Tetova me më pak ujë, “Eco Guerilla”: Të hetohet nga ekspertë mënyra e ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit

Dy ditët e fundit ka rënë në mënyrë drastike shtypja e ujit në rrjetin e ujësjellësit në Tetovë, kjo për shkak të një shpërthimi në tubin e sistemit të ri të ujësjellësit në Tetovë. “Eco Guerilla” bën thirrje për formimin e një komisioni hetimor nga ekspertë për atë se si është ndërtuar ky rrjet dhe a i përmbush standardet për funksionim normal, shkruan Portalb.mk.

Sipas Arianit Xhaferit nga organizata joqeveritare “Eco Guerilla”, është e rëndësishme të formohet një komision hetimor për shkak se sipas tyre, qytetarët kanë humbur besimin në seriozitetin e punëve që realizohen nga Komuna e Tetovës.

Arianit Xhaferi
Arianit Xhaferi, “Eco Guerila”

“Defektet e shpeshta në rrjetin e posa ndërtuar në Leshnicë lënë dyshime serioze për cilësinë e ndërtimit, ku shumë qytetarë kanë humbur besimin në seriozitetin e punëve që realizohen apo porositen nga Komuna e Tetovës. Duhet një komision hetimor nga ekspertë të pavarur të bëjë inspektimin si është ndërtuar ky rrjet dhe nëse i përmbush standardet dhe parametrat e duhura për funksionim normal dhe furnizim të rregullt me ujë për pije për qytetin e Tetovës” kumtuan nga “Eco Guerilla”.

Ai shtoi se edhe ndërtimi i hidrocentraleve, sidomos atij që është ndërtuar vetëm 300 metra afër kaptazhes duhet të kaloje në filtrat e ekspertëve sepse siç shtoi Xhaferi, pasojat e kësaj i bartin qytetarët.

“Drejtorja e Inspektoratit të ambientit jetësor Ana Petrovska para do kohe pat paralajmëruar që nga ndërtimi i hidrocentralit në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës mund të ndotet uji për pije dhe të rrezikohen qytetarët e Tetovës të mbesin pa ujë. Ndërtimi është vetëm 300 metra afër kaptazhës. Prandaj kontrollimi i të gjithë dokumentacionit dhe lejeve të ndërtimit të lëshuara nga Komuna e Tetovës për këto hidrocentrale duhet të kalojnë filtrat e eskpertëve. Pasojat e këtyre ndërtimeve nga hidro-mafia vënë në rrezik gjithë qytetin e Tetovës dhe rrethinën për të drejtën elementare për ujë. Durimit të qytetarëve u ka ardhur fundi. Për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi” shtoi ai.

Për këtë, kanë lëshuar një komunikatë edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, sipas të cilëve bëhet fjalë për një defekt serioz të shkaktuar në linjën e Leshnicës.

 “Për shkak të defektit serioz të shkaktuar në linjën e Leshnicës, uji në rezervuaret e qytetit pëson rënie drastike në një mesatare prej 150 l/s. Me qëllim të furnizimit të barabartë me ujë për pije në të gjitha pjesët kritike të qytetit,prej sot jemi të detyruar që të fillojmë me restrikcion të ujit për pije, edhe atë nga ora 08:30 deri 11:30 si dhe pasdite nga 15:00 deri 18:00, kurse nga mesnata nga ora 00:00 deri në orën 05:00”, njoftojnë nga NPK Tetovë.

Për lehtësimin e mungesës së ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, ndërmarrja në fjalë ka aktivizuar edhe katër bunarë që gjenden në qytetin e Tetovës: bunarin te qendra sportive, te spitali klinik i qytetit, te ish fabrika “ЕТКО” dhe bunarin te Shkolla e Mesme profesionale komunale “Mosha Pijade”-Tetovë.
Ky kufizim do të vlej deri në sanimin e defektit në linjën kryesore të Leshnicës.

Sistemi i vjetër i furnizimit me ujë dhe katër bunarët tani sigurojnë rreth 200 litra ujë në sekondë, gjë që është e pamjaftueshme për furnizimin normal të qytetit.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin defekte në sistemin e ujësjellësit, i cili para tre vitesh u vendos në përdorim. Vitin e kaluar, gjithashtu për shkak të një tubi të krisur të sistemit të ri të ujësjellësit, kishte ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm, kurse në janar, për shkak të turbullimit të ujit, sistemi i furnizimit me ujë ishte jashtë përdorimit për disa ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button