fbpx

RMV, 500 nga 700 milionë euro nga eurobondi shkojnë për të paguar huatë e Stavreskit për projektin “Shkupi 20014”

Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se nga 700 milion, sa është vlera e Eurobondit të lëshuar ​​dje, do të tërhiqen vetëm 200 milionë euro, kurse 500 milionë eurot tjera do të shkojnë për të shlyer Eurobondin nga viti 2014, që pritet të shlyhet më 24 korrik të këtij viti, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.

Është eurobondi i tretë, që ka qenë i lëshuar nga ish ministri i financave Zoran Stavreski i qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe ishte me afat maturimi prej shtatë vjetësh.

Pasi mori 500 milionë nga Eurobondi në korrik të vitit 2014, Stavreski tha se shumica e parave do të përdoren për të financuar një numër të madh objektesh kapitale. Objektet kapitale në ndërtim e sipër në atë periudhë ishin objektet e projektit “Shkupi 2014”, si dhe autostradat Kërçovë-Ohër dhe Milladinovci – Shtip, por për ato shteti mori borxh te banka kineze.

Stavreski asokohe u mburr se e kishin arritur normën më të ulët historike të interesit prej 3.975 përqind dhe se kjo ishte “një shprehje e fortë e besimit të investitorëve në Republikën e Maqedonisë dhe politikat e saj ekonomike, si dhe situatën dhe perspektivat e vendit në përgjithësi”.

Besimi tha diçka të ngjashme sot, gjegjësisht se “ka një përmirësim të dukshëm në perspektivat e ekonomisë sonë dhe potencialit të saj me investitorët ndërkombëtarë”, por kësaj here për një normë interesi prej 1.625 përqind.

Stavreski menjëherë vitin e ardhshëm 2015 lëshoi edhe ​​një Eurobond, në vlerë prej 270 milionë euro me një normë interesi prej 4,88 përqind dhe ajo ishte shlyer vitin e kaluar. Stavreski në qershor të vitit 2016 dha dorëheqjen për shkak të problemeve shëndetësore dhe muajin e radhës pasardhësi i tij Kiril Minoski lëshoi ​​një Eurobond prej 450 milionë euro me një normë interesi prej 5,26 përqind dhe ai do të arrijë për shlyerje në vitin 2023.

Pas ndryshimit të qeverisë, ish-Ministri i Financave Dragan Tevdovski në janar 2018 lëshoi ​​një eurobond në vlerë prej 500 milionë euro me një maturim prej 7 vjetësh dhe një normë interesi prej 2.75%. Dhe ai u mburr se historikisht ishte norma më e ulët e interesit.

Fondet nga ky eurobond kishin për qëllim mbulimin e deficitit buxhetor, shlyerjen e borxheve të mëparshme, si dhe shlyerjen e pjesshme të parakohshme të eurobondit nga viti 2015.

Eurobondi i parafundit u emetua në maj të vitit të kaluar në vlerë prej 700 milionë euro me normë interesi prej 3.675 përqind. Edhe atëherë Ministria e financave deklaroi se “kjo tregon besimin e investitorëve në ekonominë dhe politikat e Maqedonisë”.

Parashikimet e Ministrisë së Financave tregojnë se borxhi i shtetit në fund të vitit 2021 do të jetë 53.2%, ndërsa borxhi publik është 63.4% i PBV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button