RMV, për rehabilitimin e rrjeteve të furnizimit me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza urbane, na duhen 1.7 miliardë euro

Maqedonia e Veriut ka nevojë për të paktën 1.7 miliardë euro për të kënaqur vetëm disa nene të caktuar të dy direktivave të BE – Direktiva e Trajtimit të ujërave të zeza urbane dhe Direktiva për ujë të pijshëm, tha Jadranka Ivanova, shefe e programit “Mbështetje për Shqipërinë për negociatat e pranimit në fushën e mjedisit jetësor – Kapitulli 27” në konferencën e djeshme “Agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor si nxitje për mbrojtjen e ujërave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, që u organizua nga Instituti për politikë evropiane dhe Instituti për studime të komunikimit, si pjesë e fushatës… Kthjellohu!”, njofton Portalb.mk.

Si eksperte shumëvjeçare në fushën e resurseve ujore, ajo theksoi se në kuadër të Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor në vitin 2017 u bë një analizë, e cila tregoi se në vend duhet të ndërtohen 87 impiante për trajtim të ujërave të zeza, të cilat duhet të mbulojnë 98 përqind të të gjitha ujërave të ndotura urbane të gjeneruara. Pët këtë nevojiten 716 milionë euro dhe aty do të përfshihet edhe azhurnimi i rrjeteve të kanalizimit. 507 milionë euro tjera nevojiten për të zëvendësuar dhe mirëmbajtur sistemet ekzistuese të kanalizimeve, si dhe 180 milion euro për të trajtuar llumin nga impiantet e ardhshme të trajtimit.

Veç kësaj, për zbatim të i Direktivës së BE-së për ujë të pijshëm nevojiten minimum 520 milionë euro për sistemet e furnizimit me ujë në të gjithë vendin, ndërsa kjo përllogaritje bazohet në direktivën e vjetër të BE-së. Direktiva e fundit e BE-së, nga dhjetori i vitit 2020, kërkon kritere më të rrepta për sigurim të ujit të pijshëm përmes rrjetit publik të furnizimit me ujë për të gjitha vendbanimet, si dhe uljen e humbjeve të ujit të pijshëm në sistemet e furnizimit me ujë. Dhe zbatimi i kësaj direktivë do të kërkojë burime shtesë.

Jadranka Ivanova përmendi se Maqedonia e Veriut ka afat deri në 2041 për të zbatuar nenet e këtyre dy direktivave të BE. Në negociatat e pranimit me BE, vendi ynë do të ketë mundësinë në fushën e mjedisit të kërkojë periudha tranzitore, kështu që zbatimi i këtyre neneve mund të shtyhet për disa vjet pasi të bëhemi shtet anëtar i BE-së.

Megjithatë, Ivanova thekson se na duhet ndërgjegjësim në nivel politik dhe aktivitet i përkushtuar nga Qeveria dhe qeveritë lokale, sepse këto fonde na duhen vetëm për nene të caktuara të dy direktivave të BE-së.

“Do të theksoja se çështja e mjedisit jetësor bëhet prioritet sapo të fillojnë negociatat. Këtë e tregojnë përvojat nga negociatat e mëparshme dhe hapja e negociatave të pranimit, përfitimin më të madh e ka pikërisht kapitulli i mjedisit jetësor, i cili në të vërtetë mbart 70 përqind të të gjitha shpenzimeve që një vend i ka në procesin e negociatave”, tha Ivanova, duke theksuar se edhe Shqipëria ka pothuajse probleme identike me mjedisin jetësor.

Megjithatë, Ivanova vë në pah se vendi ynë nuk është aq i keq, por mjaft i mirë, veçanërisht në fushën e trajtimit të ujërave të zeza urbane.

“Nëse i realizojmë investimet për ndërtimin e impianteve të trajtimit për të cilat fondet tashmë janë siguruar nën IPA-2, përkatësisht në Tetovë dhe Manastir, si dhe impiantin e trajtimit në Shkup, ne do të sigurojmë të paktën rreth 50 përqind të ujërave të zeza të pastrohet me trajtim dytësor. Asnjë vend në proces të negociatave nuk ka pas përqindje të tillë të trajtimit”, tha Ivanova.

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij në konferencë tha se në vendin ton trajtohen vetëm 3 deri në 4 përqind të sasisë totale të ujërave të ndotura nga minierat dhe industria, ndërsa shumica e ujit të pa trajtuar shkarkohet direkt në tokë, lumenj, rezervuarë, liqene dhe kanalizime publike. Një problem po aq serioz, sipas presidentit, është nxjerrja e rërës, zhavorrit dhe gurit nga brigjet e lumenjve dhe liqeneve që në mungesë të kritereve të qarta dhe mekanizmave të kontrollit, siç tha ai, shndërrohet në shkatërrim të legalizuar de facto të shtretërve të lumenjve .

“Mbizotëron perceptimi se uji është një burim që mund të përdoret pafundësisht. Kjo qasje pa përgjegjësi është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh se 11 përqind e numrit të përgjithshëm të familjeve individuale në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë qasje në ujë të pijshëm,” tha Presidenti Pendarovski.

Hallkë e dobët në sistemin tonë, sipas Presidentit Pendarovski, është inspektimi, të cilin ai e vlerësoi si të parregullt dhe reaktiv, për shkak të paqartësive ligjore dhe kufizimeve buxhetore.

Sipas presidentit, ndryshimet klimatike i ndërlikojnë më tej problemet për shkak të faktit se vendi ynë është i vendosur në një nga rajonet më të lëndueshme në aspektin klimatik jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ai vuri në dukje situatën me Liqenin e Prespës si veçanërisht shqetësuese.

“Nëse nuk marrim masa afatgjata për të mbrojtur burimet ujore, shumë lehtë mund t’i humbasim ato në mënyrë të pakthyeshme. Prandaj, problemi me mbrojtjen e ujërave nuk është një çështje e politikave ditore, por një çështje ekzistenciale” tha presidenti Pendarovski.

Profesori Svetisllav Kërstiq nga Instituti i Biologjisë në Fakultetin e shkencave natyrore dhe matematikorenë Shkup theksoi se situata e ujit në vendin tonë nuk është aspak rozë.

“Fatkeqësisht, popullin jonë beson që nëse  ndonjë materie lëshohet në një ekosistem lumor, ajo zhduket,” tha ai, duke shtuar se ky besim ishte larg së vërtetës.

Profesori Kërstiq shtoi se ka ndotës të ndryshëm organikë dhe inorganikë që studiuesit çdo ditë i hasin në terren me pasojat e tyre katastrofike.

“Dua të theksoj se ndotja e ujit po kthehet si bumerang ndaj shëndetit të njeriut. Është fakt që përmendet rrallë”, tha Kërstiq.

Sistemet tona lumore, për pjesën më të madhe, janë regjistruar si ekosisteme të vdekura, pa jetë, me një akumulim drastik të elementeve të shumta mikrobike. Miratimi i legjislacionit evropian në vendin tonë është i pranishëm, por nuk ka zbatim të ligjeve. Problem i veçantë është monitorimi.

“Monitorimi është një nga aspektet kryesore që gjithashtu ka shumë mangësi dhe shumë paqartësi sistemore. Monitorimi duhet të na tregojë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Ne vetëm po regjistrojmë fenomene në mjedisin tonë, si humbja e ujit kurse nuk e dimë përse po ndodh”, tha Kërstiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button