Aleanca për Shqiptarët: Mësuesi është autoriteti më i nëpërkëmbur në vend

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një konference për media, ka kritikuar reformat e paralajmëruara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në presin e mbajtur me rastin e festës së nesërme të Ditës së Mësuesit, Muzafer Etemi nga kjo parti tha se, mësuesit tonë i servohet një reformë e ngutshme arsimore pa e testuar paraprakisht, pa e pyetur kush mirëfilli nëse kjo i duket e përshtatshme apo jo, nëse kjo do të ia bëjë më të vështirë punën dhe më të parealizueshëm qëllimin e mësimit, transmeton Portalb.mk.

“Atij i përsëritet historia e kompjuterëve të gjoja reformave të viteve të shkuara, të cilat kompjuterë në pothuajse të gjitha shkollat dergjen copë-copë në ndonjë podrum a klasë të veçantë, ndërkohë që mungon jo vetëm kabineti I lëndëve të veçanta, por edhe sapuni I duarve dhe një sërë gjërash elementare që e ndrydhin mësuesin, ia rrudhin integritetin dhe arsimin e defunksionalizojnë gati plotësisht. Mungesa e një plani të mirëfilltë arsimor nga ana e Ministrisë së Arsimit e katandis shkollën tonë në një eksperiment të vazhdueshëm që sistematikisht i shkatërron vlerat mësimore, duke pamundësuar krijimin e një elite intelektuale nga shkollarët e sotëm, që janë fëmijët tanë. Në cilindo segment të arsimit që ndalemi, shohim para vetes vetëm zhgënjim, joseriozitet, ngecje, mungesë cilësie…, dukuri këto që vijnë nga politizimi I skajshëm I arsimit, nga mungesa e meritokracisë në vend dhe nga moskujdesi absolut ndaj elementit qenësor të një kombi, siç është arsimimi”, deklaroi Etemi.

Ai më tej ka shtuar se, mësuesi ynë është autoriteti më i nëpërkëmbur, në vend që të ishte kryeautoriteti sikurse denjon me rolin që ka.

“Mësuesit tonë I mungojnë mjetet themelore të zhvillimit të orës së mësimit, siç janë tekstet mësimore, të cilat o nuk i ka fare, o i ka plot gabime monstruoze që nuk e lejojnë të komunikojë lirshëm me nxënësin. Mësuesit tonë në shumë shkolla i pikon çatia, I rënohet suvaja e murit, I mungon fondi I mirëfilltë I librave të bibliotekës shkollore, I mungon hapësira për mësime kreative e orë plotësuese se duhet ngutur, pasi ende pa u ajrosur mirë klasa ia behin nxënësit e ndërrimit tjetër”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button