DIJA

Ime ëmë ka vdekur moti, ka pesë vjet që ka vdekur edhe njerka e tim ati. Unë e ime motër, Dija, tash jetojmë me gjyshin. Babai ka shkuar në kurbet në Vllajakë dhe nuk na është paraqitur me ndonjë letër. Pas vdekjes së gjyshes njerkë kuzhina dhe gatimet i mbetën në dorë motrës sime trembëdhjetëvjeçare, Dijes.

Ajo mundohej me ato duart e saj të njoma dhe me gishtat e hollë të bëjë çmos që gjella t’i përgjigjej shijes së gjyshit. Prandaj shpeshherë kërkonte ndihmë nga gruaja e kushëririt të gjyshit, një plake fisnike të cilës edhe sot, pas aq shumë vjetësh, nuk ia di emrin sepse e thirrnim nënë, se kështu u mësuam nga dy fëmijët e saj me të cilët luanim kur kishim kohë të lirë. Dhe, nëna e mësonte Dijen si tëhollohen petat dhe si bëhej kajmakçini, tamëlorizi dhe qofteja në formë topthash në lëng qepe,të cilat i donte  aq shumë gjyshi. Pastaj Dija vinte në shtëpi, i përvishte krahët e saj dhe niste ta bëjë drekën ose darkën. Ajo e investonte tërë qenien e saj në këto gjellëra, jo vetëm nga frika prej gjyshit i cili dinte ta hedhë gjellën nga dritarja me gjithë vorbë, me tenxhere ose me tepsi, po t’i kërcente pak teli, por këto gjellëra Dijes iu bënë frymëzim. Ishte një muzë që ia diktonte asaj të gjitha fshehtësitë, të gjitha notat e imta të cilat veprën e saj të shefit të pashpallur të kuzhinës e bënin simfoni që vetëm Dija e dëgjonte dhe, madje ishte në gjendje edhe ta këndonte. Melodia të cilën e këndonte Dija, kuptohet pa tekst, por me na-na-na ose la-la-la u,  ngjante atyre veprave gazmore të Moxartit që unë i dëgjoja kur isha vetëm ose me Dijen, sepse Gjyshi preferonte vetëm këngë kreshnike.

Dija e grinte qepën imët, imët. Pastaj e hidhte tëlyenin në fëltere dhe kujesej mos të digjej shumë. Pastaj qepët i derdhte brenda në tëlyen dhe e dinte çastin më delikat kur duhet ta largonte fëlteren. Kështu duhej. Duhej që qçdo gjë ta rrokte çastin e duhur, karpe diem, se po të mës bëhej ashtu gjyshi nuk do ta pëlqente gjellën dhe dihet, gjella do të përfundonte nga dritarja në oborr ku do të gostitej vetëm qeni ynë i  Sharrit, të cilit unë ia vura emrin Piter nga emri i Piter Fondës, të cilin e adhuroja nga filmat e atëhershëm me tema nga perëndimi i egër. Pastaj Dija e përsoste artin e saj të shefes dhe fuste edhe ndonjë fije tjetër bari që t’i japë gjellës pak aromë. Natyrisht edhe kjo bëhej me masë se po ta hetonte gjyshi e bënte reprizën e tij të pashije duke e hedhur gjellën. Këtë skenë të rëndë unë e urreja jo vetëm se hidhej gjella që e bënte me aq merak Dija, por edhe pse më dhembsej Dija, motra ime që aq shumë e dua, më digjte shpirti për të kur fyhej ashtu pas gjithë atij mundi të derdhur e pas gjithë asaj mjeshtrie .

