fbpx

RMV, faza e parë e regjistrimit të popullsisë fillon më 1 mars

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtorin e Zyrës Shtetërore të Statistikave, Apostol Simovski, prezantoi përgatitjet për fillimin e regjistrimit të popullsisë, Familjeve dhe Banesave, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nga 1 marsi, fillon regjistrimi në zyrat konsullore me regjistrimin e diplomatëve tanë dhe familjeve të tyre, në 15 ditët e para të marsit dhe fillon procesi i vetëregjistrimit të qytetarëve që janë pjesë e diasporës, pra, ata të cilët janë jashtë vendit, të cilët do të regjistrohen si popullsi jorezidente e shtetit. Ky proces fillon më 1 mars dhe do të zgjasë deri më 21 prill”, tha Osmani.

Ministri Osmani gjithashtu potencoi faktin se për herë të parë po kryhet një operacion regjistrimi në diasporë, i cili është një sfidë shtesë, por edhe një detyrim për të pasur një proces të suksesshëm.

“Lidhur me rëndësinë e regjistrimit nga këndvështrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, fakti që për herë të parë do të kemi të dhëna të sakta për numrin, strukturën dhe karakteristikat e caktuara të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë RMV-së do të japë një mundësi të shkëlqyeshme për planifikimin e politikave dhe shërbimeve tona që ne i sigurojmë diasporës, duke sjellë shërbimet tona më afër vendeve ku jetojnë qytetarët”, shtoi Osmani.

Procesi i vetëregjistrimit do të zhvillohet përmes aplikacionit në internet të përgatitur nga Zyra Shtetërore e Statistikave, për të çka në faqen e internetit të ministrisë së jashtme tashmë janë postuar linqet e duhura. Aplikacioni është në dispozicion në tetë gjuhë, përfshirë maqedonishten, shqipen dhe anglishten.

Në të njëjtën kohë, procesi fillon edhe për qytetarët e RMV-së që janë jashtë vendit, të cilët nga 1 marsi deri më 21 prill, ose në 50 ditët e ardhshme, në të njëjtën mënyrë, deri në aplikim, do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe detyrim qytetar.

Drejtori i Zyrës Shtetërore të Statistikave të RMV-së tha se vetëregjistrimi është një proces serioz, kompleks, por shumë i rëndësishëm i regjistrimit të qytetarëve të RMV-së që jetojnë ose banojnë jashtë vendit.

“Procesi i vetëregjistrimit do të kryhet përmes një aplikacioni në internet i cili është shumë i thjeshtë dhe i orientuar drejt përdoruesit, lehtësisht i arritshëm, që do të thotë se çdo qytetar i RMV-së jashtë vendit do të jetë në gjendje ta plotësojë atë me lehtësi në një kohë shumë të shkurtër, ndërsa kushti i vetëm është të identifikoheni me adresën tuaj të postës elektronike. Aplikimi është dedikuar ekskluzivisht për vetëregjistrim jashtë vendit, që do të thotë se qasja nga RMV është e çaktivizuar. Janë siguruar të gjitha masat që të dhënat personale të mbledhura përmes këtij aplikacioni të mbrohen maksimalisht nga çdo ndërhyrje e padëshiruar”, tha Simovski.

Siç informoi Simovski, pesë kategori të tjera të personave do të regjistrohen në periudhën nga 1 deri më 15 mars, dhe këta janë persona që janë në shërbim të Ushtrisë së RMV-së, në vend ose jashtë vendit, persona që janë në paraburgim ose ata që janë në vuajtje të dënimit me burg, institucionet korrektuese-ndëshkuese dhe institucione korrektuese-edukuese, si dhe të pastrehët.

Regjistrimi i popullsisë rezidente të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të kryhet nga 1 deri më 21prill të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button