RMV, duhet të ndryshojë mënyra e vlerësimit dhe zgjedhjes së prokurorëve

Përzgjedhja, intervistimi dhe mënyra e vlerësimit të prokurorëve publik nga ana e Këshillit të Prokurorëve ka nevojë për revizion. Gjithashtu, pas përfundimit të procesit për ‘pastrimin’ dhe verifikimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve publik, duhet mbikëqyrje permanente edhe të prokurorëve edhe të gjykatësve nga ana e këshillave kompetent, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, duke përfshirë këtu respektimin e afateve, zgjatjen e procedurave, vjetërsimin e tyre dhe ngjashëm, shkruan Portalb.mk.

Këto janë disa nga çështjet të cilat duhet trajtuar me qëllim që të arrihen sado pak standardet e BE-së në këtë fushë. Ky është edhe një prej konstatimeve të ekspertëve të fushës në debatin online të zhvilluar nga Konventa Nacionale për BE në Maqedoni.

  • Është i nevojshëm revizioni në definimin dhe vlerësimin (pikëzimin) e intervistës për pranimin e kandidatëve të rinj në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, si dhe intervista për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik përmes këshillave kompetentë (Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë)
  • Pas përfundimit të procesit të të ashtuquajturit “pastrim”, verifikimi i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë duhet të kryhet në mënyrë të vazhdueshme nga këshillat kompetentë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore (respektimin e afateve, zgjatjen e procedurave, vjetërsimin etj”, janë dy nga njëmbëdhjetë konstatimet e ekspertëve të drejtësisë.

Ministri i drejtësisë, Bojan Maqriçiq thotë se mekanizmat dhe ligjet ekzistuese duhet të zbatohen që të arrihen rezultatet apo reformat e kërkuara, gjegjësisht se nuk ka nevojë për ligje apo mekanizma të rinj. Nga ana tjetër panelistët në debat ngritën pyetjen nëse me mekanizmat, ligjet dhe organet e vjetra mund të arrihen qëllime të reja.

Nikolla Tupançevski, profesor në fakultetin e drejtësisë ‘Justiniani i Parë’ në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi thotë se natyrshëm lind pyetja se nëse prokurorët zgjidhen apo rangohen, mbi çfarë baze do të bëhet një gjë e tillë.

“Nëse prokurorët zgjidhen ose rangohen, pyetja është se mbi çfarë baze do të bëhet një gjë e tillë. Mbi bazën e rregullores së vitit 2008 gjegjësisht të vitit 2010 ose mbi bazën e rregullores që nuk është sjellë akoma, kurse i vjetri nuk është aplikuar”, shprehet Tupançevski.

Sipas tij, Prokuroria Speciale Publike nuk ishte vlerësuar asnjëherë dhe se këto gjëra përbëjnë obstruksione në arritjen e qëllimeve. Prandaj, thotë ai të gjitha reformat apo mekanizmat e paralajmëruara duhet të sillen dhe veprohet sa më shpejt, pasi po shkelen të gjitha afatet.

Bojan Mariçiq, Foto: Ministria e Drejtësisë
Bojan Mariçiq, Foto: Ministria e Drejtësisë

Bojan Mariçiq u shpreh se ndodhen në hapin e një sistemi të shpejtë dhe efikas për vlerësimin objektiv të punës së prokurorëve dhe gjykatësve dhe kthimit të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, prandaj ky është edhe një prej synimeve kyçe në letrën e tij të mandatit. Mariçiq thotë se ndryshimet dhe reformat në sistemin e drejtësisë  duhet të bëhen me mbështetjen e BE-së si dhe me kontributin aktiv të aktorëve dhe pjesëmarrësve në proces.

Ndërkohë, sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, prokurorët zgjidhen nga Këshilli i Prokurorëve Publik.

“Prokurorët publik në Prokurorinë Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin dhe prokurorët publik në Prokurorinë Speciale Publike do të zgjidhen nga Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga radhët e prokurorëve publik të zgjedhur për katër vjet me të drejtë rizgjedhjeje”, thuhet në ligj.

