RMV, jemi të kërcënuar nga përmbytjet dhe erozionet, ndërsa mbrojmë barnishta – kërkohet ligj i veçantë për Vodnon

Banorët e Shkupit janë në rrezik nga përmbytjet dhe erozionet sepse me këtë propozim mbrohet vetëm biodiversiteti, kritikojnë profesorët dhe organizatat e shoqërisë civile. Ata kërkojnë ligj të veçantë për Vodnon i cili do të sigurojë mbrojtje nga të gjitha aspektet dhe plan të qartë për menaxhim, raporton 360 shkallë, përcjell Portalb.mk

Qeveria të ndërprejë procedurën për shpalljen e një pjese të malit Vodno zonë të mbrojtur të kategorisë së pestë dhe të sigurojë mbrojtje gjithëpërfshirëse të integruar të Vodnos duke miratuar ligj të veçantë në konsultim me ekspertët, është kërkesa e mbështetur nga 38 shoqata dhe iniciativa civile të udhëhequra nga “E dua Vodnon” dhe “O2 Iniciativa”, sot edhe një herë e ekspozuan atë në një konferencë për shtyp ku folën ekspertë dhe profesorë universitarë.

Aktivistët kërkuan që pikëpamjet e ekspertëve të dëgjohen dhe të miratohet zgjidhje ligjore që nuk do të përqendrohej vetëm në mbrojtjen e biodiversitetit, por në mbrojtjen e përgjithshme të Vodnos.

“Në debatet publike kishte shumë vërejtje, por në çdo moment u injoruam dhe parashtrohet pyetja e madhe për transparencën e procedurës. Përpjekjet e të gjithë njerëzve që punuan shumë për Vodnon, për pyllëzim, formimin e kanaleve, kaskadat, e gjithë kjo shpërfillet në një procedurë të re për ri ruajtje. Ekspertiza është injoruar. A duam të na ndodhë përsëri diçka si rruga për në Qytetin e Diellit? Edhe në atë rast u shpërfill ekspertiza. Kërkojmë tërheqjen e kësaj procedure dhe kërkojmë një komision ndër-ministror të përbërë prej ekspertëve. Ministria e mjedisit jetësor formoi një grup teknik, ku kishte vetëm institucione, por nuk dihet se çfarë u diskutua, cilat janë vërejtjet dhe miratohet qëndrim vetëm nga sektori për natyrën, ndërsa aspekti natyror është vetëm një pjesë e vogël e mbrojtjes së Vodnos”, tha Tatjana Stojanovska nga “O2 Iniciativa”.

Shumë profesorë në Fakultetin e pylltarisë në Shkup janë kundër kësaj iniciative për ri-shpalljen e parkut-pyll Vodno si zonë të mbrojtur të kategorisë së pestë.

Profesoresha dhe prodekane e fakultetit, Makedonka Stojanovska, paralajmëroi se sipas mënyrës së planifikuar për zonim të Vodnos, në disa nga zonat, lejohen të gjitha llojet e aktivitetet.

“Ligji për mbrojtjen e natyrës ka për qëllim vetëm mbrojtjen e trashëgimisë natyrore, por duhet theksuar se termi trashëgimi natyrore, nëse marrim faktet që Vodno është pyllëzuar artificialisht, atëherë si mund të jetë ky pyll i ngritur artificialisht të jetë sipas Ligjit për mbrojtje të Natyrës , ku vlerësohen vlerat natyrore? Sipas këtij ligji për mbrojtje të natyrës, në secilin rajon të mbrojtur ekzistojnë katër zona të mbrojtura. Sipas propozimit të studimit ose zonimit të malit Vodno, në zonat për përdorim aktiv dhe të qëndrueshëm lejohen të gjitha aktivitetet. E përsëris, të gjitha llojet e aktiviteteve. Prandaj pyes se cili do të ishte ndryshimi nëse Vodno deri tani ishte park-pyll, ndërsa tani quhet zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë. Cili do të jetë ndryshimi në mbrojtjen e kësaj zone? Kjo është arsyeja pse shumica e profesorëve janë kundër kësaj nisme. A duam të mbrojmë biodiversitetin e Vodnos apo duam të mbrojmë Shkupin, infrastrukturën dhe qytetarët e Shkupit?”, tha Makedonka Stojanovska, prodekane e Fakultetit të pylltarisë në Shkup.

