fbpx

Ministri Osmani për vizitë në Sofje, u takua me homologen bullgare Zaharieva

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot gjatë kthimit të tij nga vizita në Paris, realizoi takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

“Në takim u shqyrtuan aktualitetet të lidhura me krizën nga Covid-19 dhe mënyrat se si dy vendet realizojnë bashkëpunim për t’u ballafaquar me këto sfida. Zaharieva pohoi se po bëhen përpjekje për porosinë me vaksinat e premtuara për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga MPJ.

Ata shtojnë se në vazhdim u bisedua për Planin aksionar për bashkëpunim të ndërsjellë, mundësi për finalizimin e tij, në funksion të dakordimit të Marrëveshjes eventuale të Konferencës së dytë ndërqeveritare mes dy qeverive, bashkëkryesues të së cilës janë dy ministrat Osmani dhe Zaharieva.

Bashkëbiseduesit shprehën mirënjohje nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe shfrytëzuan rastin edhe për shkëmbime të mendimeve dhe tema tjera nga interesi i përbashkët i të dyja palëve.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portuges, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button