fbpx

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi planin për çrrënjosjen e korrupsionit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme miratoi planin për luftë kundër korrupsionit. Kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski gjatë prezantimit të planit “Aksion 21”, thanë se gjatë përgatitjes së këtij plani janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e institucioneve relevante vendore dhe të huaja, transmeton Portalb.mk.

Zaev deklaroi se, me këtë plan do të pengohet korrupsioni i Qeverisë dhe do të pastrohen mbetjet korruptive të regjimit të kaluar.

“Kemi vendosur mekanizma të qarta për bashkëpunim mes të gjitha institucioneve dhe i inkurajojmë edhe qytetarët edhe mediat të flasin qartë, publikisht dhe zëshëm. Ajo kontribuon për rend, drejtësi dhe disiplinë.  I kemi marrë parasysh seriozisht vërejtjet e raportit të fundit të Transparency International dhe i kemi integruar në këtë plan. Në këtë mënyrë i eliminojmë pengesat dhe vendosim sistem funksional që institucionet që ndodhen në radhët e para të luftës kundër korrupsionit”, tha Zaev.

Ai shtoi se, Qeveria dhe qytetarët janë në anën e njëjtë në luftën kundër korrupsionit.

“Plani ka për qëllim të pengojë korrupsion të qeverisë aktuale, por edhe të zbulojë dhe demontojë instalimet korruptive të qeverisjes së regjimit para nesh. Këto instalime kanë depërtuar deri në poret më të imëta të institucioneve. Ata e pengojnë funksionimin e sistemit, përfshirë edhe gjyqësorin. Jemi të vendosur dhe ka ardhur koha që t’i demontojmë në tërësi mbetjet e regjimit që e shkatërrojnë sistemin dhe ti ngrisim shërbimet që i shërbejnë ndershëm qytetarët”, deklaroi kryeministri Zaev.

Nikollovski sqaroi se, plani është përgatitur në bazë të të gjitha rekomandimeve dhe propozime nga institucionet kompetente, nga thirrja e shpallur publike për dorëzimin e propozimeve nga ana e organizatave joqeveritare muajin e kaluar, nga trupat e pavarur joqeveritar si dhe në bazë të të gjitha raporteve relevante vendore dhe të huaja

“Përforcohen mekanizmat e kontrollit rreth furnizimeve publike. Të gjitha institucionet publike duhet të përgatisin procedura të brendshme për zbatimin e furnizimeve publike në bazë të modeleve adekuate dhe specifikime për furnizime publike të Byrosë për Furnizime Publike. Përmes masave adekuate, do të aktualizohet dhe aplikohet konfiskimi i pronës si mekanizëm i sistemit për luftë kundër korrupsionit. Për këtë qëllim, në afat prej 3 muajve Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’i dorëzojë Qeverisë strategji për përforcimin e kapaciteteve për zhvillimin e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pronës. Paralelisht do të formohet edhe komision nacional, i cili do ta monitorojë zbatimin e kësaj strategjie dhe të aktiviteteve me çka do të përforcohet koordinimi mes institucioneve kompetente për hetim financiar në kohë”, tha Nikollovski.

Ai po ashtu theksoi se, në kuadër të këtij plani janë paraparë një sërë masash edhe në fushën e administratës publike.

“Administrata është fytyra e shtetit dhe detyrat duhet të zbatohen në mënyrë efikase, transparente dhe në kohë. I kemi detektuar pikat e dobëta në procedurat për punësime dhe avancimin e nëpunësve administrativë. Është në përgatitje e sipër përgatitja e zbatimit të rekomandimeve të organizatave joqeveritare vendore dhe të huaja në drejtim të ndryshimeve të dispozitave të nëpunësve administrativë”, deklaroi Nikollovski.

Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, prezantoi “aksionin 2021”, përkatësisht projektet që Qeveria do t’i ndërmerr gjatë vitit 2021 e që kanë të bëjnë me reforma thelbësore në vend.

Zaev premtoi se prioriteti i parë në kuadër të këtij plani do të jetë pastrimi i gjyqësorit, gjë që është paralajmëruar edhe në fillim të mandatit të Qeverisë. Zaev tha se aksioni për pastrimin e gjyqësorit do të zhvillohet në faza, ndërsa theksoi se do të rishikohen dosjet e gjykatësve dhe se çdo gjykatës do të vlerësohet për punën që ka për në fushën e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button