Tentativa e pasuksesshme

Opinioni i gjerë në Maqedoninë e Veriut për dy ditë radhazi ishte dëshmitar i zhvillimeve dramatike lidhur me vendosjen e drejtësisë. Justicia në këtë shtet definitivisht më shumë se me një perëndeshë të drejtësisë ngjan me një drama queen. Dhe në situata të tilla, kur jo shumë kohë më parë ish-kryeministri u arratis në mënyrë spektakolare dhe e bëri të ditur vendndodhjen e tij përmes rrjeteve sociale, ndërsa në anën tjetër ndjekësja e tij përfundoi në burg, është më se e pritshme në opinion të përhapen teori të ndryshme konspiracioni për atë se kush me kë është marrë vesh, cila ka qenë marrëveshja, dhe ku ka ngecur kjo marrëveshje. Si gjithmonë, konspiracionet e kalojnë më mirë pragun e besimit se sa e vërteta. Harari do kishte thënë që homo sapiensi në përgjithësi është i prirur të besojë në mite, gjë që e qartëson arsyen pse lajmet e rreme përhapen aq shpejtë, ndërsa e vërteta vonon të pranohet si e tillë.

Lidhur me tentativën e pasuksesshme për ikje të ish shefit të shërbimeve sekrete Mijalkov u paraqitën shumë teori të tilla konspirative në esencën e të cilave ishte besimi se ka marrëveshje që i njëjti të lejohet të arratiset dhe t’i bashkëngjitet në arrati kushëririt të vet në Budapest, të fitojë azil në Belize, ose t’ju bjerrë rrotull botës për 80 ditë me jahtin të cilin thonë se e ka të parkuar në Monako. Por lidhur me këto teori sado tërheqëse të duken, ka disa gjëra themelore që nuk shkojnë e që përfshihen  në pyetjet në vijim: Nëse ka pasur marrëveshje për ikje, pse arratisja nuk ndodhi? Nëse ai iku, përse u kthye? Nëse pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe kthimi, kush do të kishte bërë një marrëveshje të tillë kaq poshtëruese për të arratisurin në tentativë dhe po aq poshtëruese për pushtetin duke marrë parasysh këtu gjithë kritikat, sharjet dhe talljet e opinionit publik lidhur me këtë ngjarje? Thjesht nuk ka logjikë një marrëveshje e tillë ku arratisja nuk realizohet, i arratisuri kthehet në paraburgim shtëpiak e qeveria pëson sulme të rënda nga vetë fakti që për disa orë nuk e dinte vendndodhjen e të pandehurit kryesor në vend.

Prandaj kualifikimi më i saktë i dramës që ndodhi dy ditët e kaluara do të jetë sipas të gjitha gjasave arratisje e mbetur në tentativë. Tregimi fillon me fjalët përfundimtare që u thanë të premten e kaluar në rastin që është nëna e të gjitha rasteve të ngritura nga PSP, pra rasti “Target-Fortesa” ku gjykata duhet të vendosë lidhur me zbardhjen e pyetjes kush, pse dhe në çfarë mënyre ilegalisht përgjoi më shumë se 20.000 qytetarë të këtij vendi. U kërkua dënim efektiv me burg për të pandehurin kryesor i cili paraprakisht kishte dhënë “fjalën e nderit” se nuk do të arratiset dhe prokuroria çuditërisht këtë gjë e kishte besuar. Por vullneti i njeriut ndryshon nga momenti në moment, dhe vendimet e tij për arratisje janë fluide. Prandaj edhe eksiton mundësia për të ndryshuar vendimin për ndonjë masë e lehtë në vendim për paraburgim, veçanërisht kur afrohet fundi i gjykimit dhe i pandehuri është gjithnjë e më pranë përballjes me dënimin me burg. Zhvillimi i ngjarjes vazhdon me informatat se arratisja është në përgatitje, dhe në bazë të këtyre informatave jepet vendim për paraburgim shtëpiak. Aty shihet se i pandehuri është në mungesë sepse autoritetet nuk mund ta gjejnë që t’ia japin vendimin e paraburgimit. Në momentin kur bëhet e qartë që personi ka filluar arratinë, hapet procedurë hetimi ndaj ndihmësve potencialë të të arratisurit. Bashkëpunëtorët më të afërt dhe familjarët e Mijallkovit vendosen nën hetime dhe pronat familjare të tij vendosen nën kontroll. Dhënia e ndihmës gjatë procesit të arratisjes së dikujt është vepër penale që dënohet me burg nga tre muaj deri në pesë vite. Familjarët dhe bashkëpunëtorët tani ballafaqohen me këtë dënim. Përveç kësaj, ata ballafaqohen me humbjen e privilegjeve që sigurohen nga pronat e tyre të majme dhe të gjera. Befas, arratisja fillon të mos duket ide kaq e mirë dhe qëndrimi në paraburgim shtëpiak bëhet gjithnjë e më tërheqës. Ky moment është kulminacioni në këtë ngjarje pas të cilit vjen peripecia, apo kthesa e madhe e dhe e befasishme. Peripecia ndodhi kur i pandehuri paraqitet vet në prokurori ta marrë vendimin për paraburgim shtëpiak duke u arrestuar në mënyrë qesharake se ka qenë në izolim, me temperaturë të lart nga e cila nuk ka ditur ku ndodhet dhe pasi temperaturat kishin hipur gjithandej mbi 40 gradë. I pandehuri bile kërkoi falje nga të gjithë për gjithë shqetësimet e shkaktuara. I pandehuri përfundoi në paraburgim shtëpiak ku do ta presë vendimin e shkallës së parë për këtë rast.