Kërkohet ligj i veçantë për mbrojtjen e Vodnos

Edhe aktivistët edhe ekspertët porositën se për mbrojtje efektive të Vodnos duhet patjetër të miratohet një ligj i veçantë sepse, siç thonë ata, mbrojtja e zonave natyrore duke respektuar vetëm një aspekt është e gabuar dhe mund të jetë katastrofike.

“Vodno duhet të mbrohet në mënyrë që nuk do të ulë vlerat e tij. Ne besojmë se në kushte të vakumit ligjor, e vetmja mundësi për zgjidhjen e kësaj çështje është miratimi i një ligji të veçantë, pasi tashmë kemi shembuj të tillë. Thelbi i këtij ligji është që ai të përcaktojë mënyrën se si duhet të mbrohet Vodno, sepse nuk është vetëm një zonë natyrore, por ka vlera shumë më të rëndësishme se sa ajo që është natyra. Në ligjin e veçantë duhet të përcaktohet që Vodno ka nevojë për një plan të integruar menaxhimi, jo plan për mbrojtje. A kemi nevojë për një Vodno të mbrojtur që do të jetë kërcënim për sigurinë e qytetarëve?”, tha Dusica Trpçevska Angjellkoviq nga Agjencia për planifikim hapësinor.

Në konferencën për shtyp, folësit kujtuan se në të kaluarën Vodno ishte pyllëzuar pikërisht për shkak të aspektit të sigurisë, për shkak të paraqitjes së erozionit dhe përmbytjeve.

Përfaqësuesi i Drejtorisë për punë hidrometeorologjike (DPHM), Vasko Stojov, kreu i Departamentit të hidrologjisë, vuri në dukje se vërejtjet që i kishin bërë ata në debatin publik në Vodno nuk janë marrë parasysh. Ai kujtoi disa katastrofa natyrore siç janë përmbytjet në Shkup nga 1951 dhe përmbytjet në Stajkovci nga 2016 dhe tha se Vodno duhet të trajtohet nga aspekti i mbrojtjes së sigurisë së Shkupit.

“Përmbytjet e rrëmbyeshme u shkaktuan nga shirat e rrëmbyeshëm në Vodno dhe shkaktuan një katastrofë. Pas kësaj, qyteti, shteti dhe qytetarët u mobilizuan dhe u miratuan akte të ndryshme dhe u ndërtuan kanale, zona kaskadë në mënyrë që të ngadalësohej shpejtësia e lëvizjes së ujërave. Vodno u lëvrua dhe u pyllëzua, për çka sot jemi krenarë. Vodno u trajtua më pas në mënyrë që të mbronte Shkupin. Sot nëse ngjitemi lartë, do të shohim kanale të lëna pas dore dhe një mal të lënë pas dore. Po flasim për ndryshimin e klimës. Mjafton të shohim të dhënat e DPHM dhe do të shohim që temperaturat e ajrit kanë tendencë të rriten, kjo do të sjellë më shumë avullim, do të sjell humbje uji dhe thatësira, por në të ardhmen ne presim jo vetëm thatësirë, por edhe shfaqje të shpeshtë të përmbytjet e rrëmbyeshme. Do t’ju kujtoj edhe katastrofën nga Stajkovci në vitin 2016. Kur dolëm në terren atëherë, pamë që shiu nëpër Vodno kishte shkaktuar gërmimin e tokës dhe së bashku me ujin ajo ka kaluar nëpër Vodno te poshtë, uji me atë forcë godet unazën duke shkaktuar një katastrofë të madhe. 23 jetë humbën. A mund të ishte parandaluar? Jo. Por duke miratuar akte të ndryshme të mbrojtjes së mirëmbajtjes, mirëmbajtje natyrore dhe biologjike dhe mbrojtje nga erozioni, një sistem më i mirë monitorimi do të kishte rezultuar në më pak humbje. 23 është një arsye për të dalë dhe luftuar për Vodno, që Shkupi të mbrohet nga Vodno dhe të miratojmë një ligj për këtë”, tha Stojov

