“Eco Guerilla” kërkon të hetohet projekti për ujësjellësin në Tetovë: Ka indice për korrupsion

Revizion të të gjithë projektit për ujësjellësin në Tetovë, kërkojnë nga organizata joqeveritare “Eco Guerilla”, kjo për shkak se qytetarët e Tetovës për 8 ditë ngelën pa ujë për pije dhe për nevoja tjera elementare, sipas kësaj organizate, ka indice për korrupsion gjatë procedurës së tenderimit dhe realizimit të projektit, shkruan Portalb.mk.

Nga “Eco Guerilla” falënderuan punonjësit e NPK “Tetova” të cilët sanuan defektet nga shkatërrimi i gypave dhe vendosën në pah faktin se kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ende nuk është deklaruar për këtë çështje.

“Falënderojmë punëtoret e NPK “Tetova” të cilët sanuan defektet nga shkatërrimi i gypave, si pasojë e rrëshqitjes së dheut në lokacionin e Leshnicës në Malin Sharr. Për fat të keq Kryetarja e Komunës së Tetovës, nuk ju drejtua tetovarëve të cilët mbetën pa ujë mbi një javë. Por qytetarët edhe ashtu nuk mund të presin seriozitet më të madh nga ana e saj, e cila asnjëherë nuk reflekton në momentin e nevojshëm” kumtuan nga “Eco Guerilla”.

Megjithatë, sipas kësaj organizate, faji për këtë defekt të madh nuk është tërësisht natyror, ata potencojnë se ka dyshime serioze për korrupsion gjatë procedurës së tenderimit dhe realizimit të këtij projekti.

“Në video shihet qartë – dyshimet janë për ndërtim pa standarde, ku edhe pse janë paraparë në projekt, në terren nuk janë vendosur mure mbrojtëse dhe preventivat tjera nga rrëshqitja e dheut. Ne kemi dyshime serioze për procedurat e tenderimit, që si zakonisht kanë prapavija koruptive dhe punët rezultojnë shkel e shko. Prandaj urgjentisht kërkojmë një komision hetimor nga Prokuroria, i cili do të bënte revizionin e gjithë projektit. Koha është për përgjegjësi, kultura e mosndëshkimit duhet të merr fund në shoqërinë tonë” kumtuan nga “Eco Guerilla”.

Ndryshe, me datë 23 shkurt për shkak të rrëshqitjes së dheut kishte shpërthyer tubi i sistemit të ri të ujësjellësit me të cilin Tetova furnizohet me ujë të pijshëm. Pas kësaj, qytetarët e Tetovës u përballën me mungesë të ujit dhe restrikcione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button