RMV, platforma për barazi gjinore paralajmëroi për 8 mars marsh protestues për rastin “Dhoma publike”

Platforma për barazi gjinore, më 8 mars, do të organizojë marsh protestues për të dërguar mesazh dhe t’u kërkojë institucioneve të sqarojnë rastin “Dhoma publike”. Marshi do të fillojë në ora 15:00 para Ministrisë për punë të brendshme (MPB) në rr. Dimçe Mirçev Nr. 9, hyrja kryesore dhe do të përfundojë te Parku Luftëtarja (Zhena Borec). Në të dy vendet do të drejtohen përfaqësuese të platformës, raporton Meta, transmeton Portalb.mk.

“Marshojmë sepse një shtet që nuk vepron është një shtet që përdhunon. Marshojmë në mbështetje të të gjitha viktimave të grupit kriminal Dhoma Publike dhe të gjitha viktimave të dhunës në bazë gjinore. Pas statistikave janë gratë. Marshojmë për të përkujtuar institucionet e Ministrisë së punëve të brendshme dhe Prokurorisë publike që nuk do të ndalemi derisa t’i plotësojnë kërkesat tona”, thonë nga platforma, duke shtuar se kjo çështje është shans për institucionet që të tregojnë se angazhohen për të drejtat e grave në praktikë, jo vetëm me deklarata.

Ata që duan të marrin pjesë në marshim janë të ftuar të vishen plotësisht me të zeza, si një shprehje e zemërimit dhe revoltës.

Më herët, Platforma mbajti një konferencë për shtyp para Prokurorisë themelore publike dhe një para Ministrisë për punë të brendshme, prej ku dërguan mesazhe se nuk do të ndalojnë së adresuari çështjen e zgjidhjes së rastit “Dhoma publike” dhe do të vazhdojnë të protestojnë , për sa kohë që PTHP dhe institucionet nuk japin rezultate konkrete për kërkesat e tyre, me të cilat do të tregojnë se më në fund po ndërmerren masat dhe se ato po realizohen.

Ata kërkojnë ndjekje penale të autorëve në rastin “Dhoma publike” dhe për viktimat e rritura në këtë rast, e jo vetëm për veprën “prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve”. Si dhe ndjekja penale për veprat: keqpërdorimi i të dhënave personale, ndërmjetësimi në prostitucion, rrezikimi i sigurisë ose përhapja e materialit racist dhe ksenofob përmes sistemit kompjuterik në varësi të rrethanave të çështjes.

Nga platforma kanë porositur se gjithashtu presin pastrimin dhe sanksionimin e policisë nga oficerët e policisë që kryejnë dhunë ndaj grave, kanë sjellje joprofesionale ose dështojnë të marrin masa.

Në fillim të këtij muaji, Platforma protestoi kundër rastit “Dhoma publike” dhe u bëri thirrje institucioneve të sanksionojnë autorët, të mbështesin viktimat por dhe të përfshijnë në ligj ngacmimet seksuale në internet.

Ndryshe, çështja me grupin “Dhoma Publike” është aktuale nga viti i kaluar. Disa vajza edhe atëherë denonconin abuzime me fotografitë e tyre, kurse publiku u tmerrua nga përmbajtja që shpërndahej atje, që e treguan anën e errët të grupeve të mbyllura në internet. Këtë vit, çështja u aktualizua sërish pasi vajza Ana Koleva e ndau publikisht përvojën e saj me ngacmimet seksuale në grupin “Dhoma publike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button