23 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari në Prekaz të Drenicës

Sot bëhen 23-vjet nga rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij në Prekaz të Drenicës. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Për këtë arsye të gjitha paradat e FSK-së do të mbahen ne kazermat e saj dhe jo në qendër të Prishtinës sikurse është bërë zakon. Nuk do të mungojë edhe prania e autoriteteve si presidentja në detyrë Vjosa Osmani, kryeministri, ministra e shumë të tjerë përfshirë edhe të huaj.

“Ky aktivitetet bëhet në nder të 23 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë Dëshmorëve të Kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri”,  thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjithashtu në shkolla ora e parë do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

“Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore i kushtohet Epopsë së UÇK-së, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Përkujtimi i përjetshëm , për veprën dhe sakrificën madhore të FAMILJES JASHARI, për interesat e shenjta të kombit dhe të Atëmëmëdheut, është Amanet për brezat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button