RMV, reforma në sektorin hekurudhor nuk ka, sasia e mallrave të transportuara vitin e kaluar u zvogëlua (infografik)

Vitin e kaluar, Hekurudhat e RMV-Transporti me trenat e mallrave ka transportuar 1.744.000 tonelata mallra, që është për gati 100.000 tonelata më pak se në vitin 2019. Kundrejt kësaj, në vitin 2020, me kamionë në vendin tonë janë transportuar 64.844.000 tonelata mallra ku janë përfshirë edhe ato transit, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror të statistikave. Transporti rrugor i mallrave është në dominim absolut, ndërsa trafiku hekurudhor në vitin 2020 mblodhi vetëm thërrimet kryesisht nga transiti i mallrave përmes vendit tonë, nga portet në Greqi në Evropën Qendrore dhe anasjelltas, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Transporti i mallrave

Gjendja e keqe e trafikut hekurudhor të mallrave nuk ka ndryshuar aspak gjatë krizës së koronës. Për dallim nga ulja drastike e numrit të udhëtarëve, Hekurudhat e RMV-Transporti ka shënuar rënie të lehtë të sasisë së mallrave të transportuara në vitin 2020. Megjithatë, për gjashtë vitet e fundit, trafiku hekurudhor i mallrave ka shënuar më pak se 2 milion tonë mallra të transportuara me tren, edhe pse në të kaluarën, për shembull, në vitin 2008, statistikat kanë regjistruar se me hekurudhë ishin transportuar më shumë se 4.2 milionë tonelata mallra.

Për dallim nga ky lloj, në vitin 2008 me transportin rrugor i mallrave janë transportuar 20 milionë tonelata mallra, ndërsa vitin e kaluar kjo sasi u trefishua. Arsyet për riorientimin e ekonomisë nga hekurudha te kamionët janë të shumta dhe janë për shkak të gjendjes së sektorit hekurudhor në vend. Maqedonia është i vetmi vend në Korridorin Hekurudhor 10 në të cilin ekziston monopoli nga operatori shtetëror hekurudhor në përdorimin e infrastrukturës hekurudhore, gjë që i bën trenat e mallrave jo konkurrues krahasuar me kompanitë e shumta në transportin rrugor.

Numri i lokomotivave dhe vagonëve për mallra, në pronësi të Hekurudhave të RMV-Transporti, është gjithashtu shumë i vogël për të përmbushur nevojat e kompanive. Kompania hekurudhore është e mbingarkuar me borxhe, të cilat deri në fund të vitit 2020 kanë arritur në rreth 58 milionë euro. Në vitin 2021 priten 7.6 milionë euro shtesë si humbje nga funksionimi, megjithëse Hekurudha e RMV-Transporti është e detyruar të shlyejë një pjesë të borxheve në vitin e ardhshëm.

Meta.mk” disa herë në të kaluarën ka shkruar se futja e problemit “nën qilim” nuk do të zgjidhë agoninë me humbësin më të madh të shtetit në vend. Vetë kompania hekurudhore në Biznes planin për vitin 2021 vë në pah se është e mbërthyer në borxhe, të cilat nuk shlyhen, normat e interesit po rriten dhe kompanitë e huaja hekurudhore po kërcënojnë të detyrojnë mbledhjen e detyrimeve të papaguara.

Qeveria aktuale ka premtuar se rrugëdalja nga kjo situatë do të kërkohet në përgatitjen e një studimi të ri të fizibilitetit, i cili duhet të përcaktojë nëse Hekurudhat e RMV- Transporti do të privatizohen ose reformat do të kryhen në një partneritet publik-privat. Sidoqoftë, një Studim i segmentimit të biznesit të Hekurudhave të RMV-Transport tashmë është hartuar verën e kaluar, nga firma italiane e konsulencës “Pricewaterhouse Coopers Advisory S.r.l”.

Ekspertët tashmë kanë paralajmëruar që nëse fillojmë negociatat e aderimit me Bashkimin Evropian, me hapjen e kapitullit “Transport”, ka mundësi që BE të kërkojë të liberalizojmë menjëherë tregun e shërbimeve hekurudhore, dhe nga kjo dëmin më të madh do ta pësonin Hekurudhat e RMV- Transporti. Për Serbinë tashmë kishte një kërkesë të tillë.

Përvojat e vendeve tjera tregojnë se shteti duhet të bëjë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë me borxhet e prapambetura të hekurudhës shtetërore, që të pasojë ristrukturimi i Hekurudhave të RMV-Transporti, në tre ndërmarrjeve të ndara: një që do të zhvillojë transportin hekurudhor të udhëtarëve, përfshirë zhvillimi i mundshëm i hekurudhës qytet-periferi të Shkupit, treni deri në aeroport etj., e dyta, që do të konkurrojë me ndërmarrjet private në transportin hekurudhor të mallrave dhe e treta, e cila do t’u ofrojë të gjitha kompanive mirëmbajtjen e flotës së lokomotivave dhe vagonëve në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button