Tetovë, borxhet dhe mbingarkesa me punëtorë nuk e ndalojnë komunën të punësojë, Arifi me deklarata kontradiktore

Komuna e Tetovës është e mbingarkuar me punëtorë përderisa është borxhliu më i madh mes komunave në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, kjo nuk përbën problem për autoritetet komunale të cilët të enjten votuan planin për punësim të 32 personave tjerë. Rikujtojmë deklaratën e kryetares Arifi se kësaj komune nuk i nevojiten më shumë se 150 punonjës edhe pse aktualisht ka mbi 400. Opozita në Këshillin Komunal me akuza se punësimet e fundit bëhen për shkak të zgjedhjeve lokale dhe jo sepse ka nevojë, shkruan Portalb.mk.

Të enjten në seancën e Këshillit Komunal Komunës së Tetovës në rend të ditës në mes të tjerash ishte edhe plani për punësime të reja, kryesisht në NP “Tetova”, bëhet fjalë për planifikim për punësim të 32 personave.

Ylber Jahiu, Komuna e Tetovës.
Ylber Jahiu, Komuna e Tetovës.

Përfaqësuesi i Sektorit për Resurse Njerëzore, Ylber Jahiu nuk potencoi saktë punën për të cilën planifikohet të angazhohen këta punonjës të ri, ai megjithatë potencoi se ndërmarrjet përkatëse kanë nevojë për këta punëtorë.

“Ne e kemi për detyrë ta përpilojmë planin, ky plan nuk është detyrues dhe nuk i obligon palët që ta realizojnë. Ndërsa për deklaratat e kryetares Arifi se nuk ka nevojë për punëtorë tjerë, kur do ta keni atë këtu, mund ta pyesni” u shpreh Ylber Jahiu, duke ju përgjigjur pyetjeve të këshilltarëve për planin e 32 punësimeve të reja.

12 milionë denarë në muaj ju kushtojnë taksapaguesve tetovar këta punonjës, këtë e konfirmoi kryetarja Arifi e cila një muaj më herët potencoi se “Nuk ka çfarë të bëje” për shkak se ashtu e ka trashëguar komunën.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Komuna e Tetovës është komuna që ka më së shumti të punësuar brenda administratës, numri i të punësuarve nuk është rrit shumë, tash jemi 420 vetë, çdo muaj nënshkruaj afër 12 milion denarë për pagat e punëtorëve. Është barrë e madhe por unë atë e kam trashëguar si të tillë, dhe logjika ime ka qenë që në qoftë se në tërë shtetin nuk ka pasur tendenca të prerjeve administrative apo fillimit të ndonjë procesi me BE-në, edhe pse me vështirësi, ne do ta mbajmë këtë sasi të të punësuarve me çmimin e lartë. Komuna e Tetovës është komuna e cila paguan më së shumti paga në nivel të shtetit” tha Teuta Arifi TV21.

Ndërkaq, deklarata e kryetares Arifi se “Komuna e Tetovës mund të jetë efektive pa problem me 150 persona të punësuar” bie në kundërshtim me planin e ri për punësime të reja dhe jo vetëm.

Përveç kësaj, pjesa më e madhe e personave që planifikohet të punësohen në Komunën e Tetovës janë paraparë për Ndërmarrjen Publike “Tetova”. Ndërmarrje kjo, që sipas informatave të cilat Portalb.mk i ka siguruar përmes Kërkesës për Qasje të lire deri te Informatat me Karakter publik, është ndërmarrja me më shumë të punësuar se të gjitha të sektorët apo ndërmarrjet tjera.

“Ndërmarrja më e madhe dhe me më shumë të punësuar në Komunën e Tetovës është NP Tetova” shkruan në përgjigjen e Komunës së Tetovës, për Portalb.mk një muaj më herët. Rikujtojmë se ndërmarrja e cila planifikon punësime të reja, në shtator mori kredi prej 26 milion denarëve nga bankat e vendit për të paguar punonjësit.

