Zaharieva pas takimit me Osmanin: Le ta kuptojnë se nuk ka forcë para së cilës do të dorëzohemi, BE-ja nuk është Jugosllavi

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Bujar Osmani dje u takua me ministren bullgare Ekaterina Zaharieva, ndërsa kjo e fundit në mëngjes ishte e ftuar në median bullgare BTV. Zaharieva tha se kanë biseduar për takimet e ardhshme të komisionit historik dhe se duhet të punohet për çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve. Ajo ishte kategorike që asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as deri më tani dhe as në të ardhmen, nuk duhet t’i tregojnë ose t’i bëjë presion Bullgarisë që të dorëzohet dhe të lejojë bisedimet e pranimit për Maqedoninë me BE, nëse një gjë të tillë nuk e vendos vetë Bullgaria, njofton Portalb.mk.

“Ata duhet të kuptojnë se Bashkimi Evropian nuk funksionon si Jugosllavia. Askush nuk mund të na tregojë se çfarë të bëjmë në Union,” tha Zaharieva.

Gjithashtu u njoftua zyrtarisht se Osmani dhe Zaharieva diskutuan “bashkëpunimin sektorial dhe përgatitjet për takimin e komisionit ndërqeveritar si një instrument që del nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë menjëherë pas harmonizimit të Planit aksional për bashkëpunim sektorial”.

Duke folur në lidhje me thirrjen e Presidentit Rumen Radev për të mbrojtur interesat e qytetarëve bullgarë në RMV, ajo tha se nëse kreu i shtetit mund të mos e dijë, por autoritetet bullgare gjithmonë kanë reaguar në mbrojtje të bullgarëve.

“Ne reagojmë në mbrojtje të njerëzve me vetëdije bullgare atje, që janë subjekt i ngacmimit ose diskriminimit. Veprojmë çdo ditë dhe në çdo sinjal, nuk e bëjmë punën tonë vetëm me njoftime për shtyp. Unë personalisht reagoj, ne dërgojmë demarsh, kështu që institucionet në Maqedoni reagojnë. Edhe pse është e vërtetë, disa muaj më parë autoritetet maqedonase filluan të reagojnë, por jo gjithmonë mund t’i kujtojmë. RMV duhet t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë ata me vetëdije bullgare, tha Zaharieva.

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev kërkoi përgjigje disa ditë më parë nga institucionet në Bullgari dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj sinjaleve të bashkatdhetarëve të tij që jetojnë në Maqedoni.

Pozicioni i presidentit Radev, siç shkruajnë mediat bullgare, është motivuar nga një letër e marrë nga presidenca e bullgarëve etnikë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në të cilën ata shprehin shqetësim për diskriminimin e tyre të vazhdueshëm në Maqedoni.

“Më shumë se njëqind mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë shtetësi bullgare, të fituar në bazë të vullnetit të lirë dhe vërtetimit dokumentar të origjinës së tyre etnike bullgare. Mijëra të tjerë janë në proces të shqyrtimit të kërkesave të tyre për shtetësinë bullgare. Presim që këto fakte objektive të gjejnë shprehje në kundërshtimin e autoriteteve zyrtare në RMV-së kundër dimensioneve shqetësuese të gjuhës së urrejtjes kundër Bullgarisë dhe bullgarëve në RMV. Bullgarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë të drejta të barabarta me ato të qytetarëve të tjerë të vendit në përputhje me standardet më të larta botërore dhe evropiane. Ky parim themelor i demokracisë është ngulitur në frymën e Marrëveshjes mbi Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin midis dy vendeve nga viti 2017”, tha kreu i shtetit bullgar Rumen Radev.

Ndryshe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dje pas kthimit të tij nga vizita në Paris, realizoi takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

“Në takim u shqyrtuan aktualitetet të lidhura me krizën nga Covid-19 dhe mënyrat se si dy vendet realizojnë bashkëpunim për t’u ballafaquar me këto sfida. Zaharieva pohoi se po bëhen përpjekje për porosinë me vaksinat e premtuara për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga MPJ.

Ata shtuan se në vazhdim u bisedua për Planin aksionar për bashkëpunim të ndërsjellë, mundësi për finalizimin e tij, në funksion të dakordimit të Marrëveshjes eventuale të Konferencës së dytë ndërqeveritare mes dy qeverive, bashkëkryesues të së cilës janë dy ministrat Osmani dhe Zaharieva.

Bashkëbiseduesit shprehën mirënjohje nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe shfrytëzuan rastin edhe për shkëmbime të mendimeve dhe tema tjera nga interesi i përbashkët i të dyja palëve.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portuges, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button