Sipas Ligjit të Këshillit të Prokurorëve Publik të RMV-së, ky organ ka këto kompetenca:

  • i jep mendim Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për propozimin për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë,
  •  zgjedh dhe shkarkon prokurorët publik,
  •  përcakton ndërprerjen e funksionit të prokurorit publik dhe vendos në shkallën e dytë për procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve publik,
  •  vendos për përcaktimin e kryerjes joprofesionale dhe neglizhencës së funksionit të prokurorit publik,
  • monitoron punën e prokurorëve publik bazuar në vlerësimin e punës së tyre në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike
  • vendos për largimin e përkohshëm nga pozita të ndonjë prokurori publik
  • vepron pas ankesave dhe pakënaqësive të qytetarëve dhe personave juridikë për punën e prokurorëve publik
Foto ilustrim

Pra, jo pa qëllim ngrihet zëri mbi punën dhe mbikëqyrjen e prokurorëve nga ana e Këshillit, pasi ky organ ka kompetenca të gjëra mbi prokurorët.

Edhe në Strategjinë për reformën në sektorin gjyqësor për periudhën 2017-2022 me planin e veprimit të Ministrisë së drejtësisë, theksohet se është i nevojshëm evropianizimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë publike nëpërmjet futjes së standardeve evropiane ligjore, si dhe menaxhimeve dhe standardeve të tjera institucionale dhe procedurale në funksionimin e gjyqësorit, prokurorisë publike dhe avokaturës; përgatitja e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik për funksionimin e tyre në zonën e vetme evropiane të drejtësisë dhe zbatimin e vazhdueshëm të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe konventa të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, harmonizimin e ligjeve materiale dhe procedurale me ligjet e BE-së dhe harmonizomi me ligjet e shteteve anëtare të BE-së.

Veç kësaj, edhe në këtë Strategji thuhet se, duhet bërë rivlerësimi i funksionimit të institucioneve të caktuara, në veçanti Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, kompetencat kushtetuese dhe ligjore të të cilëve janë garanci për sigurimin e pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit dhe prokurorisë publike. Rishqyrtim i sistemit të vlerësimit e të kualitetit dhe efikasitetit të veprimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë; Forcimi i mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë përmes sistemit të vetë-rregullimit të shoqatave të tyre profesionale.

Gjithashtu, një nga drejtimet strategjike për sa i përket kësaj çështjeje, sipas kësaj Strategjie, është që vendimet e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publik për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik duhet të shpjegohen në  mënyrë të detajuar dhe të arsyetuar dhe të shpallet publikisht. Vlerësimi duhet të bazohet kryesisht në kritere cilësore dhe qëllime objektive të reja dhe të përqendrohet në aftësitë profesionale, integritetin dhe përvojën: ekspertizën profesionale (njohja e ligjit, aftësia për të zhvilluar procedurat gjyqësore, aftësia për të shqiptuar gjykime të arsyetuara), aftësia personale për t’u marrë me numrin e caktuar të rasteve për veprimin, aftësinë për marrjen e vendimeve, hapje ndaj teknologjive të reja), aftësitë sociale, p.sh. aftësinë për
të ndërmjetësuar dhe treguar respekt për partitë si dhe plotësim, posedim të shkathtësive dhe aftësive udhëheqëse për ata që janë në pozita ku janë të nevojshme.

Ndërkohë, bashkëpunimi i Prokurorisë me institucionet tjera për luftimin e korrupsionit është shumë i rëndësishëm që puna e tyre në luftimin e këtij fenomeni të jetë frytëdhënës.  Por, për aq kohë sa këta institucione kanë probleme të bredshme, nuk ka se si të ketë sukses të madh në luftimin e korrupsionit dhe padrejtësive.

Kjo fushë është e rëndësishme edhe për faktin se Kapitulli 23 për qasje në BE është pikërisht i pari që do të hapet dhe i fundit që do të mbyllet, çka e bën drejtësinë dhe funksionimin e saj kyç për qasje të plotë në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button