RMV, deri sot janë regjistruar mbi 10.000 qytetarë- nuk është hakuar Aplikacioni, thonë nga EShS

Deri në orën 8 të mëngjesit të sotëm, janë regjistruar mbi 10,000 qytetarë nga jashtë, kurse fushata vazhdon akoma, kështu deklaroi për Kanal 5, drejtori i Entit Shtetëror për Statistika Apostol Simovski, njofton Portalb.mk.

Përndryshe, faza e parë e regjistrimit filloi dje, po numërohen mërgimtarët, diplomatët, të burgosurit dhe të pastrehët.

Ky aktivitet do të zgjasë deri më 21 prill, kur edhe zyrtarisht duhet të përfundojë regjistrimi, i cili do të fillojë më 1 prill. Pikëpamjet e qeverisë dhe opozitës mbeten të pandryshuara – të parët pretendojnë se shteti organizon regjistrimin sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, se është i domosdoshëm për vendin dhe në interes të të gjithë qytetarëve, ndërsa të dytët, se nuk është sipas standardeve statistikore , pasi siç thonë ata, ekziston mundësia e abuzimit. Problem shtesë për opozitën është që po zbatohet në kushtet të pandemisë. Tani për tani, vlerësimi i institucioneve kompetente është se përgatitja dhe fillimi i regjistrimit po zhvillohet në rendin më të mirë sipas rregullave dhe protokolleve të përshkruara nga institucionet kompetente.

Prej dje dhe në dy javët e ardhshme, do të regjistrohen 2.200 persona të dënuar dhe të paraburgosur në institucionet ndëshkuese-përmirësuese në territorin e Maqedonisë.

Enti Shtetëror i Statistikave përmes një kumtese mohon pretendimet e shpalosura në disa media, se kërkesa për regjistrimin e të huajve është hakuar, duke i vlerësuar informacionet e tilla si të pasakta dhe destruktive.

Njoftimi i plotë i Entit Shtetëror të Statistikave

  1. Lidhur me futjen e të dhënave përmes VPN-së, përkatësisht adresës së fshehur të IP, vetë përdorimi i një mjeti të tillë për futjen e të dhënave në Regjistrim konsiderohet në kundërshtim me Ligjin për Regjistrimin dhe Metodologjinë për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit 2021, dhe mund të jetë subjekt i sanksioneve, për shkak se përbën përfaqësim të rremë dhe futje të rreme të të dhënave.
  2. Me vetë futjen e të dhënave në këtë mënyrë, nuk do të thotë që ato automatikisht hyjnë në rezultatet e Regjistrimit, përkundrazi, të gjitha të dhënat e futura përmes aplikacionit i nënshtrohen verifikimit dhe krahasimit me bazën e të dhënave, me të dhënat që do të mblidhen me regjistrimin në terren të të gjithë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e gjitha, me qëllim të përcaktimit të vërtetësisë së të dhënave.
  3. Çdo informacion që vlerësohet se është i rremë nuk do të merret parasysh gjatë përpunimit dhe në të njëjtën kohë do të jetë shkelje e rregullave të Regjistrimit dhe është e dënueshme me ligj.
  4. Qasja në aplikacion nga jasht mund të arrihet vetëm me adresë IP. Hyrja nga Republika e Maqedonisë së Veriut është e pamundur, pikërisht sepse Aplikacioni është menduar vetëm për qytetarët e RMV-së që jetojnë jashtë RMV-së, por çdo shkelje e procesit të mbledhjes së të dhënave dënohet me Ligjin për Regjistrimin, gjegjësisht:

Sipas nenit 49 të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, “Ai i cili zhduk, fsheh, dëmton, ndryshon ose në formë tjetër i bën të dhënat e regjistruara në aplikacionin e regjistrimit të papërdorshme, do të dënohet me burgim të paktën tre vjet”.

  1. Gjatë regjistrimit të përdoruesit dhe gjatë çdo hyrjeje në të dhënat nga ana e përdoruesit, në aplikacion automatikisht shkruhet se nga e cila adresë IP janë futur të dhënat.
  2. Aplikacioni për vetë-regjistrim është në përputhje me Metodologjinë për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit të Popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021 dhe Udhëzimeve për vetë-regjistrimin e personave që mungojnë jashtë vendit, të cilat i sjellë drejtori i Enti Shtetëror të Statistikave (EShS).
  3. Me paraqitjen ne Aplikacion, përdoruesi regjistrohet dhe lë numrin e tij amë (EMBG), e-mail adresën, me të cilën verifikohet duke dërguar e-mail për verifikim dhe numrin e telefonit të përdoruesit.
  4. Para se të shkruhen të dhënat e regjistrimit në Aplikacion, përdoruesi zgjedh që pajtohet me Kushtet e Përdorimit, në të cilën theksohet si më poshtë:

“Pajtohem me të dhënat e mia personale të cilat mbledhen përmes këtij aplikacioni në përputhje me nenin 8 të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021 (” Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”nr. 19 /viti 2021) që të përpunohen nga Enti Shtetëror i Statistikave si kontrollues i të dhënave, dhe që si të agreguara (të dhëna e mbledhura) do të përdoren ekskluzivisht për: krijimin e politikave të zhvillimit, planifikimin makroekonomik, qëllime shkencore dhe të tjera kërkimore dhe statistikore (neni 2 paragrafi 1 i Ligji për Regjistrimin).

Njëkohësisht, të dhënat e mbledhura do të jenë të mbrojtura nga Enti Shtetëror i Statistikave përmes aplikimit të masave teknike dhe organizative në përputhje me rregulloret ligjore “.

  1. Të dhënat e mbledhura përmes Aplikacionit për vetë-regjistrim do të krahasohen me të dhënat nga baza para-regjistruese e të dhënave. Numri i personave të vetë-regjistruar përmes Aplikacionit për vetë-regjistrim nuk nënkupton automatikisht numrin e popullsisë rezidente të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
  2. Gjatë futjes së adresës, përveç rrugës, nuk janë të detyrueshme numri postar dhe banesa, pasi në disa vendbanime – fshatra nuk ekziston rrugë, numër dhe banesë.

Lidhur me shpalljen publike të të dhënave personale në media dhe në rrjetet sociale, konsiderojme se është shkelje e të drejtave personale të mbrojtura me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, për çka Agjencia duhet të veprojë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button