fbpx

RMV, ministri Filipçe paralajmëroi që ardhja e vaksinave kineze mund të vonohet

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, sot, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, theksoi se është e mundur të prolongohet ardhja e vaksinave kineze për disa ditë, por që nuk pret vonesë të madhe, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ai tha se marrëveshja për vaksinën ruse është nënshkruar dhe se çdo ditë bisedojnë me përfaqësuesit e asaj kompanie.

“Bisedimet janë duke vazhduar edhe me kompanitë e vaksinave kineze dhe Pfizer. Mendoj se në pjesën e vaksinës kineze dhe Pfizer jemi në ditët e fundit kur po finalizohen çështjet e fundit. Por edhe këtë e them me kujdes, sepse shumë herë deri tani kemi menduar njëlloj, por që dilnin çështje shtesë. Kemi filluar negociata intensive për vaksinën ruse, ambasadori na ofroi që me kontaktet e tij personale të përpiqet ta përshpejtojë të gjithë procesin” tha Filipçe.

I pyetur nëse do të vaksinohej, ai tha se do të priste të kalonte grupi i parë i punonjësve shëndetësorë, pas së cilës do të merrte vaksinën. Ai gjithashtu informoi se deri tani janë vaksinuar rreth 2000 punonjës shëndetësorë.

“Vaksinimi tani po vazhdon në spitalet në të gjithë vendin. Pastaj vijnë laboratorët, pastaj mjekët familjarë, me çka do të përfundojë procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësorë që punojnë me kovid-pacientë”, tha ai.

Filipçe tha se për momentin ka një rritje të lehtë të numrit të personave të infektuar me koronavirus, gjë që e rrit faktorin R0.

“Nuk mund të jemi të sigurt nëse kjo do të jetë një trend dhe do të vazhdojë ose do të jetë mini valë që po ndodh këto ditë. Analiza e virusit tregoi se 70 për qind e të gjitha rasteve të diagnostikuara rishtas ishin pacientë të infektuar me llojin britanik të virusit. Këtë fundjavë situata në qytete të caktuara do të analizohet, veçanërisht në Kavadarci, Prilep dhe Ohër. “Në bazë të atyre analizave, ne do të shohim, dhe do të rekomandohen masa”, shtoi ministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button