fbpx

Komuna e Çairit: Së shpejti do t’ia dorëzojmë Ministrisë së Transportit sërish kërkesat për garazhet në kate

Komuna e Çairit së shpejti  do t’i dërgoj sërish kërkesat Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për miratimin e planeve urbanistike për projektet e ndërtimit të dy garazheve në kate.

Këtë e ka konfirmuar në një përgjigje të dhënë për Portalb.mk, zëdhënësi i kësaj komune, i cili tha se, kërkesat fillimisht ishin kthyer nga ministria në fjalë, për shkak të disa problemeve teknike dhe jo se ato nuk kanë qenë në përputhje me ligjin.

“Komuna e Çairit ka bërë kërkesë në pajtim me procedurën e paraparë ligjore deri te Ministria për Transport dhe Lidhje për të marrë pëlqim për Planin Detal Urbanistik SSI 04 blloku 07 në të cilin janë paraparë garazhe në kate. Plani Detal Urbanistik është punuar plotësisht në pajtim me dispozitat e Ligjit për Planifikim Hapësinor. Vërejtjet e ministrisë kanë qenë vërejtje teknike dhe në pajtim me të njejtat tashmë është vepruar nga ana e përpiluesit. Gjatë këtyre ditëve të para të muajit mars, do të dorëzojmë sërish kërkesën e përpunuar”, thanë nga kjo komunë.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka kthyer mbrapsht kërkesat e Komunës së Çairit për planet e detajuara urbanistike për ndërtimin e dy garazheve në kate në territorin e kësaj komune, nga gjithsej katër sa ka premtuar. Këtë e ka konfirmuar për Portalb.mk zëdhënësi i kësaj ministrie, i cili tha se kërkesat i janë kthyer komunës, në mënyrë që të njëjtat të harmonizohen sipas ligjit të ri të urbanizmit. Kërkesat janë dorëzuar gjatë vitit 2020.

“Nga Komuna e Çairit gjatë vitit 2020 janë dorëzuar dy plane urbanistike SSI04 bllok 7 do të thotë një plan urbanistik dhe një plan urbanistik për bllok 8, ku janë planifikuar parcela ndërtimore me ndërtimin e garazheve në kate. Por, që të dy planet urbanistike i janë kthyer Komunës së Çairit nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, që të harmonizohen me aktet ligjore dhe nën ligjore nga fusha e planifikimit urbanistik. Do të thotë ata i kanë dorëzuar, por ne ua kemi kthyer që t’i harmonizojnë planet. Nuk janë dorëzuar përsëri. Do të thotë në vitin 2020 ata i kanë dorëzuar njëherë, kolegët tanë i kanë kontrolluar dhe dy planet duhet të harmonizohen me aktet e reja ligjore dhe nënligjore nga ligji për urbanizëm dhe për këtë i janë kthyer komunës që të përpunohen. Tani nuk e di nëse komuna i ka përpunuar, por nuk i ka kthyer përsëri në ministri”, deklaroi për Portalb.mk, javën e kaluar zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Në “Kontratën” e tij, Ganiu kishte parashikuar buxhet prej 1,156,293,957,00 denarë (18.8 milionë euro) për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Ai kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668,200 denarë, (2,8 mln euro) garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455,000 denarë (1.8 mln euro). Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169,857 denarë (12,7 mln euro) dhe 81,000,000 denarë (1,3 mln euro).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button