Kritika planit për shpalljen e një pjese të malit Vodno një zonë të mbrojtur të kategorisë së pestë drejtoi edhe profesori i universitetit Ivan Blinkov.

Ai theksoi se banorët e Shkupit janë në rrezik nga përmbytjet dhe erozionet sepse ky propozim mbron vetëm burimet e tij natyrore dhe natyrën.

“Ajo ministri është për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, jo ministria e natyrës. A duhet që ne si qytetarë të Shkupit të jemi viktima të mbrojtjes së trashëgimisë natyrore. Çfarë është më e rëndësishme për ne, siguria ose mbrojtja e barnishtave, kërpudhave dhe një vendi të insekteve? Është e qartë se kjo është mosdije. Mosnjohje e gjërave”, tha Blinkov.

Ministria e mjedisit jetësor: Kategoria e pestë e mbrojtjes nuk parandalon miratimin e një ligji për Vodnon

Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor dje në një komunikatë për publikun theksoi se propozimi për mbrojtjen e Vodnos si zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë do të paraqitet në Qeveri dhe se miratimi i Vendimit nuk është pengesë për përgatitjen e një ligji të veçantë për Vodnon.

Rrjedhimisht, në përputhje me kompetencat, MMJPH, si një zgjidhje e rekomanduar për Qeverinë e RSM do të paraqesë Vendimin për shpalljen e një pjese të malit Vodno një zonë të mbrojtur në kategorinë V – zonë e mbrojtur me një ndryshim që do të mbulojë detyrimet dhe masat nën rregulloret e mbrojtjes nga erozioni e gjithashtu do t’i kërkojë Qeverisë së RMV-së të detyrojë autoritetet kompetente dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale që të përmbushin vazhdimisht kërkesat e rregulloreve të tjera përkatëse për të siguruar mbrojtjen e të gjitha zonave erozive në vend. Në të njëjtën kohë, MMJPH vë në pah se miratimi i Vendimit nuk është pengesë për përgatitjen e një Ligji të veçantë për Vodnon nga Qyteti i Shkupit ose ndonjë palë tjetër e interesuar, e cila pasi të hartohet do të jetë në gjendje të përfshijë edhe Vendimin e miratuar në përputhje me Ligjin për mbrojtje të natyrës”, thuhet në komunikatë.

Duke komentuar mbi këto aktivitete dhe kundërshtimin e sektorit joqeveritar dhe një pjese të madhe të publikut ekspert, Kryetari i Shkupit Petre Shilegov tha disa ditë më parë se ai gjithashtu do të insistojë në miratimin e një ligji të posaçëm për Vodnon.

“Ministria e mjedisit jetësor vazhdon konsultimet me institucionet dhe Qytetin e Shkupit. Ju e dini që unë personalisht angazhohem për një zgjidhje ligjore për të gjithë kompleksin, jo vetëm për Vodnon dhe Matkën, në mënyrë që niveli i mbrojtjes të jetë sa më i lartë që mundet. Ne gjatë gjithë kohës jemi në biseda edge me shoqatat qytetare dhe Ministrinë, mbase demokracia është më e ngadaltë, por është e rëndësishme të dëgjohet zëri i qytetarëve. Procesi është gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm dhe unë pres një zgjidhje me cilësi të mirë. Insistoj që të jetë një zgjidhje ligjore në mënyrë që të mos luajmë lodra me Vodno, në mënyrë që dikush të mos mendojë të bëjë përsëri ndonjë rrugë nëpër Vodno”, tha Shilegov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button