“Pastrimi i papastërtive në gjyqësor”, Këshilli thotë se e kanë obligim, nuk e bëjnë për fushatë

Prej në fillim të vitit ka filluar procesi i ashtuquajtur i “pastrimit” në gjyqësor, me qëllim që të rritet përgjegjësia, llogaridhënia, transparenca dhe etika nga ana e gjyqtarëve. Ky proces erdhi pasi që në shumë raporte, por edhe në opinionin publik, gjyqësori ka pasur dhe vazhdon të ketë nivel më të ulët të besueshmërisë së qytetarëve, sigurisht për shkak se gjyqësori në vendin tonë vazhdon të jetë një prej pikave më dobëta të shtetit ku ata që duhet t’i vendosin prapa grilave shkelësit e ligjeve, “shpesh” kanë ditur ta “befasojnë” opinionin me vendime të anshme, jotransparente dhe të ndikuar nga qendrat e fuqive ose në shumë raste lëndët i kanë vjetërsuar nëpër sirtarë deri sa u ka skaduar “afati” me qëllim që të mos përgjigjen kryerësit. Por, Këshilli Gjyqësor thotë se këtë po e bën në vazhdimësi pasi që ia obligon ligji, a Ministria e Drejtësisë e vlerëson shumë të rëndësishëm për Qeverinë Qeverinë pasi që dëshiron që qytetarëve t’ua kthejë besimin në shtetin ligjor, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Drejtësisë, njëra prej iniciatorëve kryesor dhe shtytësve të premtimit qeveritar për pastrimin e gjyqësorit, thotë në bazë të metodologjisë së miratuar po rrjedh dhe se është shumë me rëndësi për Qeverinë.

“Procesi i kontrollit të punës së gjykatësve po rrjedh. Kontrollin e zbaton Këshilli Gjyqësor në bazë të metodologjisë së publikuar dhe planeve interne. Ashtu siç e dini nga fillimi i kontrollit janë shkarkuar disa gjykatës, për të cilët Këshilli Gjyqësor tanimë ka informuar. Ky proces, me metodologjinë e re ka filluar në fillim të vitit dhe do të zhvillohet në vazhdimësi. Ky proces është me rëndësi të madhe edhe për Qeverinë, pasi që qëllimi është përmirësimi i punës së gjyqësorit, a me atë kthimi i besueshmërisë së qytetarëve në shtetin ligjor”, thonë për Portalb.mk nga Ministria e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, “pastrimin” në gjyqësor, Këshilli Gjyqësor e vlerëson si procedurë normale të kontrollit dhe jo siç thonë ata si fushatë.

“Këshilli Gjyqësor i RMV-së ka obligim ligjor që t’i ndjekë gjykatat, gjykatësit dhe kryetarët e gjykatave. Atë e bën vazhdimisht dhe në kontinuitet, a jo vetëm si fushatë. Është përpunuar plan intern për ndjekje nga 1 janari i vitit 2021 deri më 31 dhjetor të vitit 2021 dhe Plan Aksional me komisione të themeluara. Të njëjtat janë publikuar dhe janë të qasshme në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Kërkuam qëndrim edhe nga Prokuroria, por prej atje nuk na dhanë përgjigje në lidhje me çështjen se si po rrjedh procesi i “pastrimit” në prokurori.

Si bëhet “pastrimi”?

Sipas metodologjisë për vlerësimin e punës së gjykatësit në bazë të plotësimit të kritereve kualitative për punë gjyqësore vlerësimi kryhet nëpërmjet kontrollit në 10 lëndë të gjykatësit të vlerësuar, prej të cilave 5 i zgjedh vetë ai, ndërkaq 5 të tjera zgjedhen në mënyrë të rastësishme nëpërmjet sistemit të automatizuar kompjuterik. Kontrollin e bëjnë komisionet e përbëra prej 5 anëtarëve të gjykatave të Apelit, gjegjësisht gjykatës më të lartë, a e informon Këshillin sipas mënyrës së rastësishme. Metodologjinë e plotë mund ta lexoni KËTU.

Gjithashtu vlerësohen edhe kryetarët e gjykatave, gjegjësisht do të merret parasysh transparenca e raporteve, realizimi i programit për punë dhe Planit Aksional, zbatimi i Rregullores së Gjykatës, funksionimi i sistemit për menaxhim me lëndët gjyqësore, kualiteti i vendimeve kualitative në administratën gjyqësore dhe marrëdhëniet me publikun dhe transparenca. Metodologjinë e plotë mund ta lexoni KËTU.

Metodologjia është miratuar më 21 dhjetor të vitit 2020. Prej atëherë deri tani për punë joprofesionale dhe keqpërdorime janë shkarkuar gjyqtarja supreme, Tatjana Mihajllova dhe dy gjyqtarët nga Gjykata e Ohrit

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button