fbpx

Tetovë, studentët dhe personat e papunë do të paguajnë më pak për transport publik

Janë pranuar kërkesat e organizatave joqeveritare dhe aktivistëve për të rinjtë në lidhje me lirimin e çmimit të biletave për transport publik për studentë në Tetovë, ndërkaq, me kërkesë të Avokatit të Popullit, në listën e personave me “benefite” në blerjen e biletave për transport publik në Tetovë, është shtuar edhe kategoria e personave të papunë dhe me të ardhura të ulëta, shkruan Portalb.mk.

Darko Spirovski, drejtori i ri i NP “Tetova Transport” theksoi se në mënyrë të përpiktë janë pranuar të gjitha kërkesat e studentëve për lirimin e çmimit të biletës për transport publik.

“Është pranuar kërkesa e studentëve që të hyjnë në listën e personave me benefite sa i përket çmimores për transportin publik, dhe për këta të fundit, biletat mujore dhe vjetore do të jenë më lirë” tha Darko Spirovski.

Ndërkaq, në përpilimin e çmimores për transport publik në Tetovë është kyçur edhe Avokati i Popullit, ky i fundit i ka dërguar letër Komunës së Tetovës me anë të së cilës ka kërkuar që të ketë lirim të biletave për personat e papunësuar dhe me ata që kanë të ardhura të ulëta.

“Me kërkesë të Avokatit të Popullit është shtuar edhe grupi i personave të papunësuar dhe personat me të hyra të ulëta, pra, do të ketë lirim edhe për këtë kategori” tha Spirovski.

Sa do të jetë çmimi për këta dy kategori?

Studentët

  • Bileta për një vozitje për studentë – 20 denarë
  • Bileta mujore për studentë – 250 denarë
  • Bileta vjetore për studentë – 2500 denarë

Personat e papunë dhe me të ardhura të ulëta

  • Bileta për një vozitje për personat e papunë dhe me të ardhura të ulëta – 20 denarë
  • Bileta mujore për personat e papunë dhe me të ardhura të ulëta – 300 denarë
  • Bileta vjetore për personat e papunë dhe me të ardhura të ulëta – 3000 denarë

Ndërkaq, rikujtojmë deklaratën e aktivistit Don Murtezani, i cili disa ditë pasi u shpallën çmimet fillestare për transportin publik në Tetovë reagoi për mospërfshirjen e studentëve si kategori e veçantë në këtë çmimore.

Don Murtezani, aktivist.
Don Murtezani, aktivist.

“Nga vendimet e këshillit komunal ndikohen shumë shtresa, kësaj radhe është dëmtuar shtresa më vitale e shoqërisë, siç janë të rinjtë, në të gjithë botën punohet që studentët të kenë lehtësira ndërkaq ne i dëmtojmë ata. Propozimi im do të ishte që të gjithë studentët të nxjerrin një front përballë komunës dhe këtij vendimi i cili nuk është fare i arsyeshëm, mendoj se duhet të ketë lehtësira, eventualisht për studentët të jetë pa pagesë me ID apo të jetë më së paku 200 denarë në vit. Në qoftë se i krahasojmë me administratorët komunal, ata marrin paga ndërsa një numër i madh i tyre nuk shkojnë as në punë, përse duhet ti kenë këto beneficione ndërsa studentët kanë harxhime plot kurse lehtësira fare” tha Don Murtezani, aktivist dhe student.

Reagime pati edhe nga Unioni i Studentëve Shqiptar (UNSh), nga ku Zeliha Mustafa potencoi faktin se studentët nuk gjenerojnë të ardhura ashtu si punonjësit komunal, andaj sipas kësaj organizate, përfitimet e administratorëve janë skandaloze.

Zeliha Mustafa, Unioni Studentor Shqiptar.
Zeliha Mustafa, Unioni Studentor Shqiptar.

“Ky është një çmim totalisht i papranueshëm për ne se USSH, kërkojmë që urgjentisht çmimi të përmirësohet dhe të jetë një çmim i kapshëm për xhepin tonë duke e ditur se ne si studentë nuk gjenerojmë të hyra dhe buxhetin mujor studentor e kemi të kufizuar dhe mos të them paraprakisht të planifikuar për harxhime të domosdoshme. Në këtë situatë, ne se USSH duhet të ngremë zërin dhe këtë çmimore assesi të mos e lejojmë” tha Zeliha Mustafa.

Ndryshe, nuk është menduar një regjim i ri i komunikacionit, nuk ka shoferë për autobusët, drejtori i NP “Tetova Transport” dhe të punësuarit tjerë nuk kanë zyra, nënstacionet nuk kanë ulëse ndërsa janë vendosur vetëm 9 prej 48 që u premtuan, oraret janë përpiluar por nuk ka siguri se do të mund të ju përshtaten kushteve infrastrukturore dhe të komunikacionin në qytet. Këto dhe me shumë sfida tjera po haset tentimi për vendosje në funksion të transportit publik në Tetovë, drejtori i ri i kësaj ndërmarrje pranoi se po përballen me shumë sfida dhe se fillimisht do të funksionoje vetëm 1 linjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button