacientët të cilët janë hospitalizuar aktualisht janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Nuk kem iashtu të dhëna për mutacionet e reja, nuk na kanë informuar. Tani për tani mendoj se nuk kemi ashtu raste, sidoqoftë, pacientët janë në gjendje të rëndë” tha Nuredini.

Nga nesër orë policore në të gjithë territorin e RMV-së

Për masën e fundit qeveritare e cila ka të bëje me vendosjen e orës policore nga ora 22:00 deri në 05:00 në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, Nuredini e arsyetoi dhe tha se mundësisht e njëjta është dashur të vendoset dy javë më herët.

“Mendoj se masat të cilat u morën tani, do të ishte mirë të ishin marrë edhe para dy jave por edhe tani do të jetë mirë. Gjithsesi, duhet patjetër që qytetarët të respektojnë masat dhe të mos fillohet përsëri me grumbullime dhe kështu me radhë” tha Gzim Nuredini, mjek.

Imunizimi i mjekëve në Spitalin Klinik të Tetovës

Nuredini potencoi se të rrallë kanë qenë mjekët të cilët kanë refuzuar të vaksinohen kundër Kovid-19, ai shtoi se një numër i madh prej tyre kanë marrë vaksinën dhe pritet që dozat tjera të vaksinave të arrijnë nga nesër në Tetovë.

“Në fillim u bë planifikimi nga ana e spitalit, mjekët të cilët punojnë në qendrat Kovid edhe të punësuarit të cilët janë në zonat e kuqe, ndoshta dikush prej tyre ka refuzuar, por shumica kanë marrë vaksinë. Tani presim që të filloje pjesa tjetër e vaksinimit. Unë e morra dhe ndjehem mirë” tha Nuredini.

Mjeku informoi se thuajse të gjithë punonjësit shëndetësor të Kovid Qendrës në Tetovë kanë kaluar sfidën me virusin korona, ndërsa të tjerët, sipas tij, mbase e kanë kaluar por kanë qenë asimptomatik.

“Unë disa here kam treguar që në numër i madh i të punësuarve në këto qendra e kanë kaluar virusin, kanë qenë pozitiv, sidomos këta në qendrat që punojnë, gati të gjithë e kanë kaluar vetëm ndonjë ka që se ka kaluar apo edhe mund të kishte qenë asimptomatik. Për momentin nuk kemi mjek të infektuar, ka që janë në izolim por jo pozitiv” tha Gzim Nuredini.

Ndryshe, kryeministri Zi RMV-së, Zoran Zaev konfirmoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e ka pranuar propozimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive, që nga nesër të ketë orë policore në të gjithë territorin e RMV-së e cila fillon në ora 22:00 dhe do të mbarojë në 5:00 të mëngjesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button