Ministri izraelit: Qeveria planifikon të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor

Ministri izraelit i Çështjeve të Vendbanimeve, Tzachi Hanegbi, tha se qeveria izraelite synon të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar.

“Nuk ka kuptim që gjysmë milionë njerëz që jetojnë në Judea dhe Samaria (Bregun Perëndimor) nuk mund të jetojnë sipas ligjit izraelit. Ne e bëmë atë në Lartësirat e Golanit dhe do ta bëjmë në Judea dhe Samaria”, tha Hanegbi në një intervistë për “i24NEWS Channel”, transmeton AA.

Ai, megjithatë, nuk përcaktoi një afat kohor për aneksimin e mundshëm izraelit.

Qeveria izraelite kishte planifikuar të aneksonte pjesë të territorit të okupuar në korrik të vitit të kaluar, por kjo u prolongua shkaku i presionit ndërkombëtar.

Duke komentuar mbi të ardhmen e marrëdhënieve të Izraelit me vendet arabe që nënshkruan marrëveshje normalizimi me Izraelin kohët e fundit, Hanegbi tha se ai nuk mund të parashikojë formën se si mund të jenë marrëdhëniet e tilla në të ardhmen e afërt.

“Unë nuk mund të parashikoj se sa larg do të zhvillohen marrëdhëniet me vendet e Gjirit, por është një aleancë e cila duhet të jetë në gjendje të bëhet në përputhje me vendimet e popujve, marrëveshjet e reja do të ndryshojnë gjërat”, tha ai.

Hanegbi shtoi se Izraeli ka “interes të përbashkët me Omanin”, duke shpresuar për “zgjerimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite”.

Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani dhe Maroku njoftuan normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Udhëheqësit palestinezë i quajtën marrëveshjet tradhti të kauzës palestineze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button