Ahmeti: Janë tejkaluar të gjitha dallimet në BDI

Bashkimi Demokratik për Integrim të shtunën mbrëma ka mbajtur mbledhje të kryesisë qendrore me qëllim diskutimin mbi zhvillimet e fundit në ekzekutiv dhe brenda në parti, transmeton Portalb.mk.

Pas përfundimit të mbledhjes, nga BDI hedhin poshtë zërat për përçarje brenda partiake, duke i cilësuar ato si konspiracion në opinion.

Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti me këtë rast ka thënë se takime të këtij niveli gjatë muajve të fundit nuk janë zhvilluar si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe për këtë arsye ka pasur nevojë për debat e diskutim, me ç’rast sonte u sqaruan të gjitha dilemat dhe nuk i është lënë vend alibive të tjera.

“Nuk është çështje vendimesh, është një nevojë e kohës sepse vetë epidemia e shkaktuar nga COVID 19 e ka bërë të veten. Qëllimi ka qenë që opinioni të shoh drejtpërsëdrejti që Bashkimi Demokratik për Integrim është dhe do të jetë unik edhe më mirë i organizuar. Janë biseduar të gjitha çështjet, opinioni është i interesuar sepse ka pasur informacione të ndryshme në mungesë të takimeve për shkak të pandemisë, por i siguroj të gjithë se çdo gjë është sqaruar në këtë mbledhje. BDI është mirë e organizuar, sepse të gjithë ne jemi unik. Janë tejkaluar të gjitha dallimet mes nesh. BDI-ja është në binarët e duhur për të marrë përgjegjësi të reja. Nuk është biseduar as për një dorëheqje, por vetëm për përparime”, ka thënë  Ahmeti pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë qendrore të BDI-së.

Ahmeti komentoi edhe lidhur me protestën e së premtes për të cilën ka thënë se “hallexhinjtë po përdoren për qëllime politik” dhe që BDI ka inkurajuar gjithmonë, ka kërkuar hetime ndërkombëtare për këto raste dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën.

“E mira është që të mos keqpërdoren hallexhinjtë, mos keqpërdoren njerëzit në vështirësi. Ne kemi qenë gjithmonë në kontakte me njerëzit që kanë pasur halle dhe jemi përpjekur t’i vëmë në kontakt me të gjitha institucionet ndërkombëtare. Për të gjitha këto çështje kemi kërkuar edhe ekspertizë ndërkombëtare, monitorim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar. Kemi kërkuar për çështjen e protestave të djeshme një hetim ndërkombëtar me ekspertë të huaj të fushës, ku ka ardhur një përgjigje pozitive nga miqtë tanë amerikan, po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Po ashtu ka edhe instanca më të larta ku mund të ankimohet kjo çështje dhe për sa na përket ne, do të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë”, është shprehur kryetari Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button