Një vit nga rasti i parë me Covid – 19 në RMV: Mbi 100 mijë të infektuar dhe 3,111 pacientë të vdekur

Me 101.214 të diagnostifikuar nga 512,692 të testuar, Maqedonia e Veriut sot e shënon një vit luftë me korona virusi. Nga fillimi i krizës së koronës janë shëruar 90,685 persona, 3,111 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërsa momentalisht ka 7,418 raste aktive, transmeton Portalb.mk.

Më 19 dhjetor 2020 u paraqit rasti i parë i korona virusit në botë në Wuhan, Kinë.

Rasti i parë në Evropë është regjistruar në Francë më 24 janar, ndërsa në Itali më 31 janar.

Rasti i parë i një shtetasi të Maqedonisë të infektuar me sëmundjen ishte një i punësuar në anijen “Diamond Princes”, ku më 4 shkurt është vërtetuar rasti i parë i infektuar. Në anijen e njëjtë kanë qenë edhe dy shtetas të Maqedonisë, të gjithë pjesë e ekipit.

Më 13 shkurt, Ministria e Shëndetësisë publikoi listën e rekomandimeve për mbrojtje të qytetarëve nga korona virusi, si për shembull larjen e domosdoshme dhe të shpeshtë të duarve dhe gjatë kollitjes apo teshtitjes të mbrohet goja dhe hunda apo të mos kollitet dhe teshtitje në pëllëmbën e dorës.

U formua Shtab i Krizës pas të dhënave të fundit për përhapje të korona virusit në Maqedoninë e Veriut, kur u mbyllën 11 qytete.

Nga 24 shkurti u skenuan të gjithë udhëtarët që udhëtonin nga Milano në aeroportet e Ohrit dhe Shkupit me linjat e rregullta të Wizzair.

Me vendim të Qeverisë, u kufizuar hyrja në vendet e zonave të krizës nga Italia veriore vetëm përmes aeroportet në Shkup dhe Ohër dhe vendkalimet kufitare Qafëthanë, Tabanoc, Bllacë, Bogorodicë dhe Deve Bair. Në aeroportet në Shkup dhe Ohër, masat u zgjeruan dhe filluan të skenohen të gjithë udhëtarët në pjesën e doganës.

Më 25 shkurt u publikua lista me 14 numra të telefonit për kontakt pas arritjes në territorin e Maqedonisë dhe për paraqitje për simptoma të dyshimta që ngjajnë me korona virusin.

Qeveria i urdhëroi të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe të gjitha universitetet që t’i anulojnë të gjithë udhëtimet e paraparë dhe ekskursionet në Itali. Qeveria u rekomandoi qytetarëve të mos udhëtojnë në Itali dhe në vendet e tjera ku është regjistruar prezencë më e madhe e korona virusit.

26 shkurt, është regjistruar rasti i parë i infektuar me korona virus.

6 mars një çift bashkëshortor nga Dibra doli pozitiv me korona virus, të cilët disa ditë para ishin kthyer nga Italia. Pas rastit të tyre, Dibra u bë vatër dhe u vendos në karantinë. Gruaja 66 vjeçare ndërroi jetë më 25 mars.

Më 9 mars numri i të infektuarve u rrit në shtatë. Njëra nga personat e infektuar ishte drejtoresha e atëhershme e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës, rezultati i së cilës ishte pozitiv pas kthimit nga pushimi në Itali.

Më 10 mars, Komisioni për Sëmundje Infektive rekomandoi mbyllje të kopshteve, shkollave dhe fakulteteve në 14 ditët e ardhshme. Komisioni rekomandoi të mbyllen të gjitha tubimet masive në ambiente të hapura dhe të mbyllura, të gjitha ngjarjet kulturore në nivel shtetëror dhe garat sportive, ndërsa personat më të moshuar të shmangin transportin publik. Komisioni rekomandoi të gjithë të punësuarit në shëndetin publik të lirohen nga aktivitetet e mëtejme të lidhura me procesin zgjedhor. Shkollat u hapën më 1 tetor, edhe atë me prezencë fizike vetëm për nxënësit nga klasa e parë në të tretën.

Pacientja e parë e infektuar me korona virua, u lëshua për mjekim shtëpiak më 16 mars.

Presidenti Stevo Pendarovski më 18 mars shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Një grua 57 vjeçare nga Kumanova ishte rasti i parë i vdekjes nga korona virusi më 22 mars.

Ora policore si masë kundër përhapjes së korona virusit u vendos më 22 mars. Ora e parë policore ishte nga ora 21 deri në 06.

Numër më i madh i të vdekurve është shënuar më 30 nëntor 2020, kur kanë ndërruar jetë 40 pacientë.

Kulmi i epidemisë në vend ishte më 17 nëntor, kur në një ditë u regjistruan 1,400 raste të reja.

Nga rastet që janë hulumtuar nga epidemiologët, te 17.126 apo 23,7% nga personat e diagnostifikuar, nuk janë regjistruar simptome të sëmundjes.

Nga rastet që janë hulumtuar nga epidemiologët janë regjistruar 412 raste të grave shtatzëna, prej të cilave 58 kanë qenë të shtruara në spital. Nga numri i përgjithshëm i grave shtatzëna të regjistruara me korona virus, 119 janë raste pa simptoma.

Janë regjistruar 3.439 raste të sëmundjes mes punonjësve shëndetësor.

Sa i përket gjinisë, janë 50.575 raste te meshkujt dhe 48.833 te femrat.

Mosha e të infektuarve lëviz prej 0 deri në 101. Numër më i madh i të infektuarve janë të moshën mbi 60 vjeç.

Vaksinimi kundër Covid -19 në vend filloi më 17 shkurt 2021, ndërsa në fazën e parë janë punonjësit shëndetësor të cilët punojnë me covid pacientë. Vaksinohen me mbi 8000 doza vaksina të Pfizer, e cila është marrë si donacion nga Serbia.

Akoma nuk dihet se kur do të fillojë imunizimi i përgjithshëm i popullsisë sipas Planit Nacional, pasi edhe përskaj që janë siguruar rreth 1 milion doza vaksina nga prodhues të ndryshëm, nuk ka datë konkrete për dërgesën e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button