Shoqatat ekologjike për projektligjin e Malit Sharr: Nëse i injorojmë hidrocentralet e vegjël, ata nuk do të zhduken

Shoqata Eko-vetëdija dhe Shoqata maqedonase e avokatëve të rinj, kanë reaguar për projektligjin e MMJPH-së për shpalljen e një pjese të Malit Sharr-park kombëtar. Sipas tyre,  Qeveria e ka miratuar Projektligjin, edhe pse i njëjti  nuk siguron mbrojtje nga problemi më i madh ekologjik i malit, hidrocentralet e vegjël, njofton Portalb.mk.

“Procesi i konsultimeve publike për Projektligjin për shpalljen e një pjese të Malit Sharr park kombëtar, në pjesën më të madhe u shënua kryesisht nga pakënaqësia e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për trajtimin e hidrocentraleve të vegjël në territorin e zonës së ardhshme të mbrojtur. Sidoqoftë, versioni i parë i Projektligjit, në përputhje me rekomandimet e Studimit për valorizim të Malit Sharr, përmbante rripa sigurie për hidrocentralet e vogla tashmë të ndërtuara. Në këtë mënyrë ato u trajtuan si një infrastrukturë që ka ndikim negativ në mbrojtjen e natyrës dhe për të cilën ekziston nevoja për të kufizuar ndikimin e tyre negativ”, thuhet në reagimin e shoqatave.

Në versionin e miratuar nga Qeveria, thonë ata, këto rripa sigurie nuk ekzistojnë dhe ekziston vetëm një rrip sigurimi për qendrën e skive Popova Shapka. I vetmi trajtim që marrin hidrocentralet e vegjël është si një infrastrukturë ekzistuese me interes publik mirëmbajtja e së cilës, sipas Projektligjit, mund të zhvillohet normalisht në të gjitha zonat e parkut.

Duke marrë para sysh faktin që sipas Ligjit për Mbrojtjen e natyrës, mbrojtja e natyrës përbën një veprimtari me interes publik, kurse Mali i Sharrit mbrohet sipas këtij ligji, është e paqartë se si infrastruktura që ka provuar se ka ndikim negativ në natyrë mund të ekzistojë dhe të funksionojë në të gjitha zonat e parkut, përfshirë zonën e mbrojtur rreptësisht.

“Ligjet që në vete përmbajnë terminologji, interpretimi i të cilave është i përgjithshëm, i paqartë dhe e komplikojnë gjerësisht procesin e zbatimit të tyre, nuk do të arrijnë qëllimin për të cilin janë miratuar. Në rastin konkret, ligjvënësi përdor termin interes publik, i cili duhet të interpretohet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e natyrës, pasi termi interes publik i përdorur në ligje të tjera mbulon aspekte të ndryshme të “interesit publik”. Nëse termat përdoren si interes publik, i sigurisë ose strategjik, është e nevojshme të përcaktohen në mënyrë që ligji të sigurojë me të vërtetë mbrojtjen e Malit Sharr, të parandalojë abuzimet dhe të përjashtojë mundësinë e kryerjes së aktiviteteve të ndaluara në zonat e mbrojtura”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, sipas tyre, është e paqartë se si erdhi një ndryshim i tillë në fazën e konsultimit. Shpjegimi i dhënë në Raport nga konsultimet e zhvilluara publike është se: “Përveç mbrojtjes së natyrës, është gjithashtu e rëndësishme të mirëmbahen objektet e përmendura, të cilat do të sigurojnë funksionimin e tyre të qetë. Duke u nisur nga fakti që uji i pijshëm, prodhimi i energjisë elektrike, si dhe mirëmbajtja e rrugëve është me interes kombëtar dhe lokal, ai do të jetë i pandërprerë […]. Prandaj, vendimi që objektet me interes publik, strategjik dhe të sigurisë mund të mirëmbahen në bashkëpunim me NP Mali Sharr dhe MMJPH pa marrë parasysh zonimin”. Në të njëjtin raport, shprhen tutje, të gjitha komentet dhe vërejtjet nga aktivistët dhe qytetarët janë dhënë në fillim dhe me emër dhe mbiemër, ndërsa komentet dhe vërejtjet nga komuniteti i biznesit, odat ekonomike, BNJVL-ja dhe komunat nuk janë aspak pjesë e raportit. Prandaj, nuk ka asnjë lidhje midis ndryshimeve të reja në ligj dhe kërkesave të palëve të konsultuara.

Ndryshimet, vlerësojnë shoqatat ekologjike, gjithashtu janë transferuar në Aneksin e Studimit për valorizimin e Malit Sharr, i cili përcaktoi zonimin e ri të parkut dhe hoqi rekomandimin për hidrocentrale të vegjël për vendosjen e rripave mbrojtë, diçka që u shtjellua gjerësisht në studimin fillestar.

“Përderisa mbrojtja e natyrës është interes publik, ndërsa lëndë e Projektligjit është pikërisht kjo, atëherë të gjitha aktivitetet tjera që kanë ndikim negativ në përmbushjen e objektivave të ligjit duhet të definohen qartë dhe të kufizohen. Zgjidhja e parë me rripa mbrojtës për hidrocentralet e vegjël ofronte kufizim shumë më të qartë dhe mundësoi mbrojtje më të mirë të Malit Sharr”, tha Davor Pehçevski nga Eko-vetëdija.

“Raporti i konsultimit publik i publikuar, të cilin e publikoi MMJPH në uebfaqen e saj nuk është në përputhje me rregullat për vlerësimin e ndikimit të rregullativit, pasi nuk përmban informacion të plotë për të gjitha mendimet e marra nga të gjithë palët e interesit,  pasqyrë e mendimeve të dhëna nga një palë konkrete e interesit, as shqyrtim të mendimeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve, të cilat nuk janë pranuar nga ana e ministrisë dhe shpjegime të arsyeshme për këtë”, tha Jasna Orovçanec Arangjeloviq nga Shoqata maqedonase e avokatëve të rinj.

“Një formulim i tillë i dhënë në Projektligjin e miratuar krijon precedent të rrezikshëm për të gjitha zonat që presin të deklarohen ose ri-proklamohen, ndërsa kanë problem të ngjashëm me projektet e dëmshme të infrastrukturës. Pasi projekte të tilla lejohen të ekzistojnë në zonat rreptësisht të mbrojtura, atëherë mbrojtja e natyrës humbet rëndësinë e saj. “ë gjitha zonat në pritje të mbrojtjes do të goditen edhe më shumë”, shtoi Ana Çoloviq Lesoska nga Eco-vetëdija.

Organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e mbrojtjes së natyrës janë decid se rripat e mbrojtjes që u propozuan fillimisht rreth çdo hidrocentrali të vogël në parkun e ardhshëm duhet të kthehen në Projektligjin për shpalljen e Malit Sharr- park kombëtar.

Ndryshe, edhe organizata e shoqërisë civile “Front 21/42”, tashmë disa vite në mënyrë aktive ka avokuar në ndërprerjen e projekteve për hidrocentrale të vegjël, veçanërisht në zonat e mbrojtura të Parkut Nacional “Mavrovë”, si dhe Malit të Sharrit. Ata, së bashku me 43 organizata të tjera, kërkuan në nëntor të vitit të kaluar një ligj për parandalimin e betonimit të lumenjve në Sharr, ndërsa nga ministri i Mjedisit Naser Nuredini kërkuan ta vendosë Malin Sharr nën mbrojtje të përkohshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button