Pasqyrat brenda shtëpisë

Para disa vitesh kam njohur një lloj arti krejtësisht të veçantë, guximtar dhe të ri në hapësirat e arit shqiptar. Është fjala për grafikat e artistit Luran Osmani. E ndjeva se duhet thënë ca fjalë, duke marrë për analizë katër grafika të tij nga cikli “Shtëpia”.
Sapo përmendim fjalën shtëpi, tek të gjithë ne krijohet një lloj ndjenje, qoftë kjo ndjenjë rehatie ose bezdisje, dhe kjo ndjenjë na paraqitet si rrjedhojë e kujtimeve që na lidhin pikërisht me atë vend.
Shtëpia është njëri prej identiteteve njerëzore. Të paktën, për gjithsecilin individ është njohja e parë që mësojmë për “botën”. Është realiteti që na lidh me veten. Shtëpia ka rëndësinë parësore në jetën e njeriut; streha, kulmi dhe ngrohtësia; por, a është ky përkufizimi i vetëm dhe i saktë për shtëpinë?

Këtë nuk e thotë asnjë nga ne. Shtëpia është aq intime, një lloj sekreti që gjithsecili nga ne e bart në veten e tij, një lloj tempulli, një botë e veçantë dhe e fshehur nga historia dhe tjetri.

Shtëpia është pesha e përhershme që e bartim mbi ne. Dalja jashtë shtëpisë, është dalja jashtë zguallës sonë që krijojmë rehatinë e përkohshme, por shpesh ireale. Grafikat siç mund t’i shihni, në pamjen e parë kanë atë elementin identifikues, thjeshtësinë e vijës, që lejon gjetjen e kuptimit të parë mbi figurën që paraqitet. Por, te grafika e parë, e titulluar “Shtëpia e Universit”, ne shohim që dritaret e shtëpisë janë zhvendosur në një hapisirë tjetër, të pazakontë për shtëpinë tonë reale.

Pra, këtu dalin në pah dy elemente. Drita dhe Errësira.

This slideshow requires JavaScript.

Errësirën e kemi Brenda shtëpisë (në mungesë të dritareve), dhe në anën tjetër ekziston drita, të vetëdijshëm në ekzistencën e saj, te pjesa mbi dritaret. Por çuditërisht, artisiti këto elemente, pra, dritën dhe errësirën i mban të lidhura midis me anë të një vije të hollë, gati të tejdukshme. Këtu pyetemi: Cila është kjo vijë, që e mundëson këtë lidhje midis dy botëve? Njeriu? Hapja e mendjes? Apo pranimi i të dy realiteteve si një i vetëm?

Artisti, po guxoj të shkoj dhe më larg, gjithashtu e paraqet si një lloj loje që luan midis dy elementeve, dritareve dhe mureve, që lejon vendosjen dhe zhvendosjen e dritës aty ku dëshiron ai. A është kjo vijë, Mohim a Mosshkëputje? A është vetë njeriu i cili nuk ka aftësinë dhe nuk ia lejon vetes identifikimin e tij, jashtë këtyre rregullave e perceptimeve të mendjes njerëzore? Por a na lejohet të mendojmë se kjo vijë që i mban lidhur me njëra-tjetrën është vetë njeriu që e ka të rëndë shkëputjen nga tradita?
Shtëpia është një lloj pasqyre që na lejon të shohim vetëm shëmbëlltyrën tonë, një lloj realiteti në të cilin realiteti jashtë saj është i diskutueshëm dhe peshon shumë pak, në krahasim me peshën e mureve që bart ajo.

Përderisa letërsia ec në bazë të një vije që është koha, dhe bart lexuesin e saj në një hark kohor, që e lidh me të ardhmen dhe të shkuarën, a me një realitet tjetër, që i bëhet më i përafërt vetëm se lexuesi njeh fjalët, dhe mendon se dhe ai mund të ishte pjesë e atij realiteti. Në grafikë, ky imazh është totalisht i përmbysur. Nuk ka as kohë, as qendër, as një pikë të vetme ku kundruesi të lidhet për tij, ndërkaq ka gjithë elementet e nevojshme, sepse dhe këtu është vija, e njëjta vijë që krijon dhe fjalën, që ia mundëson atij që vëzhgon, të bëhet pjesë e saj, t’ia lejojë që përmes një lakimi të vijës të hy në realitetin që është i afërt për të sepse është vetë njeriu në qendër dhe njëkohësisht është i largët, sepse nuk është asgjë e konkretizuar dhe e besueshme. Thjeshtësia qendron te vija, te përdorimi i një ngjyre të vetme.

Një gamë e madhe grafikash, të cilat sikur duan që t’i ikin realitetin njerëzor, t’i fshihen vetë njeriut, ndërkaq elementet që na paraqiten janë po ata që mbajnë njeriun të lidhur për këtij realiteti që njohim. Lurani guxon dhe kalon në një dimension tjetër. Vija ia ka dhënë mundësinë që ai të jetë edhe në këtë realitet dhe në atë që ai e dëshiron të na jep. Grafikat që i kemi paraqitur këtu kanë një kohë të ndryshme prej kohës njerëzore, përfaqësojnë një kohë astronomike- hapësinore.
Vepra të këtilla, duket se i takojnë një realiteti paralel, në një dimenzion që është i panjohur për njeriun e përditshmërisë. Por, gjithsesi përmes daltimit duket se lidh dhe e bën real me kohën që është këtu dhe tani, të cilat lindin pafund forma brenda një forme të vetme. Analiza ime është një prej shumë variacioneve që mund t’u qasen studiues të ndryshëm.
Forma e vetme për të kuptuar veten është ta njohim atë. Sa më thellë dhe në sa më shumë dimensione që krijohen. Forma më e bukur është përmes artit. Thjeshtësia është ajo që karakterizon një vepër të mirëfilltë dhe këtë element e kemi të parin që hasim në grafikat e Luranit. Prekja e realitetit, e përditshmërise dhe objekteve të zakonshme është një detyrim për çdo artist që t’ia dhurojë tjetrit në atë formë që ai të jetë i aftë të reflektojë mbi veten.
Shkruan: Nurie Emrullai

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button