fbpx

Freedom House rangoi Maqedoninë e Veriut si shtet pjesërisht të lirë, vazhdon drejtësia selektive (Infografik)

Raporti i fundit i Freedom House “Liria në botë 2021” e ka ranguar Maqedoninë e Veriut në grupin e vendeve pjesërisht të lira, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Hungaria. Me 66 pikët nga gjithsej 100 të mundshmet, vendi ka shënuar përparim të vogël në raport me vitin e kaluar, kur kjo organizatë ka vlerësuar të drejtat politike dhe liritë e qytetarëve me tre pikë më pak. Në periudhën nga viti 2017 deri më sot, Maqedonia e Veriut shënon përmirësim për 9 pikë dhe rangim më të lartë në listën e Freedom House, shkruan Portalb.mk.

“Qeveria majtiste ka qetësuar tensionet pas krizës parlamentare në vitin 2017 e cila paralizoi aktivitetin normal politik. Maqedonia e Veriut vazhdon të luftojë me korrupsionin, ndërsa mediat dhe shoqëria civile janë të kyçur në debat intensiv publik, gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe frikësim”, theksohet në rezymenë e Freedom House për gjendjen në shtet.

Edhe përkrah përparimit gradual, nga Freedom House më së shumti vërejtje gjejnë për sundimin e së drejtës në vend. Ndërkaq, mbeten edhe këtë vit vlerësimet e vitit të kaluar për transparencën, lirinë e shprehjes dhe korrupsionin në Maqedoninë e Veriut..

“Të drejtat e proceseve ligjore vazhdojnë të jenë të komprometuara nga korrupsioni dhe patronazhi brenda sistemit gjyqësor, në të cilin publiku ka besim të ulët. Ndërhyrja politike në punën e prokurorëve mbetet problem. Aplikimi selektiv i drejtësisë vazhdon gjithashtu, edhe përkrah asaj që Qeveria ka miratuar disa reforma në përpjekje për të përmirësuar gjendjen. Arrestimi i prokurores speciale në vitin 2019, po ashtu ka dobësuar agjendën e përgjithshme të antikorrupsonit të Qeverisë së LSDM-së”, thuhet në raport.

Në grupin e ngjarjeve kyçe në vitin e kaluar, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë vlerësuar nga Freedom House si konkurruese dhe kredibile, pas mbajtjes së të cilave LSDM formoi koalicion qeveritar me partitë më të vogla. Bllokada bullgare për fillimin e negociatave me BE-në është gjithashtu e përfshirë si moment kyç i vitit të kaluar, por edhe ndryshimet në ligjin për prokurori publike, për të cilat thuhet se kanë qenë të miratuara me ndryshime në dispozitat ligjore në momentin e fundit.

“Si pjesë e përpjekjeve për hapjen e negociatave me BE-në, në shkurt të vitit 2021, ligjvënënsit miratuan një masë që lejon transferimin e lëndëve nga ish Prokuroria Speciale në prokuroritë e zakonshme të shtetit, me disa kufizime kur bisedat e përgjuara mund të prezantohen si dëshmi”, qëndron në raport.

Raporti “Liria në botë 2021” Freedom House e emëron si “Demokracia nën rrethim”, me atë që tregojnë për rritjen e hendekut të demokracisë nëpër botë. Si asnjëherë deri më tani, në vitin 2020 dallimi në numrin mes vendeve të cilët kanë shënuar përparim dhe vendet të cilët kanë shënuar regres është 45. Sipas kësaj organizate, në 15 vitet e kaluara, numri i vendeve jo të lira është rritur nga 45 në 54, ndërsa ka rënë numri i vendeve të lira nga 89 në 82. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikë, gjithashtu thuhet se ka rënë për 11 për qind të pikave nga viti 2010 deri në 2020, nga 94 në 83 vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button