Protestë për ‘Dhomën publike’: Organizatorët kërkojnë që më 8 Mars gratë të lirohen nga puna, të marrin pjesë në marsh

“Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon”, nën këtë moto Platforma për barazi gjinore më 8 Mars do të marshojë për mbrojtje më të madhe të grave nga dhuna seksuale dhe ngacmimet, duke u përqendruar në skandalin me “Dhoma Publike” – grupet në të cilat në mënyrë eksplicite përhapen fotografi dhe të dhëna personale të grave dhe të miturve, njofton Portalb.mk.

Nga kjo Platformë në një komunikatë për publikun kërkoi nga punëdhënësit që të hënën më 8 Mars, t’i lirojnë punëtoret nga puna, nga ora 14:00 deri në 17:00, në mënyrë që të marrin pjesë në marsh.

“Çdo vit në 8 Mars, Platformapër barazi gjinore organizon marsh me qëllim që të përmirësojë situatën me të drejtat e grave. Këtë vit marshi do t’i kushtohet nevojës për mbrojtje më të madhe të viktimave në çështjen “Dhoma Publike” dhe ndjekjes penale të autorëve të dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual. Përmes marshit do të kërkohet mbrojtje sistematike dhe e qëndrueshme të viktimave në të gjitha rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, duke avancuar punën e institucioneve kyçe” thonë nga Platforma.

Pasi dhuna me bazë gjinore është problem që prek të gjithë shoqërinë, potencojnë nga Platforma, ajo është përgjegjësi e të gjithë aktorëve, ndërsa punëdhënësit duhet ta mbështesin këtë marsh duke lejuar gratë të marrin pjesë.

“Në këtë mënyrë, punëdhënësit do të paraqiten si aktorë me përgjegjësi shoqërore që qëndrojnë pranë grave- viktima të dhunës” thonë nga Platforma për barazi gjinore.

Dhuna ndaj grave gjithashtu ndikon në marrëdhëniet e punës, nga njëra anë, ajo paraqitet në mjediset e punës, më së shpeshti në formën e mobingut dhe ngacmimit, për të cilat punëdhënësit kanë detyrim të marrin masa parandaluese dhe mbrojtëse. Nga ana tjetër, shtojnë nga Platforma, dhuna ndaj grave ka një ndikim negativ në shëndetin e tyre, aftësinë për të punuar, angazhimin për punë dhe përparimin në karrierë, duke krijuar pengesa për pjesëmarrje të barabartë në tregun e punës.

“Marshojmë pasi një shtet që nuk vepron është një shtet që përdhunon. Marshojmë në mbështetje të të gjitha viktimave të grupit kriminal ‘Dhoma Publike’ dhe të gjitha viktimave të dhunës me bazë gjinore. Pas statistikave qëndrojnë gra. Marshojmë që t’i kujtojmë institucionet- Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë Publike se nuk do të ndalemi derisa t’i plotësojnë kërkesat tona”, thuhet në njoftimin për marshin e 8 Marsit.

Një marsh i ngjashëm u mbajt edhe më 3 shkurt. Protesta edhe atëherë u organizua nga Platforma për Barazi Gjinore.
Rasti “Dhoma e publike” ka të bëjë me publikimin e fotografive eksplicite të vajzave 12-13 vjeçare në rrjetin social Telegram. Fotografitë merreshin nga profilet publike si dhe nga bisedat private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button