Nxitja e opinionit maqedonas

Në shtypin në gjuhën maqedonase u shfaqën ide se më mirë një ligj të ri për gjendje të jashtëzakonshme se sa ventilatorë nga NATO-ja. Në rregull edhe ky mendim ka një farë logjike e cila lidhet me gjendjen e jashtëzakonshme në kohë kërcënimesh. Mirëpo, Maqedonia e Veriut (MV) ka nevojë shumë për ndihma nga jashtë në fushën e shëndetësisë ku respiratorët nga shtetet anëtare të NATO-s luajnë rol kritik në shërimin e pacientëve dhe ngritjen e standardeve shëndetësore të (MV)-së. Në fakt gjendja në shëndetësi dhe mungesa e mjeteve teknologjike është si pasojë e dështimit të strategjisë kombëtare dhe korrupsionit të madh me mjetet buxhetore dhe ndihmat e huaja.

  1. Në fillim të shkurtit të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë pranoi një donacion prej 60 pajisjeve të ventilimit. Donacioni u koordinua nga Qendra Koordinuese Euro-Atlantike e Reagimit të Fatkeqësive të NATO-s (EADRCC) me kontribute financiare nga Republika Çeke, Lituania, Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA. Po në tetor të vitit 2020, NATO-ja dhuroi 60 ventilatorë për MV duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përpjekjet e Shkupit në luftën me pandeminë.

Mbështetja ishte pjesë e paketës së përgjithshme të ndihmës kundër COVID-19 të NATO-s në angazhimet e MV-së për të adresuar saktë efektet e rënda të sëmundjes ngjitëse. Si një përgjigje ndaj krizës COVID-19, NATO-ja ka siguruar lehtësim të menjëhershëm për aleatët dhe partnerët në nevojë dhe pa ndonjë leverdi financiare. Deri më tani, tetëmbëdhjetë shtete anëtare të aleancës kanë bërë donacione financiare duke filluar nga pajisjet mjekësore dhe furnizimeve të ndryshme për “Fondin e Mirëbesimit të Përgjigjes Pandemike”. Aleatët kanë miratuar paketat e ndihmës jo vetëm për MV por, edhe për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor ku pandemia ka bërë gjunjëzimin e qeverive.

  1. Kur disa vaksina janë aprovuar nga Rusia dhe Kina, është vështirë që opinioni i shteteve të Ballkanit e sidomos i MV-së të bindet se ndihmat që vijnë nga BE dhe NATO janë të pakthyeshme dhe se ne vazhdojmë të “ushqehemi” nga vlera e euros dhe dollarit amerikan e jo nga rubla dhe juani kinez. Paraqitja e qëndrimeve të tilla nga zyrtarë të presidentit S. Pendarovski e vënë në dyshim angazhimin euro-atlantik të qeverisë e cila erdhi me premtime në vitin 2017 se do të punojë shumë në përmirësimin e klimës politike, etnike dhe ndërtimin e institucioneve euro-atlantike ku do të shfaqen qëndrime pozitive e që do të ndihmojnë opinionin maqedonas në veçanti të dalë nga kriza e mendimit pro rus.

Pakënaqësitë që mund të jenë të krijuara nga vonesa apo jo e vaksinave amerikane nuk mund të lidhen me qëndrimin amerikan për forcimin e institucioneve. Ajo që duhet të bëjë qeveria e MV-së tash e tutje është kanalizimi i propagandës qeveritare kundër aktorëve që vazhdojnë të mbajnë peng opinionin dhe mendim politik maqedonas se një ditë do të vijë Putini t’i shpëtojë nga armiqtë, BE nuk është drejtimi i duhur që duhet të ecë vendi dhe anëtarësimi në NATO nuk ka sjellë përfitime konkrete.

Nuk është e rastit që anketat e opinionit muajve të fundit shkojnë në disfavor të politikave pro atlantike të vendit, për arsye se qytetari maqedonas ende vlerëson se NATO dhe BE nuk bëjnë asgjë për MV në kohë të krizës globale. Aktualisht SHBA e ka furnizuar Armatën e MV-së me mjete që kalojnë mbi 160 milion dollarë dhe ky investim në ushtrinë maqedonase fundja është i frikshëm për shkak të keqpërdorimit të forcës kundër popullatën civile ose të një konflikti të brendshëm. Si anëtare e NATO-s, qeveria e MV-së duhet të punojë drejtpërsëdrejti me qytetarët maqedonas që vazhdojnë të mendojnë njëjtë si serbët se furnizuesi i tyre më i madh është Kina dhe Rusia.

Një opinion i tillë nëse do të lihet të zhvillohet do të paraqesë probleme shtesë për vetë MV në kuadër të proceseve euro-integruese. Do të ishte absurde për një vend kandidat për në BE dhe anëtare e NATO-s të ketë brenda vetes një përqindje të lartë të skepticizmit dhe mos informimit nga organet shtetërore se kush dhe sa investime ka bërë në MV, pra duke filluar nga BE, Kina, Rusia, SHBA dhe Turqia.

Është detyrë e qeverisë të artikulojë qëndrime dhe paraqesë të dhëna që shkojnë në favor të gjendjes aktuale. Në qoftë se shteti ende nuk është pastruar nga kuadrot e vjetar ruso-jugosllave këtë MV-ja duhet ta bëjë sa më shpejtë. Ndryshe sistemi i informimit qeveritar do të duket njëjtë si sistemi gjyqësor i kalbur.

Qytetarët maqedonas e kanë për borxh të informohen se kush është aleati i tyre i përhershëm si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Ka të ngjarë që përkundër ndihmave milionëshe të BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe shteteve mike të MV-së, ky humanizëm dhe investim i jashtëm të vazhdojë të profilizohet si sferë ku Perëndimi nuk bën asgjë për MV.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button