Shkolla kombëtare shqipe e Korçës – 134 vite sakrificë

Gjatë tërë periudhës së Rilindjes kombëtare, synimet dhe kërkesat për hapjen e shkollave shqipe dhe aplikimin e gjuhës shqipe jo vetëm në shkolla, por në të gjitha sferat e jetës ishte kulminacioni i aspiratave të atdhetarëve shqiptarë në luftë për përparimin e kombit dhe daljen nga errësira shekullore (Abazi, 1997).

Mësonjëtorja shqipe e Korçës u hap më 7 mars 1887. Ideator i saj ishte Naim Frashëri. Rilindësit shqiptarë të prirë nga Naim Frashëri e Sami Frashëri, ia dolën që nga Porta e Lartë të marrin “një leje në emër të Pandeli Sotirit, për të çelur një shkollë shqipe në Korçë (Myzyri, 1978). Mësues dhe drejtor i kësaj shkolle u caktua Pandeli Sotiri. Shkolla u vendos në shtëpinë e dhuruar falas të Diamandi Tërpos nga Korça, i cili ishte anëtar i shoqërisë “Drita” të Bukureshtit (Koliqi, 2012). Mësonjëtorja e Korçës ishte shkollë fillore, me katër klasë të rregullta dhe një klasë përgatitore. Nxënësit e saj ishin shqiptarë besimesh të ndryshme fetare (myslimanë e ortodoksë) dhe shtresash të ndryshme, nga qyteti dhe fshati. Midis tyre kishte edhe vajza. Aty mësonin jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Numri i nxënësve vazhdimisht rritet.

Me tekstet dhe këshillat e tyre Naimi dhe Samiu përcaktuan përmbajtjen e shkollës së re, të cilën e përfytyruan si antagoniste të shkollës ekzistuese zyrtare. Edukimi patriotik i nxënësve do të bëhej, së pari, nëpërmjet vetë gjuhës amtare, si dhe lëndëve të historisë, gjeografisë, veçanërisht të pjesës që ka të bëjë me Shqipërinë, ata vlerësojnë shkencat e natyrës, shkruajnë për njohuritë e para mbi natyrën (Kraja, 1993).

Rrethanat politiko-shoqërore dhe historiko-gjeografike ishin shumë të pavolitshme për arsimin e kombit shqiptar dhe sidomos kur është fjala për kualifikimin e kuadrit mësimor në gjuhën shqipe. Në njërën anë kemi dëshirën e madhe për tu arsimuar dhe për shkollën në gjuhën shqipe, e sidomos e shprehur nga ana e prindërve të asaj kohe (sepse ato ishin shumë vigjilent dhe e kishin shumë të qartë se vetëm me arsimimin e fëmijëve të tyre i bëjnë shërbim kombit dhe i vendosin themelet ardhmërisë së tyre) në anën tjetër kemi diskriminimin dyfytyrësh të pushtetit të asaj kohe për të penguar arsimimin e popullit shqiptar dhe në veçanti për të penguar kualifikimin e kuadrove të asaj kohe në gjuhën amtare shqipe.

Është e vërtetë se rrethana të caktuara gjatë historisë u imponojnë popujve gracka në të cilat ata bien, me pavetëdije, por me kalimin e kohës ato pengesa zbehen ose eliminohet tërësisht dhe atëherë duhet të veprohet me kthjelltësi dhe pa oportunizëm. Kjo gatishmëri akoma nuk del në sipërfaqe në praktikën e strukturave avangarde të popullit shqiptarë (Kasami, 2017).

Sot sistemi i arsimit, e me këtë edhe shkolla është vënë në pozicion rrënjësisht të ri. Ideali i arsimit përqendrohet në dy shtylla qendrore:

E para, të mësohet se si të mësohet, dhe

E dyta, të mësohet se si të jetohet ( (Zajazi, 1997).

Kohërat kanë rrjedhën e vet dhe nuk kthehen më. Breznitë i japin vulën kohës dhe ajo pastaj quhet histori. Historia nuk bart fajin e atyre që nuk e mësojnë dhe nuk nxjerrin mësime nga historia. Aq më tepër sot kur rrethanat kulturore brezit të ri i afrojnë modele edukative të ndryshme (Mehdiu, 2013).

Për të arritur rezultate më të mira në këtë drejtim duhet kultivuar ndjenjën e modestisë dhe të respektit ndaj paraardhësve. Duhet zbatuar një frymë selektive nga aspekti edukativ. Duhet hequr bindja se gjithçka që është e re është, me çdo kusht edhe më e mira. E reja dhe e vjetra duhet të harmonizohen dhe duhet qasur me sy kritik e selektiv.

E paçim përjetësisht Shkollën shqipe!

Bibliografia:

  • Abazi, N. (1997). Zhvillimi i arsimit, i shkollave dhe i mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912). Tetovë: BKSH.
  • Kasami, K. (2017). Kualifikimi i kuadrit mësimor në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë (1945-1955). Shkup: Furkan ISM.
  • Koliqi, H. (2012). Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Prishtinë: Libri shkollor.\
  • Kraja, M. (1993). Mësuesit për kombin shqiptar. Tiranë: Tirana.
  • Mehdiu, F. (2013). Kërçova në Histori. Kërçovë: Feniks.
  • Myzyri, H. (1978). Shkollat e para kombëtare shqipe. Tiranë: “8 Nëntori”.
  • Zajazi, T. (1997). Pedagogjia e arsimit I. Shkup: Logos-A.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button