Gruaja, barazia gjinore dhe pozita politike në RMV

Pozita e pabarabartë e grave është e lidhur me diferencën biologjike midis burrave  dhe grave, veçanërisht për faktin se gruaja ka atributin e lindjes së fëmijëve, andaj historikisht ka sunduar paragjykimi që nënat janë të detyruara të merren me fëmijët dhe të kujdeset për edukimin dhe formimin e tyre më shumë se baballarët. Kjo për faktin që, gratë historikisht janë konsideruar makina për të lindur fëmijë dhe si të tilla i kanë trajtuar- mekanike dhe pa ndjenja. Është mbrojtur koncepti se roli kryesorë i gruas është të jetë amvise, e cila duhet t’i nënshtrohet në tërësi burrit dhe interesave të tija. Ky koncept, sipas të cilit gruaja duhet të jetë një bashkëshorte e dëgjueshme, nënë e përkushtuar, qëllimi jetësorë i të cilës duhet të jenë bashkëshorti dhe familja, është koncept i përfaqësuar në të gjitha vendet evropiane në gjysmën e parë të shek. XVI. Sipas Vives “Në martesë, burri është shpirti, gruaja trupi: njëri urdhëron, tjetri kryen shërbime”.

Andaj, barazia gjinore ka qenë dhe do të jetë një temë aktuale jo vetëm në vendin tonë por në mbarë botën edhe përkundër shumë  dokumenteve ndërkombëtare të  cilat janë  sjellë për të  siguruar mosdiskriminimin në baza gjinore. Duhet cekur se, bartëse e aktiviteteve lidhur me përforcimin e barazisë gjinore në RMV është Ministria për punë dhe politikë sociale, në web faqen e së cilës mund të gjendet link i veçantë mbi kornizën ligjore nacionale dhe ndërkombëtare e cila garanton dhe mbron barazinë gjinore në të gjitha sferat e jetës.

Në shoqërinë tonë të jesh një grua e lirë në politikëbërje, një grua e lirë  në  vendimmarrje në  organet dhe institucionet shtetërore, një grua e cila do të udhëheq lirshëm me një kompani në tregun e punës ose do të  jetë  udhëheqëse në rrethin akademik është shumë sfiduese.

Si profesoreshë dhe si grua, gjithnjë  mbroj mendimin që pozita familjare, politike, institucionale  e gruas në një shoqëri merret si tregues për nivelin e zhvillimit të asaj shoqërie. Statistikat aktuale flasin që nuk kemi një përfaqësim të mirëfilltë  të gruas në sferën politike dhe pushtetin shtetëror.

Bazuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020, përqindja e grave në kuvendin e RMV-së është si vijon: LSDM dhe koalicionit “Mundemi” – 19 deputete (41,3%); VMRO dhe Koalicioni -17 deputete (38,6%); BDI- 4 deputete (26,7%); Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa – 3 deputete (25%); E majta – 0 (0%) dhe PDSH – 0 (0%). Në tekstin aktual të Kodit zgjedhor, përkatësisht në nenin 64 paragrafi 5 parashihet se në listën e kandidatëve për deputet në çdo të tretin vend të listës së paku një vend i takon gjinisë e cila është më pak  e përfaqësuar, pra  “së paku 40%” e kandidatëve duhet të jenë gra. Shikuar nga retrospektiva e zgjedhjeve parlamentare në RMV, jo në të gjitha zgjedhjet parlamentare është respektuar kjo normë ligjore. Përforcimi i pjesëmarrjes së  gruas në  pushtetin ligjvënës paraqet një nxitje për një  qasje më  serioze rreth vendit të  gruas edhe në segmentet tjera politike. Megjithatë, edhe pse ky “avancim” është në kufi me realizimin e minimumit ligjor, duhet të jemi më optimist dhe të shikojmë përqindjen aktuale të përfaqësimit si shpresëdhënëse krahasuar me vitin 2000 kur edhe janë sjellë ndryshimet ligjore për vendin e gruas në kuvendin e RMV-së.

