“Monstra”, mbrojtja ka dorëzuar ankesë për paraburgimet

Mbrojtja në rastin “Monstra” ka dërguar ankesa për paraburgimet e Agim Ismailloviqit, Fejzi Azirit dhe Haki Azirit, ndërkaq Gjykata duhet të vendos brenda kësaj jave. Vendimet e shkallës së parë mbrojtja do t’i ankimojnë në Gjykatën e Apelit pasi që ta marrë zyrtarisht me shkrim aktgjykimin, njofton Portalb.mk.

Njërj prej avokatëve mbrojtës të të dënuarve në shkallë të parë për rastin “Monstra”, Naser Raufi, për Portalb.mk, sot deklaroi se kanë dorëzuar ankesa për vendimet e Gjykatës për paraburgimet e shqiptuara në ditën kur u shpall aktgjykimi, për shkak të dyshimeve për arratisje.

“Kemi dërguar të premten dhe presim që brenda kësaj jave të marrim përgjigje”, tha Raufi.

Mbrojtja ende nuk e ka marrë aktgjykimin zyrtar me shkrim, ndërkaq pasi ta pranojnë ata do ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit.

“Ende s’e kemi marrë pasi që ende nuk është shkruar, mund të shkojë një muaj apo 100 ditë, pasi që ta marrim zyrtarisht, prej asaj dite kemi afat 15 ditë për të dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit”, shpjegon Raufi.

23 shkurt, Gjykata Penale e Shkupit miratoi aktgjykim, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, të njohur në opinion si rasti “Monstra”, ashtu siç propozoi Prokuroria dhe i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.

Nën organizim të familjarëve të të dënuarve, 26 shkurt u mbajtën protesta në Shkup. Protesta filloi në Çair dhe destinacion kishte Qeverinë, por Policia vendosi disa kordonë policorë te Q.T. Mavrovasja për t’i ndaluar protestuesit për dhe reagim nga disa prej protestuesve të cilët i gjuajtën forcat policore me gurë dhe gjësende. Nga përleshja u lënduan njëmbëdhjetë policë dhe u sulmua ekipi i gazetarëve të MIA-s.

Për këtë, janë arrestuar 12 protestues, a për 5 persona është shqiptuar paraburgim. Paraprakisht më 29 janar, pasi Prokuroria i dha fjalë  përfundimtare dhe kërkoi të shpallen fajtorë të akuzuarit, familjarët dolën në protestë kundër prokurores Fatime Fetai.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, në gjykimin e parë janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësonin se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka materiale të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 miratoi vendim që lënda “Monstra” të shkojë në rigjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri mbeti në burg pasi që akuzohej edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët janë në Kosovë. Gjatë vitit 2015, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë disa herë ka kërkuar ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë dorëzuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button