RMV, të sëmurët nga kovidi me simptoma të barkut rrallë testohen dhe janë burim i përhapjes së virusit

Të sëmurët me kovid të cilët kanë vetëm probleme me stomakun shpesh pranohen në spital pa u testuar dhe bëhen burime të përhapjes së koronavirusit, thotë dr. Dafina Nikollova nga Klinika Universitare e Gastroenterohepatologjisë, njofton Portalb.mk.

Në një debat online në Odën e mjekëve, ajo tha se simptoma më e zakonshme gastrointestinale që marrin pacientët është diarreja që ndodh në 30% të të infektuarve, pasuar nga humbja e oreksit në 26.8% të pacientëve dhe një përqindje më e vogël e pacientëve ndjejnë të përziera dhe / ose të vjella (3.9–10.1%), si dhe dhimbje / parehati abdominale (1.1–2.2%).

“Është i nevojshëm nivel i lartë i ndërgjegjësimit të klinicistëve, pasi këta pacientë janë hospitalizuar në qendra jo-KOVID, gjë që mund të jetë rrezik për pacientët tjerë dhe personelin. Mjekët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos i nënvlerësojnë ose neglizhojnë simptomat e hershme dhe të lehta gastrointestinale dhe të dyshojnë për infeksion të mundshëm Covid-19, madje edhe te pacientët me sëmundje para-ekzistuese gastrointestinale”, tha dr. Nikollova.

Kryetarja e Odës së Mjekëve, prof. dr. Kalina Grivçeva-Stardellova, tha se në trajtimin e pacientëve me kovid-19 janë vërejtur raste të gjakderdhjes së rëndë në traktin gastrointestinal edhe te pacientët të cilët nuk kishin sëmundje të mëparshme.

“Kemi pasur një rast të një pacienti 17 vjeçar me gjakderdhje të rëndë nga rektumi, i cili u soll në klinikë në një gjendje shumë të rëndë me nevojë për transfuzion të menjëhershëm të gjakut. Pacienti iu përgjigj mirë trajtimit dhe gjakderdhja u ndal. Raste të tilla të gjakderdhjes gastrointestinale janë gjithnjë e më të shpeshta, pa u gjetur shkaku i dukshëm i humbjes së gjakut, prandaj konsiderohet se gjakderdhja ndodh si pasojë e virusit Covid-19 dhe përdorimi i terapisë për trajtimin e tij, kryesisht terapi antikoagulante”, shpjegoi prof. dr. Grivçeva Stardellova.

Lidhur me vaksinimin e pacientëve me sëmundje inflamatore të zorrëve, rekomandimi i përgjithshëm është që pacientët të vaksinohen kur të kenë mundësi. Shtyrja e pranimit të vaksinës duhet të bëhet vetëm nëse sëmundja është në fazë përkeqësimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button