Përfundimi që nxirret nga ky tregim është se organet e rendit kanë mekanizma për të ndaluar një tentim për arratisje. Mekanizmat e tilla nuk janë vetëm ndjekja dhe locimi i personit në arrati. Mekanizma të tilla janë mbi të gjitha hapja e hetimit të njëmendtë për bashkëpunëtorët dhe ballafaqimi i tyre me dënime reale. Pra kur vërtet dëshirohet të arrihet diçka, gjendet mënyrë.

Dy çështje mbeten të hapura pas arratisjes së pasuksesshme e cila me kalimin e kohës gjithnjë e më shumë do të ngjajë si një operacion i suksesshëm i organeve të rendit dhe më pak si një manipulim i radhës i njeriut që i trajtonte institucionet e shtetit në të njëjtën mënyrë si marionetisti që trajton kukullat e tij të varura në penj.

Çështja e parë është: Përse prokurorja e krimit të organizuar e la në paraburgim shtëpiak të pandehurin që ka tentuar të arratiset? Ajo tha që është rrethanë lehtësuese që i pandehuri u paraqit vet ta marrë vendimin për paraburgim. Kjo në fakt kërkohet të trajtohet si heqje dorë vullnetare nga përfundimi i veprës penale të arratisjes. Por a ishte në fakt vullnetare heqja dorë? Po ta shohim formulën e Frankut (e cila përcakton se tërheqja është vullnetare kur personi objektivisht dhe subjektivisht ka mundur ta përfundojë veprën penale e megjithatë ka vendosur të mos e përfundojë të njëjtën jo për shkak të pengesave që paraqiten por për shkak se vet ai ashtu ka vendosur vullnetarisht) nuk do të dalë tamam ashtu. Shtrëngimi i rrethit të familjarëve dhe i pronave vështirë se mund të konsiderohet si heqje dorë vullnetare nga përfundimi i veprës penale, prandaj ky vendim për paraburgim shtëpiak duhet të rishqyrtohet.

Çështja e dytë është: Tani që i pandehuri u kthye “vullnetarisht”, pronat e tij a bëhen sërish të sigurta dhe të lira për përdorim? A nuk ka diçka të tillë si ngrirja dhe konfiskimi i pronave të krijuara në mënyrë jolegale? A do të vazhdojë edhe më tej shfrytëzimi i fryteve të veprave penale, posaçërisht nëse të akuzuarit “vullnetarisht” shkojnë në vuajtje të dënimit? Thënia e vjetër latine se padrejtësia nuk mund të prodhojë drejtësi përsëritet me shekuj nga juristët, por assesi të hyjë në zbatim kur duhet të kryhet konfiskimi.

Për këto dhe çështje të tjera mbetet të informohemi më hollësisht gjatë epizodeve të rradhës të serialit dramatik “Drejtësia në Maqedoninë e Veriut”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button