Pentagoni po zhvillon panel diellor në hapësirë, i cili një ditë mund të dërgojë energji elektrike kudo në Tokë

Shkencëtarët që punojnë për Pentagonin kanë testuar me sukses një panel diellor në hapësirë, i cili është projektuar si prototip i një sistemi të ardhshëm që do të dërgojë pas energji elektrike nga hapësira në çdo pikë të planetit Tokë, shkruan CNN, transmeton Portalb.mk.

Paneli, i njohur si Modeli i antenës së radio frekuencës fotovoltaike” (PRAM), dhe madhësia e të cilit është me madhësinë e një kutie pice, fillimisht u lansua në maj të vitit të kaluar për të shfrytëzuar dhe shndërruar rrezet e diellit në energji elektrike.

Paneli është krijuar për të shfrytëzuar në maksimum dritën në hapësirë ​​e cila nuk kalon nëpër atmosferë dhe është më e fuqishme se ajo që arrin në Tokë pasi ruan energjinë e valëve blu. Drita blu nga këto valë shpërndahet ndërsa hyn në atmosferë, kështu që qielli nga poshtë duket blu.

Panelet do të dinin saktësisht se ku në Tokë t’i dërgojnë rrezet mikrovalë dhe në asnjë rast nuk mund të humbnin pikën, duke përdorur një teknikë të quajtur “kontrolli i rrezes retro-direktive”. Në këtë mënyrë, nga antena e synuar nga Toka, ku do të shpërndahej energjia, në fillim do të dërgohej një sinjal pilot në panelet në hapësirë. Mikrovalët do të transmetohen vetëm pasi paneli diellor të marrë sinjalin nga vendndodhja nga Toka.

Kërkimet e fundit kanë treguar se paneli diellor mund të prodhojë rreth 10 wat energji të transmetueshme, e cila është e mjaftueshme për karikimin e një kompjuter tabletë.

Projekti parashikon nisjen e dhjetëra paneleve të tjerë dhe nëse zgjerohet, suksesi i tij mund të revolucionarizojë mënyrën e gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në pjesët më të largëta të botës. Nëse teknologjia bëhet e disponueshme, ajo pritet të përdoret menjëherë në raste fatkeqësish natyrore, kur infrastruktura normale nuk do të funksionojë.

Njësia e cila punon me projektin, akoma nuk ka dërguar energji direkt në Tokë, por njerëzit e përfshirë në zhvillimin e PRAM-it thonë se teknologjia e këtillë është provuar tashmë.

“Avantazhi unik që e kanë satelitët diellorë mbi çdo burim tjetër energjie është transportueshmëria globale. Mund të dërgoni energji elektrike në Çikago dhe në një pjesë të sekondës, nëse është e nevojshme, mund ta dërgoni në Londër ose Brazil”, tha Paul Jeff, një nga bashkë-zhvilluesit e projektit.

Sidoqoftë, faktori kryesor që duhet provuar është qëndrueshmëria ekonomike.

Droni X-37B, në të cilin është bashkangjitur paneli, rrotullohet rreth tokës çdo 90 minuta. CNN shton se misioni i dronëve hapësinorë po mbahet sekret, ndërsa ky eksperiment është një nga detajet e pakta që janë zbuluar në lidhje me qëllimet dhe synimet e tij.

Projekti financohet dhe zhvillohet nga Pentagoni, Fondi Operacional i Përmirësimit të Kapacitetit të Energjisë dhe Laboratori i Kërkimeve Detare të SHBA-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button