Krahasuar me pushtetin ligjvënës, në pushtetin ekzekutiv përfaqësimi i gruas është shumë më i ultë, nga 16 Ministri, vetëm 4 janë nën udhëheqjen e grave (ministrja për arsim dhe shkencë, ministrja për kulturë, ministrja e mbrojtjes dhe ministrja për punë dhe politikë sociale) dhe 2 zëvendësministre (zv. ministrja për punë të jashtme dhe zv.ministrja për ambientin jetësor). RMV që nga pavarësimi i saj e deri më sot asnjëherë nuk ka patur kryetarë shteti grua dhe as kryeministër grua. Situata nuk është më e mirë edhe në pozicionet udhëheqëse të pushtetit gjyqësor,  në të cilin prej 35 Gjykatave vetëm Gjykata supreme, Gjykata themelore në Veles dhe Gjykata themelore Kriva Pallankë udhëhiqen nga gratë. Udhëheqja e komunave nga gratë është e mjerueshme. Aktualisht nga 80 komuna në vendin tonë, vetëm në 6 komuna prefekte janë  gratë, edhe atë: Komuna e Haraqinës, e Manastirit, e Kamenicës, Komuna Mogila, Komuna e Nagoriçit të Vjetër dhe Komuna e Tetovës.

Konsideroj që, problemi kryesorë i mospërfaqësimit adekuat të gruas qëndron tek mjedisi politik, institucional dhe shoqërorë në të cilin duhet të veprojnë gratë në RMV. Që  të mundet një  grua të  merr pjesë  aktive në  politikë  është  e patjetërsueshme që  ajo të  jetë  aktivisht e kyçur në  strukturat e partive politike. Në praktikën politike të  RMV-së  nuk kemi të  shënuara raste  që  një  grua të  merr mandatin politik si e pavarur pa mos qenë  pjesë  e ndonjë  partie politike. Ajo patjetër të  jetë anëtare e  ndonjë  partie politike për t’iu dhënë  mundësia të  përfaqësoj popullin e saj.

Aktualisht, ky mjedis jo i barabartë  nuk ofron kushte të mirëfillta për emancipimin politik të grave, të cilat gjithsesi kanë nevojë për më shumë përkrahje institucionale, në mënyrë që të marrin pjesë efektivisht në vendimmarrje politike e jo të shërbejnë vetëm për përmbushjen e kuotës konkrete gjinore. Shikuar nga aspekti komparativ në  sferën politike  janë  shënuar shumë  gra  të  suksesshme: Angela Merkel, Vjosa Osmani, Jacinda Ardern, Sanna Marin, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe shumë  të  tjera.  Edhe pse të  nënshtruara mentalitetit maskilist, gratë  gjatë  gjithë  historisë  kanë  qenë  një  faktor shumë  i rëndësishëm në  ndërtimin e paqes sepse ato kanë  qëndrime më  pozitive, janë  më  të  matura dhe më precize gjatë  udhëheqjes dhe vendimmarrjes, prandaj gruas duhet t’i  jepet vendi merituar në shoqëri, për të patur mundësinë të demonstrojë kapacitetin dhe aftësitë e veta.

Përmirësimi i vazhdueshëm i pozitës së gruas, do të përforcojë demokracinë në shoqërinë tonë. Balancimi i roleve të gruas përmes tre modeleve edhe atë si grua-bashkëshorte, grua-nënë dhe grua- e punësuar kërkon shumë sakrificë dhe mund, por gjithsesi luan një rol të rëndësishëm deri tek barazia gjinore dhe pozicionimin e saj në te gjitha sferat e jetës.

Andaj e dashur grua mos  insisto të përballesh me burrat por shiko veten në të njëjtin nivel me ta dhe në këtë drejtim impono rolin bashkëpunues.

Shkruan Doc.dr Arta Selmani-Bakiu
Profesoreshë e të  drejtës  familjare dhe prodekane në Fakultetin juridik- UEJL

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button