Gjykatësi me dy fytyra

Në një freskë nga epoka e Renesancës, gjykatësi Monsaraz nga Portugalia paraqitej si një gjykatës i keq dhe me dy fytyra duke marrë ryshfet. Në freskë dallohej se fisniku i ofron atij monedha ari nga një çantë dhe thëllëza. Kështu dukej një gjykatës i korruptuar gjatë kohës së Renesancës ku vendosej nëse bota perëndimore do të dilte nga mesjeta dhe do të shkonte drejt reformimit dhe më pas Revolucionit Industrial. Mund të bëjmë disa krahasime nga lashtësia, mesjeta e deri në kohën e sotit me ngjarjet dhe pavarësinë e gjykatave në Maqedoninë e Veriut (MV) dhe në Ballkan.

1.Korrupsionin e kemi hasur si term gjatë tre dekadave të fundit, kur MV u pavarësua nga Federata Jugosllave ku të gjithë u sprovuam se sa vështirë është që shtetet e Ballkanit të transformohen dhe t’i hyjnë rrugës së ndërtimit të shtetit të vërtetë ligjor. MV si shumë shtete tjera të rajonit lëngon nga tre forma të korrupsionit: E para nga “korrupsioni i niveleve të ulëta”, e dyta nga “korrupsioni i madh” dhe e treta nga “korrupsioni sistemik”, ndryshe i quajtur gjithëpërfshirës nga maja e deri tek baza e shoqërisë apo e institucioneve. Pa dyshim se të tre format i hasim jo vetëm në MV, por gjithandej në Ballkanin Perëndimor dhe në shtetet tjera të botës ku ligji nuk zbatohet.

Korrupsioni mund të ndodh në sektorin publik, privat, në organizatat e shoqërisë qytetare dhe në sferat tjera ku njeriu vepron dhe pret shumë nga pushteti. Këtu padyshim se bëjnë pjesë partitë politike dhe qeveria e që ndryshe korrupsioni i tyre quhet korrupsion politik. Strategjia kombëtare në luftën kundër korrupsionit ishte një vendim që duhej merrej që më herët ku qeveria e MV-së premtoi se do të veprojë më ndryshe e që në fakt nuk ndodhi. Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit me pas njoftoi se janë të habitur nga strategjia kombëtare pasi nuk kanë njohuri për detajet e Planit aksionar të qeverisë.

Kapitulli i 23 i Aqusis-it të BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtat themelore thotë: “Politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore synojnë të mbajnë dhe zhvillojnë më tej BE-në si një zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Krijimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është i një rëndësie të madhe. Paanësia, integriteti dhe një standard i lartë i gjykimit nga gjykatat janë thelbësore për mbrojtjen e shtetit ligjor. Kjo kërkon një angazhim të vendosur për të mënjanuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin. Garancitë ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë duhet të ekzistojnë. Në mënyrë të barabartë, shtetet anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi ai përfaqëson një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Kërkohet një kornizë solide ligjore dhe institucione të besueshme për të mbështetur një politikë koherente të parandalimit të korrupsionit. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të drejtave të qytetarëve të BE-së, siç garantohet nga Acquis-i dhe nga Karta e të Drejtave Themelore të Njeriut.

  1. Konkretisht, në MV është pak vështirë të bëhen të gjitha menjëherë duke i pasur në konsideratë rrethanat e shtetndërtimit dhe përqendrimit të klasës politike në ruajtjen e identitetit se sa të shtetit ligjor. Një qasje e tillë e politikës ka lënë pasoja në procesin e rritjes së pavarësisë gjyqësore dhe të besimit qytetarë ndaj institucioneve.

Tradita e vazhdimit të të njëjtave praktika gjatë tre dekadave të fundit në MV, u pasua me procese të montuara dhe humbje të autoritetit publik se institucionet e drejtësisë së MV-së mund të japin vendime të drejta pa ndikime politike, grupore dhe paragjykime etnike. Rastet e fundit gjyqësore dhe angazhimet që  “dasma” qeveritare të paraqitet si fitore në fushën e drejtësisë së pavarur, gjithsesi se nuk duket mirë para botës dhe institucioneve evropiane që bëjnë vëzhgimin e të drejtave të njeriut dhe të gjyqësorit.

Do të ishte e turpshme që të vazhdohet me Planin për të luftuar korrupsionin nëse të gjitha aktorët nuk informohen në kohë dhe nuk përgatiten se si të vendosen bazat e luftës ndaj korrupsionit në gjykatat dhe institucionet e MV-së. Është e pamjaftueshme aprovimi i një plani të tillë kur Gjykatat Themelore, e Apelit, Administrative dhe ajo e Lartë janë të mbushura me gjykatës, prokurorë, të punësuar administrativ të partive politike ose individë që kanë urrejtje fetare dhe etnike. Vetingu nëse do të bëhet në MV ka gjasa të fillojë të pastrojë gjyqësorin nga figurat e larta të gjyqësisë që janë nën ndikimin e politikës dhe korrupsionit, po jo të ketë efekte në punën e institucioneve që nxjerrin vendime mbi baza ideologjike dhe dominimit etnik. Raste kur fajtori shpallet i pafajshëm në MV tashmë janë bërë përditshmëri, e që njëkohësisht tregon për gjendjen e gjykatave dhe në tërësi të sistemit të korruptuar të drejtësisë në MV. Gjatë hapjes së kapitujve më BE-në, qeveria ose të mendojë për një plan aktiv dhe real të zbatueshëm ose ndërtimi i shtetit ligjor do t’i ngjasojë përpjekjeve të shumë qeverive që kanë dështuar në vendosjen e ligjit dhe janë kthyer në shoqëri të brishta, të sunduara nga krimi dhe korrupsioni politik. Në fund si gjykatësi metaforik i mesjetës në Portugali kemi shumë të tillë në MV, që janë shumë të zëshëm, të njëanshëm dhe që s’kanë të bëjnë me drejtësinë evropiane e bashkëkohore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button