Ç’po ndodh brenda së djathtës ekstreme të Evropës?

E djathta ekstreme e Evropës ka patur disa dështime kohët e fundit: Partia kryesore opozitare e Gjermanisë është nën vëzhgim për ekstremizëm. Franca shpërndau një grup rinor të krahut të djathtë, raporton VOA. Ekspertët thonë se këto grupe, krahas çështjeve të vjetra si imigracioni, po shfrytëzojnë probleme të tilla të reja si COVID-19 dhe po frymëzohen nga homologët e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Grupi francez i të rinjve, Identiteti i Gjeneratës, është bërë i njohur vitet e fundit për fushatat e tij të zjarrta. Mesazhi i tyre është i qartë: imigrantët nuk janë të mirëpritur në Francë.

“Ne thjesht po mbrojmë popullin francez dhe evropian që po vuan nën valët e njëpasnjëshme të imigracionit masiv”, thotë Jeremie Piano, zëdhënës i grupit.

Piano thotë se grupi përdor mjete paqësore për të shprehur mendimin e tij. Qeveria franceze e qendrës nuk pajtohet.

Këtë javë, ajo e shpërndau Identitetin e Gjeneratës, duke e akuzuar për gjuhën e urrejtjes, për faktin që sillet si një milici private dhe se mban lidhje me grupe ultra-të djathta me programe raciste dhe supremaciste të bardha.

Ekspertët thonë se Identiteti i Gjeneratës nuk është një grup terrorist apo milici e armatosur, por aktivistët besojnë se ai është gjithsesi një kërcënim.

“Ajo që na shqetëson më shumë është puna e tyre ideologjike, që nxit sjellje raciste dhe ksenofobe mes popullatës,” thotë Augustin Grosdoy, i grupit MRAP të Anti-Diskriminimit.

Edhe në Gjermani, partia e ekstremit të djathtë AfD, Alternativa për Gjermaninë, po e ndjen presionin. Agjencia e zbulimit të brendshëm e ka vënë atë nën vëzhgim, pas njoftimeve për lidhjet me ekstremistët e djathtë dhe si organizatë që paraqet kërcënim për demokracinë.

E djathta ekstreme e Evropës ka pasur deri diku edhe suksese muajt e fundit. Ajo ka marrë municion të ri, siç është reagimi i ashpër i publikut ndaj masave për koronavirusin, që shqetëson qeveritë e ndryshme.

“Ata mendojnë se e djathta ekstreme mund të përfitojë nga kjo pandemi e madhe. Jo vetëm për shkak të menaxhimit të keq të çështjes, por sepse pandemia ngjall frikë tek njerëzit, frikën se ky virus u soll në brigjet tona përmes globalizimit,” thotë Jean-Yves Camus i Fondacionit Jean Jaures.

Ish Presidenti Trump dhe ngjarja e 6 janarit në Kapitol gjithashtu kanë patur mbështetjen e krahut të djathtë në Evropë.

“Ne e pëlqejmë Trumpin. Ne përkrahim, për shembull, luftën e tij kundër imigracionit të paligjshëm. Por ne nuk jemi pro-Trump apo pro-Putin. Ne jemi thjesht pro-evropianë”, thotë Jeremie Piano.

“Shumë njerëz në të djathtën ekstreme franceze, brenda lëvizjeve më ekstreme, veçanërisht neo-nazistët, e shikojnë, do të thoja me zili atë që ndodhi në Kapitol më 6 janar. Ata thonë: ja, këta njerëz po përpiqen të përmbysin qeverinë dhe patën një farë suksesi. Sigurisht, ata do të dëshironin të bënin të njëjtën gjë, por nuk kanë forcë”, sipas Jean-Yves Camus.

Ndryshe nga SHBA, të mbash armë zjarri në Francë është jashtë çdo diskutimi. Gjithashtu, Camus thotë se grupet më ekstremiste të Evropës kanë mbështetje fare të paktë në publik.

Një shenjë e kësaj është se partia kryesore opozitare e Francës, Rassemblement National, e së djathtës ekstreme, është distancuar tashmë nga lëvizje si Identiteti i Gjeneratës, edhe pse e kritikoi shpërbërjen e saj.

Udhëheqësja e kësaj partie Marine Le Pen i ka hedhur sytë nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ekspertët besojnë se për të fituar, asaj do t’i duhet ta paraqesë partinë e saj si një parti më afër rrjedhave të qendrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button