Johnson & Johnson – vaksina e parë anti-covid, e cila është efektive vetëm me një dozë, pritet miratimi i saj në ShBA

Vaksina kundër kovid-19 e prodhuesit amerikan Johnson & Johnson, prej së cilës është e nevojshme vetëm një dozë, është treguar e sigurt dhe efektive gjatë testimeve, njoftoi Agjencia amerikane e ushqimit dhe barnave (FDA), duke hapur rrugën për miratimin e saj të menjëhershëm. Një panel këshillues me ekspertë të pavarur do të mblidhet nesër që të vendosë për rekomandim ose jo të vaksinës, transmeton Portalb.mk.

Sipas FDA-së, mbrojtja ndaj infeksionit covid-19 fillon të shfaqet të paktën 14 ditë pas vaksinimit. Njëzet e tetë ditë pas vaksinimit, nuk ka pasur asnjë hospitalizim ose vdekje.

Pas testimit të më shumë se 44.000 vullnetarëve, rregullatorët federalë thanë se vaksina kishte efektivitet prej 72% në Shtetet e Bashkuara, 66% në Amerikën e Jugut dhe 57% në Afrikën e Jugut, ku është përhapur një mutacion i ri, më i transmetueshëm.

Shkencëtarët e FDA-së zbuluan se vaksina është 85 për qind efektive në parandalimin e rasteve serioze të covid-19, kurse në përgjithësi, efektiviteti i saj kundër rasteve të lehta deri te ato më të rënda është 66%.

“Është inkurajuese që një dozë e vaksinës Johnson & Johnson është aq e mirë në parandalimin e sëmundjes serioze sa dy doza nga kompanitë konkurruese. Kjo është një vaksinë që do të parandalojë shkuarjen në spital”, tha Paul Ofit,  anëtar i panelit këshillues të FDA-së.

Përveç Shteteve të Bashkuara, edhe rregullatorët evropianë dhe të OBSH-së mund ta miratojnë vaksinën, kurse kompania planifikon të prodhojë një miliard doza deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button