ShGM-ja ndau çmimet vjetore për gazetarët

Me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, sot u ndanë çmimet vjetore të SHGM-së, njofton Portalb.mk.

Çmimi “Krste Petkov Misirkov” për vepër jetësore iu dha gazetarit Aleksandar Çomovski, gazetar i njohur për një kohë të gjatë, i cili aktualisht është pjesë e emisionit “Utrinski Brifing”.

“Me punën e tij profesionale në pesë dekadat e kaluara, ai është një nga gazetarët dhe kryeredaktorët më të njohur në mediat maqedonase, duke promovuar vlera demokratike dhe duke respektuar standardet gazetareske, ai shënoi hapësirën mediatike në mënyrën e tij origjinale”, thuhet në njoftimin e ShGM-së.

Çmimin “Jashar Erebara” për gazetari hulumtuese e ndanë gazetarët Hristina Gjorgjievska për storjen “Mushkëritë e Kapura të Qytetit” e publikuar në platformën dixhitale “Vidi Vaka” dhe Jasmina Jakimova, Bojan Shashevski, Emilija Petreska dhe Daniel Evrosimoski për storjen në dy pjesë “Duke ndjekur gjurmët e Lisës dhe Filipces, rrëqebulli ballkanik që bashkoi tre shtete” dhe “Vrasësit e paprekshëm të rrëqebullit ballkanik”, publikuar në “Radio Mof”.

Storjet hulumtuese mbi temat e zgjedhura nga gazetarët, thonë nga ShGM-ja, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në vendin tonë dhe qëllimi i tyre është të rrisin vetëdijen ekologjike dhe për mjedisin e shëndetshëm tek institucionet kompetente si dhe tek çdo qytetar të vendit tonë.

Gazetari nga Kumanova, Reshat Ibraimi nga “News TV” me video storjen e tij “Fati i trishtuar i nuses nga Shqipëria” dhe kolegia Aleksandra Maksimovska nga MIA, gjithashtu korrespodente nga Kumanova me temën e saj “Njerëzit e padukshëm ligjorë nga Kumanova” ndanë çmimin për raportim për tema me rëndësi lokale dhe rajonale për vitin 2020.

Storjet e shpërblyera në mënyrë gjithëpërfshirëse përshkruajnë dhe përpiqen t’u afrojnë qytetarëve problemet me të cilat përballen qytetarët në vendet rurale dhe ato më pak të zhvilluara në vendin tonë.

Në konkursin publik këtë vit brenda afatit, kishte gjithsej 20 aplikime për çmime për të tre kategoritë, dhe anëtarë të Komisionit për ndarjen e çmimeve ishin gazetarët Mira Kostiq si kryetare e komisionit dhe Sashko Dimevski dhe Adnan Ajdari si anëtarë të komisionit. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë edhe këtë vit shpreh falënderim të madh për të gjithë gazetarët e interesuar si dhe për Dhomën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut e cila ndihmoi në sigurimin e fondeve për çmimet e këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button