Dija u mësua të bëjë edhe suxhuk, çfarë nuk e gjeje dot askund. Ajo kur e prisnim gulakun ose pastërmanë diku para kërshëndellave, ose siç thoshte gjyshi para ditës së lume, e zgjidhte mishin e shpinës. E grinte mirë me makinë dore për bluarje mishi, pastaj i bluante edhe qepët, një spec djegës dhe do harxhe të tjera që tash nuk më kujtohen. Pastaj i varte mbi koftor dhe e dinte saktësisht kur ishte gati suxhuku. Më kujtohej si skuqej prej mundimit duke rrotulluar dorëzën e makinës së mishit. Ajo kurrsesi nuk më lejonte t’i ndihmoja së paku kur e grinte mishin. Vazhdimisht kur i ofroja ndihmë, më thoshte: Lekë, puna jote është libri! Shko e mëso. Mjaft është që gjyshi më ka nxjerrë nga shkolla me një letër prej doktorit se qenkam marroqe. Ti mos iu shkep shkollës Lekë, vëllai im!

“Gjysh”, i drejtohej Dija me atë zërin e saj si të kanarinës, “suxhuku është gati. Është tharë”.

“Mirë”, ia kthente gjyshi me basin e tij të rëndë, do ta shoh pastaj”. Gjyshi bëhej se e di mirë kur është bërë suxhuku, por ai nuk i vinte dot Dijes as te gishti i vogël për këso punësh. Por, ai ishte sedërmadh dhe i mësuar që çdo gjë ta vulosë vet, madje edhe kur fliste ndër burra midis dymbëdhjetëshes.

Gjyshit s’i bëhej vonë për Dijen. Ai kur e shtron Dija sofrën dhe e thërret gjyshin:

”Gjysh, dreka gati”, ai vjen, ulet dhe e bën lutjen e të parëve tanë, që e kanë bërë para buke:

“Shtoji o zot të mirat në këtë sofër… Bekoje këtë oxhak”… Derisa lutej gjyshi e unë e Dija prisnim që ai të fillonte me kafshatën e parë, sepse ashtu e do zakoni, në prapavijë dëgjohet ndonjë këngë e e bukur popullore e Luçie Milotit. E shikoja Dijen dhe e dija se ajo nuk e ndiqte lutjen e gjyshit, por me mend e ndiqte Luçien dhe këndonte me të. Ndërkaq të dytë mendonin se si ky gjysh nuk na e tha një fjalë të mirë, se si s’e pamë një buzëqeshje të tij, por vetëm mrrolat e beydisshme.

Pastaj gjyshi e niste drekën me kafshatën e parë të bukës duke e ngjyer në kripë, sepse buka e kripa ishin të shenjta në viset tona të dymbëdhjetë bajraqeve. Pastaj hanim edhe ne. Pasi hante gjyshi shkonte në dhomën e vet ta bëjë një sy gjumë, por pas buke kurrë nuk harronte ta bëjë ritualin e të dredhurit të cigares, të ndezjes së saj me eshkë, me uror e me gur shkrepse. Në fund derdhej në mendime duke shikuar kah gryka e malit e cila imponohet me pamjen e saj epike. Sigurisht ka menduar për kohët kur si i ri ka  dalë në blerinë ku mblidheshin dymbëdhjetë burrat e fisit të shohë si bënin gara ata në të hedhur guri, në kërcim me tre hapa dhe me një hap. Ishte zakon që dymbëdhjetshi t’u japë hapësirë edhe të rinjve që të përgatiten për log. Pastaj binte të flejë. Kur zgjohej, zakonisht pas një ore, dëgjohej ai basi i tij:

“Dijeeee!” Dija më e dinte. Duhej shpejt t’ia bëjë kafenë. Shkonte në shtëpi të zjarmit, e shpupuriste hinin në vatër dhe e piqte kafenë, sepse gjyshi donte që xhezveja me kafenë e tij sade të vlojë ngadalë në prush.

Derisa Dija ia çonte kafenë gjyshit, unë mendoja si do të përfundonte diku larg motra ime diku pas shtatë malesh ku do të vendoste gjyshi ta martonte, pa e pyetur fare. Parasysh më dilte Dija që nga frengjia e kullës dilte orë e ças duke më pritur mua të shkoja ta marr e ta sjell  në të pamë në shtëpinë ku ishte lindur e ku nuk pa ditë të bardhë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button