Pandemia ka zbehur thelbin e arsimit, vlerëson mësimdhënësi Shaqiri i cili këtë profesion e përjeton si mision të çiltër (VIDEO)

Dërrasa e zezë, shkumësi i bardhë, zhurma e nxënësve dhe interaktiviteti gjatë procesit mësimor, janë disa nga gjërat kryesore që i ka “rrëmbyer” modeli online i mësimit, i aplikuar për shkak të pandemisë. 7 marsi i këtij viti, një festë me simbolikë të madhe për kombin shqiptar, gjen shkollat me klasa të boshatisura, banka të zbrazëta, tingull të heshtur të ziles dhe pa brohoritjet e euforinë e nxënësve nëpër mesore e oborret e shkollave, shkruan Portalb.mk.

Gjërat të këtilla me të cilat mësimdhënësit shpesh herë edhe e asociojnë profesionin e tyre, kanë bërë që të zbehin ngrohtësinë e këtij profesionit po edhe raporteve mes nxënësve dhe mësimdhënësve, ku kontakti i vetëm mes këtyre sot është ekrani i pajisjeve elektronike.

Foto: Portalb.mk

Arsimtari i historisë në Shkollën Fillore Komunale, “Imri Elezi”, Mitat Shaqiri në një intervistë për Portalb.mk, tregoi për peripecitë të cilat i kanë hasur mësimdhënësit gjatë adaptimit me modelin e ri arsimor. Me dashuri të madhe e nostalgji ai flet për profesionin që ushtron, për ditët e para të karrierës së tij, duke bërë edhe paralele mes periudhave të ndryshme të arsimit, që nga sistemi i ish Jugosllavisë. Shaqiri i cili përgjatë disa dekadave që ushtron këtë profesion e ka përjetuar mësimdhënien si mision me një ideal dhe kauzë për të shpërndarë dijen te gjeneratat e reja.

“Kjo situatë na gjeti neve të papërgatitur. Ishte dita kur në mes të orës na erdhi urdhri për ndërprerje të mësimit dhe pa protokolle se si do të zhvillohet mësimi më tutje. Neve që e ndjejmë shpirtërisht profesionin e arsimit u goditëm goxha shumë që atë që duhej të përmblidhej në fund të vitit shkollor, në muajin prill dhe maj dhe të korrim bereqetin të cilin e kishim mbjellur gjatë vitit nuk mundëm ta realizojmë në atë formë të cilën ne e kishim paraparë. Muajt e parë përderisa u munduam të gjejmë zgjidhje për këtë situatë kaluan disi si në mjegull dhe në forma të ndryshme siç është platforma Zoom, me Viber. Për nxënësit të cilët nuk kishin kushte ishte e vështirë të vendosnim kontakte, megjithatë shpresojmë se arritëm të bëjmë diçka dhe nga hiçi të realizojmë diçka nga ajo që e kishim planifikuar”, tha Shaqiri për Portalb.mk, duke treguar për momentet e para pas ballafaqimit me pandeminë, kur ata u detyruan që të gjejnë zgjidhje alternative për procesin mësimor, që përjashtonte prezencën fizike.

Mitat Shaqiri, mësimdhënës

Ai tha se edhe përkrah asaj që kanë arritur që të adaptohen në një farë mënyre me modelin e mësimit online, ky sistem ka shumë mangësi, ndërsa një prej tyre është edhe mungesa e kushteve të një pjese të konsiderueshme të nxënësve, të cilët ende nuk kanë mundësi që të ndjekin mësimin online.

“Problem tjetër i veçantë i cili konsiderojmë se është pak më i rëndë është edhe problemi i sjelljes në këtë situatë, në të cilën edhe prindërit u gjetën të papërgatitur dhe ende nuk e kanë marrë këtë situatë serioze. Ata ende janë në pritje se e nesërmja do të jetë ndryshe dhe funksionimi do të jetë normal dhe kjo pritje u zgjat shumë dhe prezenca e nxënësve në pritje të kësaj është duke kaluar dhe jemi në fund të vitit shkollor dhe nuk i shihet kësaj situate fundi, ndërsa kemi shumë nxënës që ende nuk janë kyçur në këtë platformë dhe nuk përcjellin mësimin. Ka prej atyre që nga dita e parë, janë kyçur ata të cilët kanë kushte. Komunikimi direkt është forma më e mirë. Njeriu është qenie sociale dhe ka nevojë për komunikim dhe ka nevojë për situata në të cilat ai i plotëson të metat e veta. Pasojat e gjithë kësaj situate ndoshta do t’i shohim në të ardhmen, sepse nxënësit e humbin shoqërinë që të shoqërohen”, tha ai.

Mitat Shaqiri, mësimdhënës

Shaqiri më tej ka bërë paralele të arsimit me periudhën kur ai ka qenë student, duke thënë se atëherë ky profesion ka pasur vlerë dhe rëndësi shumë më të madhe, krahasuar me periudhën e tanishme.

“Kanë qenë profesorë të cilët nuk i janë nënshtruar asnjëfar shantazhi, presioni dhe kanë qenë në gjendje që të kundërvihen edhe fizikisht nëse duhet, vetëm të ruajnë pastërtinë e punës së tyre që kanë bërë, përkundër kësaj që sot profesorët janë të nënshtruar edhe ndaj presioneve politike edhe ndaj shantazheve edhe ndaj ryshfeteve dhe produkti është se shumë studentë me të cilët ballafaqohemi sot kanë vlera të diskutueshme profesionale. Profesioni i mësimdhënësit është misioni. Këtë profesion nuk e kam zgjedhur për të mira materiale, por si një mundësi për të dhënë kontribut në procesin e zhvillimit të popullatës tonë. Ky rrugëtim është i vështirë dhe është nisur me një ideal. Do të thotë, në këtë profesion duhet të kesh një qëllim ose të kesh një kauzë dhe kauza e periudhës të viteve 70’, 80’, posaçërisht pas demonstratave të vitit 1981, ka qenë një motiv plus për të gjithë të punësuarit në arsim që në një farë mënyre t’i kundërvihet asaj që ishte duke ndodhur me shqiptarët në vitet e 80’ dhe ishte krenari të qëndrosh në atë situatë të vështirë, deklaroi ai.

Duke folur për kohën aktuale, ai tha se një pjesë e tyre që ndjekin studimet si motiv të parë e kanë punësimin dhe të mirat materiale dhe mungon fatkeqësisht komponenti i idealit dhe kauzës dhe arsimin sot disi e bën të zbehtë dhe jofunksional  në krahasim me periudhën tonë.

“Ndoshta kjo është edhe qëllimi i programeve të sotme edhe nacionale edhe mbi nacionale, por mendoj se nuk e ka atë dashuri që e ka pasur në kohën tonë, përkundër atyre rreziqeve të mëdha që nxënësve u jemi munduar që t’u japim ligjërata të cilat kanë qenë të ndaluara, ndërsa ne rrezikonim dhe hynim në ujërat të cilat ishin të turbullta, por ishte një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe dhe ndjehem krenar për atë kontribut që jam munduar të jap”, tha ai.

Populli shqiptar feston 7 marsin, për të përkujtuar ngjarjen e rëndësishme kulturore dhe historike të hapjes së mësonjëtores së parë në gjuhën shqipe. Në këtë datë të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara dhe i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button