Në kaosin e trafikut, transporti publik në Shkup çdo vit e zvogëlon shpejtësinë (Infografik)

Me rreth 150.000 vetura dhe dhjetëra mijëra automjete të tjera që lëvizin në rrugët e Shkupit çdo ditë, transporti publik në kryeqytet po bëhet më i ngadaltë për udhëtarët çdo vit. Blerja e automjeteve të reja nga qytetarët gjatë viteve dhe parkimi i paligjshëm i makinave nëpër rrugë e rrit rrëmujën në trafik, që nga ana tjetër shkakton ulje të shpejtësisë komerciale të autobusëve në linjat prej qyteti në periferi të Shkupit, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2019, shpejtësia komerciale e autobusëve JSP-Shkup ka qenë 18,39 kilometra në orë. Krahasuar me një vit më parë, shpejtësia e udhëtimit të transportit publik nëpër kryeqytet u përmirësua pak, por për pesë vjet me radhë, në periudhën 2013-2018, ajo gradualisht u ul. Në vitin 2013, shpejtësia komerciale e autobusëve nga transporti publik i Shkupit ka qenë 19.65 kilometra në orë, tregojnë të dhënat e Raporteve vjetore mbi funksionimin e NQP-Shkup gjatë viteve.

Shpejtësia komerciale e autobusëve është një nga karakteristikat kryesore që përcakton interesin e qytetarëve për përdorimin e transportit publik gjatë udhëtimeve të tyre. Nëse autobusët vonohen në stacione ose koha e udhëtimit në linjat periferike rritet, atëherë qytetarët që përdorin transportin publik çdo ditë do të jenë më të interesuar të përdorin ndonjë mjet tjetër transporti (vetura, taksi, biçikleta, etj.) .

Statistikat tregojnë se së bashku me zvogëlimin e shpejtësisë komerciale të autobusëve, në Shkup me kalimin e viteve interesi për udhëtime me autobus është zvogëluar. Në vitin 2020, autobusët dhe transportuesit privatë të JSP transportuan 27,709,556 udhëtarë, që është pothuaj 30 milionë udhëtarë më pak, krahasuar me vitin 2019.

Edhe para krizës së koronës, transporti publik në Shkup për vite me radhë ka tendencë të zvogëlimit të numrit të udhëtarëve. Autobusët e JSP në vitin 2014 kanë transportuan 52.9 milionë udhëtarë, ndërsa në vitin 2019, Ndërmarrja e Transportit Publik ka regjistruar 44.2 milionë udhëtarë. Çmimi i biletave për përdorimin e transportit publik në Shkup nuk ka ndryshuar tashmë disa vite. Përveç këtij përfitimi, ndërkohë qytetarëve iu vu në dispozicion sistemi elektronik për pagesë së biletave, sistem për informimin e udhëtarëve në kohë reale për stacionet e autobusëve, mënyra të reja të pagimit të biletës, por të gjitha këto projekte nuk çuan në një rritje të numrit të udhëtarëve në transportin publik.

Qyteti i Shkupit aktualisht është duke punuar në dy risi, të cilat pritet të rrisin shpejtësinë e lëvizjes së udhëtarëve, por edhe do të sigurojnë lidhje më të madhe të lagjeve të Shkupit me linja të reja autobusi. Aktualisht, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po bën vlerësim të Studimit të ri të hartuar për linjat prej qytetit deri në periferitë në territorin e Shkupit. Linjat ekzistuese qytet-periferi kanë ndryshuar minimalisht në katër dekadat e fundit, edhe pse deri më sot qytetarët po kërkojnë lidhje më të mira midis pjesëve të caktuara të Shkupit me linjat e transportit publik.

Projekti i dytë i rëndësishëm është sistemi i autobusëve me shpejtësi të lartë (BRT-Shkup), për të cilin aktualisht është duke u përgatitur projekt ideor për futjen e linjës së parë nga Novo Lisiçe në Gjorçe Petrov. Shpejtësia e planifikuar komerciale duhet të jetë 19,2 km/orë dhe trase të veçantë të autobusit, fizikisht të ndarë përgjatë rrugëve të Shkupit, për të cilën zyrtarët e qytetit premtojnë që udhëtimi me autobus midis Novo Lisiçe dhe Gjorce Petrov do të zgjasë vetëm 35 minuta. Në të ardhmen, një linjë e tillë BRT do të ndërtohej nga Kisella Voda në Butel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button