Këshilltarët e Lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE konsiderojnë se këto punësime bëhen për shkak të zgjedhjeve lokale

Këshilltari nga radhët e Lëvizjes BESA, Basri Mehmedalija, potencoi se punësimet e bëra viteve të fundit si dhe këto që planifikohen janë joracionale, ai propozoi sistematizim të punonjësve aktual në ndërmarrjet që ka nevoje dhe jo punësime të reja.

Basri Mehmedalija, këshilltar i Lëvizjes BESA.
Basri Mehmedalija, këshilltar i Lëvizjes BESA.

Komuna e Tetovës është e mbingarkuar dhe paguan më shumë paga për punonjës se çdo vend tjetër. Kjo shkakton reduktim të fondeve për projekte që do të përmirësonin jetët e qytetarëve. Në vend që të kemi investime kapitale në infrastrukturë apo diku tjetër, paratë e qytetarëve shfrytëzohen për punësime joracionale dhe miliona denarë në vit shkojnë për kompensime të pagave, që është një shumë e cila merr përmasa epidemike në buxhetin e qeverisjes lokale. Shpresoj që të mos e ngarkojmë më shumë buxhetin e Komunës së Tetovës por të bëhet sistematizimi i punonjësve aktual nëpër ato ndërmarrje në të cilat komuna ka nevojë” theksoi Basri Mehmedalija, këshilltar komunal.

Ndërkaq, sipas këshilltarit nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami, këto punësime bëhen për çështje politike, marrë parasysh faktin se jemi afër zgjedhjeve lokale të cilat janë paraparë të mbahen në fillim të muajit tetor.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Ky planifikim për punësime është kontradiktore me deklaratat e mëhershme për këtë temë të kryetares Arifi dhe me situatën aktuale ne komunë dhe nuk ka se si mos te dyshosh se këta punësime kanë karakter politik e jo te qeverisjes se mire, respektivisht te qenurit ne shërbim të qytetareve, pra zvogëlimin e numrit të të  punësuarve dhe hapjen e mundësisë për zhvillim dhe realizimin e projekteve për te mirën e përgjithshme” shtoi Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Komuna e Tetovës është borxhliu më i madh në shtet

Një prej premtimeve parazgjedhore të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte pikërisht ulja e borxhit komunal. Megjithatë, borxhi përveç që nuk është ulur, kjo komunë tashmë cilësohet si “borxhliu” më i madh prej gjithsej 80 komunave në vend, ndërsa për vetëm 3 muaj, Komuna e Tetovës ka rritur borxhin për 1,4 milionë euro.

Edhe pse nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë se kujt i kanë borxh, gjetjet e hulumtimit të “Scoop” më 21 janar 2021, në bashkëpunim me Institutin për të Drejtat e Njeriut dhe Medium, tregojnë se pikërisht kjo komunë është borxhliu më i madh prej gjithsej 80 komunave në vend.

Aktualisht Komuna e Tetovës ka të akumuluar një borxh prej gjithsej 9,4 milionë euro, menjëherë pas saj është Komuna e Ohrit me 6,7 milion euro kurse në vendin e tretë është Komuna e Karposhit me 5,2 milion euro borxh.

Thuajse të gjitha ndërmarrjet të cilat funksionojnë në Komunën e Tetovës janë të mbingarkuara me punëtorë dhe funksionojnë në humbje, kjo nuk e ka ndaluar asnjëherë Komunën e Tetovës që të publikoje shpallje të reja për punësim.

Rikujtojmë se edhe pse edhe Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” është një nga ndërmarrjet me më shumë punonjës në vend, nga kjo ndërmarrje disa muaj më herët publikuan shpallje për punësimin e 8 punëtorëve të ri, përkundër faktit që edhe kjo ndërmarrje sapo kishte marrë kredi prej 6 milion denarëve për të paguar punëtorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button