Presidenti armen refuzoi ta shkarkojë shefin e ushtrisë

Presidenti i Armenisë, Armen Sarkissian ka refuzuar që ta nënshkruajë vendimin për shkarkimin e shefit të ushtrisë, i cili më 25 shkurt u shkarkua nga kryeministri Nikol Pashinian, gjë që nxiti krizë politike, shkruan REL.

Sipas deklaratës së postuar më 27 shkurt në ueb-faqen e Presidencës, thuhet se Sarkissian e vlerësoi shkarkimin e gjeneralit Onik Gasparian si veprim jokushtetues.

Ky vendim i presidentit i jep Pashinianit afat prej pesë ditësh, ku brenda kësaj periudhe, kryeministri armen, mund ta dërgojë sërish te presidenti urdhrin për shkarkimin e gjeneralit.

Megjithatë, Pashinian, menjëherë pas këtij vendimi të presidentit njoftoi se ka dërguar sërish të njëjtën kërkesë te Sarkissian.

Pashinian shkroi në Facebook se vendimi i presidentit Sarkissian “aspak nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës”.

Tani, presidenti Sarkissian ka tri ditë afat për të nënshkruar urdhrin apo që këtë çështje ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në deklaratën e tij, Sarkissian theksoi se ai nuk mbështet asnjëherë palë sa i përket çështjes së shkarkimit të Gasparianit dhe shtoi se “Forcat e Armatosura duhet të mbajnë neutralitetin politik”.

Ndërkaq, gjatë një tubimi të opozitës të mbajtur në Jerevan, ish-kryeministri Vazgen Manukian, i cili është propozuar si person që mund ta zëvendësojë Pashinianin, tha se me këtë vendim, “presidenti qëndron përkrahë ushtrisë”.

“Shpresoj që të shohim deklarata nga policia dhe nga shërbimi kombëtar i sigurisë se edhe ata janë në anën e ushtrisë”, tha ai.

Pashinian tha se ai ka shkarkuar gjeneralin Gasparian, pas asaj, që ai cilësoi si tentim grusht shteti, për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Ushtria e Armenisë ka kërkuar dorëheqjen e Pashinianit lidhur me mënyrën se si ai ka menaxhuar konfliktin gjashtëjavor të vitit të kaluar në mes të Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene, mbi rajonin e Nagorno Karabakut.

Pashinian, koalicioni i së cilit ka shumicën në parlament, ka refuzuar kërkesën e opozitës që të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button