ANALIZË: 40% e njerëzve me arsim të lartë në RMV jetojnë dhe punojnë jashtë vendit! (Infografik)

Zyrtarisht – regjistrimi i popullsisë në vend ka filluar. Më 1 mars, filloi regjistrimi i popullsisë jo-rezidente – njerëzit që janë jashtë vendit për më shumë se një vit, kryesisht diaspora. Operacioni statistikor që duhet ta “numërojë” popullsinë do të pritet me të dhëna shqetësuese, të cilat deri më tani janë komentuar “në heshtje” në publik. Një prej tyre që pritet të dalë në sipërfaqe është eksodi i “trurit”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ekziston një strategji për të parandaluar “ikjen e trurit” – a ka ndonjë efekt?

Trend i pandalshëm i largimit të kuadrit me arsim të lartë nga vendi. Në vitin 2010, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, 29.1% e njerëzve me arsim të lartë në vend u larguan për të jetuar ose për të punuar jashtë vendit. Nëntë vjet më vonë situata është përkeqësuar në mënyrë dramatike.

“Sipas të dhënave më të fundit dhe analizës së publikuar në vitin 2019, përqindja e kuadrit me arsim të lartë që jeton dhe punon jashtë vendit është tepër e lartë – pothuajse 40% ose më shumë se një e treta e kuadrit me arsim të lartë” – thuhet në analizën “Planifikimi i qeverisë – efektiviteti i masave qeveritare për trajtimin e rreziqeve të tregut të punës dhe mënyra e planifikimit të mjeteve për tejkalimin e tyre” të revizorët shtetërorë.

Portalb.mk tashmë i ka publikuar gjetjet kryesore të kësaj analize në lidhje me problemin e vështirë të “papunësisë së të rinjve”, si dhe papunësinë që është pasojë e krizës së Kovid-19, por ky hulumtim përmban vërejtje serioze për atë se a i zbatojnë institucionet masat për ta ndaluar “murtajën e bardhë”. Kështu, revizorët rikujtojnë se Ministria e Arsimit ka përgatitur Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Largimit të Kuadrit me Arsim të Lartë dhe atij Profesional 2013-2020, dhe për zbatimin e tij ishte përgatitur një Plan Veprimi deri në vitin 2014, por jo edhe deri në vitin 2020.

“Pas intervistave të zhvilluara dhe bisedave me personat kompetentë, revizioni nuk ka marrë informacione e as raporte për realizimin e qëllimeve të identifikuara dhe të aktiviteteve të strategjisë. Në këtë mënyrë, përkundër burimeve të investuara në përgatitjen e një dokumenti kaq të rëndësishëm strategjik për të zvogëluar largimin kuadrit me arsim të lartë dhe atij profesional, revizioni nuk mori prova se strategjia është zbatuar në praktikë dhe nuk ka marrë shpjegime për këtë” – theksojnë revizorët.

Për një vit – 5.000 njerëz të rinj raportuan se u larguan nga Maqedonia

Revizorët i përmendin institucionet që e regjistrojnë largimin e njerëzve jashtë vendit, përkohësisht ose përgjithmonë. Pjesë e këtij zinxhiri janë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Entit Shtetëror Statistikor. Kështu, potencohet se institucione të ndryshme kanë të dhëna të ndryshme për atë se sa njerëz me çfarë arsimimi u larguan nga vendi.

Këto të dhëna tregojnë se vetëm për një vit, Ministria e Punëve të Brendshme regjistroi 5.000 njerëz të rinj që raportuan qëndrim jashtë vendit – ose se janë larguar nga Maqedonia. Sipas Entit Shtetëror Statistikor, numri i qytetarëve të emigruar me arsim të lartë është rritur më shumë se katër herë brenda vetëm një viti. Pavarësisht nga fakti që të dhënat vijnë nga burime të ndryshme dhe janë matur sipas kritereve të ndryshme – epilogu është i njëjtë, numri i qytetarëve që largohen nga vendi brenda një viti rritet në mënyrë dramatike.

“Arsyet për ikjen e trurit përgjithësisht kanë të bëjnë me mundësitë e punësimit, rrogat më të larta, avancimin profesional dhe trajnimin, një të ardhme më të mirë për anëtarët e familjes, siç janë mundësitë për arsimin e fëmijëve dhe kushtet më të mira të jetesës dhe punës” – konkludojnë revizorët.

Në fund të muajit të kaluar, Agjencia e Punësimit regjistroi 13,262 të papunë me arsim të lartë.

Emigrimi i njerëzve me arsim të lartë po bëhet një problem serioz, i cili sipas analizave të revizorëve, e ndryshon tregun e fuqisë punëtore në vend, që rezulton me mungesën e kuadrit të arsimuar dhe të kualifikuar në ndërmarrjet e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button