FEJA E DECENTRALIZUAR (II)

Një ndër sociologët më të mëdhenj të fesë, italiani Roberto Cipriani thotë se tema e shekullarizimit zë vend qendror bile edhe në mileniumin e ri. Ndërkohë, studime të shumta janë bërë në tema të reja (ose pothuajse të reja) si lutjet, spiritualiteti, fetë e Lindjes dhe në veçanti fetë kineze, feja e përditshme dhe/ose e jetuar, feja digjitale, gjinia, analiza pamore, fenomeni i mega-kishave, televangjelizmi, protestantizmie te tjera. Në fokus janë edhe të ashtuqajturit nones, d.m.th. jobesimtarët, indiferentët, agnostikët, fetarisht të paantarësuarit, ateistët dhe asnjanësit/neutralët. Sipas tij, rrjedhat në shoqërinë universale e përligjin konceptin e Eisanstadt-it të emërtuar si “modernitete të shumëllojshme” (multiple modernities) që korrespondon me idenë e fetarive shumëllojëshe, me prezencë të shtresëzuar dhe të artikuluar fetare në një kontekst tepër të globalizuar dhe të diferencuar që, si pasojë e shndërrimeve të vazhdueshme në shoqëritë vendore, pasqyron tipologji të ndikuara nga trendet transversale që kaplojnë thuajse çdo kënd të planetit, duke ofruar arsye dhe bindje për ndërtim të identiteteve të veçanta në një rrafsh ekonomik, politik, kulturor dhe fetar, në Rusi, në Shtetet e Bashkuara, Indi, Nigeri, Kinë, Brazil etj. Kështu, sot mund të flasim për identitete të shumëfishta islame, por edhe për konfucianizëm të shumëllojshëm, tipik për Azinë Lindore. (Cipriani, 2021)

Identitetet e shumëfishta islame në hapësirën shqiptare janë prezente në veçanti pas kalimit në periudhën e demokracisë, gjegjësisht pas vitit 1990 e këndej kur shfaqet një laramani e vërtetë interpretimesh e doktrinash fetare që synonin të marrin sa më tepër hapësirë në kuadër të kulturës fetare islame. Uria 23-vjeçare (1967-1990) për fe në Shqipëri dhe liria më e madhe fetare në trojet e ish-Jugosllavisë krijuan ndër shqiptarë një pasion të madh për ligjëratë fetare të çfarëdoshme, në veçanti për syresh paksa më ndryshe që në fillim dukeshin atraktive. Kështu diskursi dhe identiteti fetar i ndryshëm nga feja konvencionale nisi të bëhet një diçka që sfidonte brezat e rinj të besimtarëve që nisën të duken ndryshe edhe në pamësi (vizibilitet) të jashtme. Kultura fetare nisi të decentralizohej, më tepër gjallëri fetare kishte tek islamët alternativë se sa tek ai i komuniteteve fetare që ishin kapluar nga një indolencë e çuditshme dhe që s’arritën ta kapin ritmin dhe të garojnë me islamët shqiptarë të rinj, në veçanti me atë vehabist-selefist të shtytur nga ideologjia puritane saudiane që ka si objektiv dominimin gjeopolitik në botën myslimane (Platteau, 2017). Për çudi është fakti se bile edhe për një sërë medresantësh ky interpretim i ri i islamit, më purist, më tekstualist, më radikal nisi që t’u duket tërheqës, kështuqë fjalën vendimtare e merrnin nga hoxhallarët jashtëinstitucionalë që shfaqnin një agilitet në da’ve (predikim).

Shikuar sociologjikisht përplasja tridhjetëvjeçare latente por herë-herë edhe manifeste mes bashkësive fetare dhe islamëve alternativë solli pluralitet fetar, por edhe thyerje të autoritetit të vetëm religjioz. Kjo gjendje e pluralitetit dhe fesë së decentralizuar gjeneroi një misionarizëm të ri që realizohej zyrtarisht përmes OJF-ve, shoqatave humanitare, shtëpive botuese, kurse në mënyrë jozyrtare nëpër mejtepe, “xhami vetjake”, objekte e skuta të ndryshme të marra me qira, më vonë edhe nëpër rrjetet sociale, në youtube, kur ndodhi decentralizimi më i gjerë. Decentralizimi i islamit shqiptar solli shfaqje të “mytfinjve alternativë”, të reisëve të paemër që herë ishin radikalë herë zbuteshin, ndërkohë duke prodhuar thirrës më të skajshëm se vetja që ekskomunikonin kryeimamin e dikurshëm të cilin e cilësonin si tepër “soft” ose të dalë feje. Në kontekstin e Maqedonisë ku është edhe gjeneza e decentralizimit të islamit, “islami i vërtetë” dita ditës forcohej sa më shumë që BFI dobësohej e skandalizohej. Popullata e gjerë apo masat shkonin me formulën “anise, autoritetin duhet respektuar”, kurse ajo rinore ishte në kërkim të “islamit të vërtetë”, “autentik” që e gjente te ky apo ai “hoxhë i sunnetit” (traditës profetike). (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button